Si kishte kaluar vizita e parë zyrtare e Ibrahim Rugovës në Tiranë?

0

Si kishte kaluar vizita e parë zyrtare e Ibrahim Rugovës në Tiranë?

(Në vjeshtën e vitit 1990, kur po afrohej përvjetori i parë i themelimit të LDK-së, përmes një aktivisti tonin në Bon (Jonuzit) që kishte lidhje me Ambasadën e Shqipërisë, mbërriti ftesa e Ramiz Alisë për një takim me Ibrahim Rugovën… I. R. lejoi një takim të nivelit të dytë… Pas disa ditësh, në Vjenë të Austrisë, u realizua një takim mes këshilltarit të parë të Ramiz Alisë, Sofo Lazrit, me Ali Aliun e Bujar Bukoshin… Më 20 shkurt 1991, me ftesë të Ramiz Alisë, u nisëm për në Tiranë: Ibrahim Rugova, Ali Aliu e Bujar Bukoshi)

Kujë në ambasadën shqiptare në Bon

Jo shumë larg, pas takimit tonë të parë me të dërguarin e Ramiz Aliut në Vjenë, më 20 shkurt, përbërja e mësipërme udhëtoi nga Prishtina për Bon pikërisht në datën 20 shkurt, që është edhe data e rënies së bustit të Enver Hoxhës në Tiranë. Edhe kësaj here, njësoj si për takimin e parë, udhëtimi bëhej nëpërmjet Ambasadës së Shqipërisë në Bon, ishte vendosur që të kalojmë një natë në kryeqytetin e atëhershëm të Gjermanisë, pra, natën e 20 shkurtit, dhe të nesërmen do ta kishim fluturimin direkt për Tiranë.

Sapo u vendosëm në një hotel, na lajmëruan se ishim të ftuar për një kafe në rezidencën e ambasadorit shqiptar. Aty, nga ora 19 e mbrëmjes, trokitëm në një apartament të një pallati të Bonit. Na e hapi derën një grua që në vend të na priste me disponim, ajo dëneste me të madhe. Të hutuar u futëm brenda, u gjendëm në një sallon ku na priu zonja e ambasadorit, në të cilin brenda ishin edhe disa gra të tjera të pranishme që na pritën në këmbë dhe që të gjithë i kishte kapluar një vaj i heshtur ose i zëshëm.

Më vonë e pamë që të pranishmit ishin nga përbërja e stafit të ambasadës, që i zoti i shtëpisë i kishte ftuar të kalojmë bashkarisht një mbrëmje. Natyrisht që jo vetëm na bëri përshtypje, por thuajse u tronditëm, të bindur që do të ketë ndodhur diçka e rëndë në mesin e familjarëve, diç tragjike e ndonjerës nga familjet e ftuara ose e vet ambasadorit.

Nuk më kujtohet se cili nga ne, më në fund, pyeti se ç’kishte ndodhur në fakt.

“Sapo dëgjuam lajmin në television. E kanë rrëzuar bustin e shokut Enver Hoxha” , u përgjigj njëra nga gratë e pranishme, duke shpërthyer edhe më në vaj.

Nuk do mend që ne u çliruam nga ankthi, duke e shikuar njëri-tjetrin në heshtje dhe zumë vendet që na i ofroi zoti i shtëpisë… Copa-copa e dëgjuam edhe përshkrimin e ngjarjes së “dhimbshme”, natyrisht vepër e “armiqve dhe huliganëve” dhe në heshtje, pasi nuk kishim fjalë as për ngushëllim e as për koment, kaluan disa çaste. Heshtnim që të gjithë. Ishte një qetësi si pas një morti të dhimbshëm.

Pimë kafetë që na i ofroi zonja e shtëpisë dhe kërkuam “izën” për në hotel, me që ishim të lodhur nga udhëtimi dhe se të nesërmen na priste udhëtimi tjetër. Ishte lajm edhe për ne rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës nga demonstruesit e rinj të Tiranës.

Kërshëria jonë që po shkonim në Shqipëri pas plot dhjetë viteve të kufirit të pakalueshëm Shqipëri – Kosovë ishte edhe më sfiduese. Ç’do të gjejmë nesër në Tiranë? Unë vet kisha qenë pikërisht në janar të vitit 1981 për herë të fundit në Tiranë dhe vetëm dy muaj më pas, pas demonstratave të studentëve, në mars të po atij viti, u ndërpre me perde të hekurt çdo lëvizje dhe komunikim mes nesh.

Në Aeroportin e Rinasit na pritën dy delegacione – i PPSH-së dhe i PD-së

Fluturimi për në Tiranë zgjati rreth tri orë. Sa më kujtohet, në Aeroportin e Rinasit duhet të kemi mbërritur diku afër mesditës. Nuk kishim kurrfarë informate nga Ambasada e Shqipërisë në Bon nëse do të na priste dikush, nuk dinim asgjë për programin tonë atje, nuk kishim vendosur as vetë për ditët e qëndrimit, as për ndonjë takim të veçantë të synuar. Thjesht, po shkonim si në tym, sidomos pas asaj që kishte ndodhur një ditë përpara në sheshin e Tiranës.

Ishim të vetëdijshëm se ne e kishim pranuar vizitën e sugjeruar edhe nga Ramiz Alia, që do të thotë se ishim mysafirë të Shtetit Shqiptar ende komunist, në krye me partinë dhe Ramiz Alinë. Por, që në dalje të shkallëve të aeroplanit, u ballafaquam me një tjetër çudi. Përpara nesh, jo larg shkallëve të aeroplanit, vura re dy delegacione krah njëri-tjetrit, në pritje për të na uruar mirëseardhje: atë të Partisë së Punës në krye me Sofo Lazrin, të cilin Bujar Bukoshi dhe unë e kishim takuar në Vjenë, dhe atë të Partisë Demokratike, në krye me Sali Berishën, në përbërje të të cilit Ibrahim Rugova dhe unë e njihnim Gramos Pashkon, me të cilin disa muaj më parë, e kishim e vizituar në Paris shkrimtarin e arratisur, Ismail Kadare.

S’do mend që u ndjeva mirë për një çast, me që m’u duk, besova ose dëshiroja të besoj ashtu fluturimthi, se Shqipëria më në fund do të shpëtojë nga skenari i konflikteve të përgjakshme.

Të rrethuar dhe në shoqërim të dy delegacioneve, u drejtuam dhe u futëm në një sallë pritjeje në aeroport. Njësoj si gjatë praktikave të pushtetit shqiptar që unë e njihja, meqë gjatë vizitave të shpeshta, qoftë përmes Lidhjes së Shkrimtarëve, qoftë përmes bashkëpunimit të dy universiteteve, të Tiranës dhe atij të Prishtinës, salla ishte përgatitur me kohë për një pritje të kësaj natyre. Ne të treve na ulën në disa karrige në krye të sallës dhe në njërin krah tonin u ulën pushtetarët, kurse në tjetrin demokratët.

Nuk më kujtohet saktësisht a ishin ulur të majtit në krah të majtë dhe të djathtit në krahun e dhjathtë. Një kamarier, i veshur solemnisht, me një tabaka gotash të mbushura me konjak, na shërbeu të gjithëve. I uruam njëri-tjetrit mirëseardhje dhe mirësegjetje, në zhurmërima zërash të përnjëhershme nga të tria palët. Atmosfera e nderë, si rrjedhim i vetë ngjarjes së një dite më parë, asaj të rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, krijonte një tensionim që ishte larg pritjes të përzemërt mes vëllezërish, qoftë nga krahu i pushtetarëve, qoftë nga ai i demokratëve. Megjithatë, ne të tre sikur morëm zemër për mbështetje të pritshmërisë sonë, se dalja bashkë e Shqipërisë së atyre ditëve për ta pritur Kosovën në Rinas, sikur na u duk ogur i mirë, duke ushqyer iluzionin se pas të gjitha ngjarjeve dramatike të shpejta në Tiranë, Kosova, megjithatë, do të ishte brengë dhe shqetësim i parë i Shqipërisë komuniste dhe demokratike.

Pikërisht në këtë mbështetje, Ibrahim Rugova, me atë stilin e tij të drejtpërdrejtë dhe të natyrshëm, miqësor dhe njerëzor, provoi ta thyejë akullin dhe të vërë kontakt të parë me të dyja palët. Ishte një frazë, duke uruar dhe duke buzëqeshur, në kuptimin që i vjen mirë që po i sheh bashkë përfaqësuesit e dy partive që do t’i prijnë Shqipërisë së nesërme. Nuk ndezi! Natyrisht që nuk kishim perceptim real për gjendjen e vërtetë në Shqipërinë e atyre ditëve!

Që atë ditë, që atë mbrëmje, e sidomos të nesërmen, do të bindeshim se dy krahët e Shqipërisë në vend që të kishin Kosovën shqetësim të parë, në fakt, ata mëtonin mbështetjen e Kosovës për të vendosur pushtetin e vet në Shqipëri, përkatësisht për ta mbajtur dhe për ta marrë atë me çdo kusht.

Pas një bisede tejet konfuze, meqë duket se ne ishim pala që nuk mund ta perceptonim drejt atmosferën, na futën në dy vetura zyrtare dhe na zbritën në vilën e Enver Hoxhës, diku në kodrën e mbiliqenit të Tiranës.

Ishte një vilë e izoluar, me një ambient e me një enterier luksoz dhe të ftohtë, të akullt deri të frikshëm, që nuk na pëlqeu aspak. E para, pse ishte krejt larg qytetit dhe ne kishim që të tre kurreshtje që ta shohim qytetin, përkatësisht njerëzit në qytet. Megjithatë, kujdestarët e shtëpisë na shetitën në ambientet e vilës, duke na i treguar edhe dhomat ku do të flinte secili nga ne, dhomën e punës dhe tavolinën ku i shkruante veprat në seri Enver Hoxha, e kështu me radhë.

Personi që na e lehtësoi pakashumë komunikimin dhe disponimin tonë lidhur me këtë vendosje ishte Leka Meksi, anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, që ishte caktuar të na shoqërojë nga ana e kësaj partie. Edhepse e takonim për herë të parë, ai ishte tejet i natyrshëm në komunikim me të gjithë. Ishte një natyrë e drejtëpërdrejtë dhe në një mënyrë e gjallëronte mbrëmjen tonë në ambientet e një vile që na dukej tejet e rëndë dhe plot tensione.

Ishte e qartë se, sado e papranueshme përkatësisht sado e padëshirueshme që ishte Partia Demokratike e Shqipërisë, nikoqirët tanë bënin një lëshim ndaj nesh, duke u pajtuar, natyrisht në heshtje, që ta lejonin të na bënte shoqëri, pa të cilin do të ndjeheshim jo vetëm keq, por gati si të izoluar, jashtë qytetit të Tiranës dhe të izoluar nga të njohurit dhe miqët e shumtë që i kishim në të, edhe Ibrahim Rugova, edhe Bujar Bukoshi, edhe unë, sidomos, që kisha qenë dhjetëra herë gjatë viteve shtatëdhjetë.

Dhe, me që na krijoi një disponim miqësor të drejtëpërdrejtë, pikërisht Leka Meksi, ne e shprehëm haptazi dëshirën tonë që të na vendosin diku në qytet, meqë dëshironim ta ndjejmë nga afër ambientin e Tiranës, për të cilën nga kishte marrë malli! Kishim të njohur dhe miq të shumtë, sidomos Ibrahim Rugova dhe unë, nga anët e intelektualëve dhe mund të thuhet se i njihnim shumicën e shkrimtarëve të njohur të Shqipërisë, sidomos ata që gjatë viteve shtatëdhjetë kishin pasur mundësi të vinin në Kosovë, përkatësisht ne të shkojmë në Shqipëri. Ua shfaqëm këtë dëshirë përfaqësuesve zyrtarë, mysafirë të të cilëve ishim dhe, për kënaqësinë tonë, në vilën ku u dërguam nga aeroporti në Tiranë fjetëm vetëm natën e parë.

Ditën e nesërme na vendosën në një shtëpi që ishte po ashtu një vilë e mirë dhe e ruajtur, nga ato të para luftës, aty në afërsi pas Pallatit të Kongreseve, që i bie pranë rrugës Ismail Qemali, përkatësisht godinës së Radio-Televizionit të Tiranës.

Sa më kujtohet, adresa e shtëpisë ku u vendosëm në komunikimin intern, zyrtar, quhej “vila katër” dhe vërtet u gëzuam shumë. Vila ishte tejet komode, e ngrohtë dhe brenda kishte një kuzhinë interne dhe shërbyes që kujdeseshin vetëm për ne të tre.

Sapo u vendosëm, pas mëngjesit dhe kafesë që e pimë në vilën e natës së parë, vizitën e parë vendosëm t’ia bënim shkrimtarit që e kishim të njohur dhe mikut të afërt, Dritëro Agollit, tek i cili unë sidomos ndjehesha si në shtëpinë time në Prishtinë. Dritëroin e njihja që nga fillimi i viteve shtatëdhjetë, kisha qenë me dhjetëra herë në shtëpinë e tij, e çmoja dhe e doja si shkrimtar dhe si njeri, që nga fillimi i njohjes tonë.

Të treve bashkë na shoqëroi edhe gazetari Skënder Buçpapa, që asokohe punonte në gazetën “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, i cili që atë ditë bëri nga një bisedë për faqet e gazetës së vet me Ibrahim Rugovën dhe me mua.

Ditë e ftohtë në Tiranë, Ramiz Alia fajësonte Partinë Demokratike

Ditën e nesërme na informuan se do ta kemi takimin e parë me Presidentin e Shqipërisë, Ramiz Alinë, në Pallatin e Presidencës. Gjatë ditës, pas takimeve që patëm me të njohur në Tiranë, atmosfera ishte tejet e tensionuar. Pikërisht në Bulevard dhe menjëherë përballë Presidencës ishin përqëndruar disa tenke, uniformat ushtarake ishin ato që kontrollonin qendrën e qytetit, institucionet. Njerëzit që takonim linin përshtypjen se përjetonin një gëzim për atë që kishte ndodhur dy ditë përpara, por, edhe një shqetësim deri në frikë se gjendja mund të dilte nga kontrolli dhe mund të shpërthente një konflikt përmasash qytetare.

Kishte zëra që përmendnin edhe pritjen e asaj që ndodhi në Rumani, përplasje që duket e nxisnin edhe disa fqinj. U përmend se ekipe gazetarësh dhe televizione nga Beogradi qëndronin për leje në kufi të Shqipërisë me Malin e Zi, nga njëra anë, kurse nga ana tjetër flitej se nga jugu i Shqipërisë ishin mobilizuar mijëra përkrahës të Enver Hoxhës dhe po niseshin ose ishin nisur të marshojnë drejt Tiranës, për ta kthyer përsëri atje ku ishte përmendoren e diktatorit, ta rikthejnë, pra, të rrëzuarin dhe të tërhequrin me litar dhe t’i ndëshkojnë kryesit, armiqët e kësaj vepre, etj, etj. Këto ishin bisedat më të shpeshta që qarkullonin brenda grupeve të shumta të qytetarëve nëpër lokalet e hapura gjatë ditës.

Kështu na kaloi dita e parë në Tiranë me ditë të ftohtë, si klimë dhe si metaforë.

Me këtë disponim, me këtë shqetësim që, për një cast, na bënte të harrojmë gjendjen tonë në Prishtinë, Lidhjen tonë Demokratike, e nisëm vizitën tonë me Presidentin Ramiz Alia. Në sallën e pritjes ishim ne të tre dhe ata të tre: Ramiz Alia, Sofo Lazri dhe Xhelil Gjoni. Meqë me Ramiz Alinë në takim të tillë ballë për ballë nuk kishte qenë asnjëri nga ne, përshtypja jonë e parë ishte se Presidenti ishte tejet nervoz dhe, që në hyrje, për krejt atë që po ndodhte dhe që kishte rrezik të eskalojë, ai e fajësoi Partinë Demokratike, përkatësisht udhëheqësit e saj, duke thënë se nëse nuk heqin dorë nga provokimet, ai është para vendimit që ta shpallë gjendjen e jashtëzakonshme. Përndryshe, sipas tij, nxitjet e Partisë Demokratike qëllimisht po synojnë një konflikt dhe gjakderdhje. Kështu disi u zhvillua biseda jonë e parë me të, e cila u dha plotësisht para kamerave televizive, pamje të cilat, siç do ta merrnim vesh më vonë, po atë ditë i kishte rimarrë dhe i kishte shfaqur Televizioni i Beogradit.

Vizita e parë në shtëpinë e Sali Berishës

Po atë ditë, në mbrëmje, na ftoi për një vizitë në banesën e vet kryetari, përkatësisht ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha.

Na e hapi derën zonja e shtëpisë, emrin e të cilës do ta mësonim pas kësaj, Liria, gruaja e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, në të parë me një qëndrim fisnik, me edukatë dhe me modesti të cilën, gjatë qëndrimit tim më pas, në vitet 1991-‘92, do ta kisha rastin ta takoja edhe herave të tjera. Hymë në një si dhomë dite me kuzhinëbashkë, tejet modeste, me fare pak orendi, me një tavolinë në fund të saj (ose në krye) që shërbente si tryezë ushqimi dhe përballë saj një divan apo minder bërryl, me një tavolinë të vogël të ulët përpara, ku zumë vend ne të tre: Ibrahim Rugova, Bujar Bukoshi dhe unë.

Sa më kujtohet, Sali Berisha kishte thirrur disa anëtarë të Partisë Demokratike, nëse s’kam harruar, besoj që kanë qenë Meksi, Pashko, Selami… Në Tiranë, në të cilën dy ditë më parë kishte ndodhur rrëzimi i trupit të mermertë të Enver Hoxhës, natyrisht, atmosfera ishte e acaruar dhe me tensione që vinin nga shumica dërrmuese që e përkrahnin dhe brohorisnin këtë akt dhe pjesës së nomenklaturës komuniste që ende ishte në pushtet dhe që i rrezistonte dhe me një formë dhune masës së rebeluar.

Edhe bisedat tona gjatë asaj dite nëpër kafetë e Tiranës, në takime dhe biseda me miq dhe të njohur, silleshin rreth ngjarjes më të fundit, tensioneve kërcënuese dhe konfliktit të mundshëm që qëndronte pezull mbi Tiranën.

Pikërisht rreth shqetësimeve të përgjithshme dhe tonave bëhej bisedë edhe në këtë vizitë të parë tonën në banesën e familjes Berisha. Gjatë kohës sa qëndruam këtu, Sali Berisha disa herë zhvilloi biseda telefonike me gazetarë të huaj, të cilët e kërkonin për të marrë informata më të reja dhe për të mësuar për gjendjen e atyre ditëve në Tiranë dhe në Shqipëri.

Pas tri ditësh qëndrimi në Tiranë, pas të cilave bënim rolin e ndërmjetësit, duke u takuar sa me Ramiz Alinë dhe sa me Kryesinë e Partisë Demokratike, duke synuar zbutjen e atmosferës, shmangien e konfliktit, u nisëm drejt Prishtinës, jo me aroplan siç kishim ardhur, por me një kolonë makinash drejt Shkupit.

Deri në kufirin me Maqedoninë, në Qafë Thanë, na përcollën makina zyrtare të shtetit shqiptar, kurse në kufi na prisnin tri vetura që kishin ardhur nga Prishtina.

Me që ende nuk ekzistonte kufiri Maqedoni – Kosovë, diku rreth mesnatës na ndali një patrullë policore serbe në Han të Elezit. Në një “Golf” të bardhë përpara isha unë dhe Bujar Bukoshi me shoferin, në veturën e mesme ishte Ibrahim Rugova dhe pas tij ishte një veturë e tretë me aktivistët e Lidhjes Demokratike. I ndaluan makinat dhe na dhanë urdhër të zbresim të gjithë përjashta, të nxjerrim çdo gjë nga makinat dhe valixhet t’i lëshojmë dhe t’i hapim në mes të rrugës. Shumë nga sendet filloi t’i marrë era, sepse ishte acar dhe stuhi e vërtetë. Policët ishin tejet të egër. Pasi e kryen në detaje bastisjen e hallakatur, na lanë t’i mbledhim sendet dhe të niseshim për Prishtinë.

Natyrisht që nuk ishte ogur i mirë, përkundrazi, kishte kaluar moti mesnata. Makina jonë ishte përpara dhe, sa më kujtohet, Bujar Bukoshi sikur e kishte më të theksuar dilemën nëse duhej të vazhdonim apo të ktheheshim diku, në ndonjë fshat rrotull ose, fundja, edhe në Kaçanik, dhe të prisnim zbardhjen e ditës.

Me këtë parandjenjë vazhduam rrugën dhe pikërisht te kthesa ku sot janë varrezat, nja dy-treqind metra para se të mbërrijmë te udhëkryqi ku kthen rruga për Brezovicë – Sharr – Tetovë, afër Ferizajt, shpërthyen si vetëtima të befta dritat e reflektorëve të një patrulle të madhe policore që kishin zënë pritën. Nga një distancë fare e vogël ne gati se nuk shihnim asgjë që ndodhte, me megafon na urdhëruan të dalim nga makinat me duart lart, të rreshtohemi buzë rrugës në krahun e dhjathtë, me shpinë nga rruga dhe me shikim drejt territ të trashë në hapësirë. Të gjithë sa ishim u gjetëm të radhitur sipas urdhërit të policisë dhe në atë gjendje ktheva kokën djathtas, e kisha disa metra pranë Ibrahim Rugovën dhe, më kujtohet, nën dritën e reflektorëve si ia frynte era emadhe flokët që, në atë moment, më dukeshin tejet të gjata.

Zëri i policit e depërtoi terrin nga pas shpine me urdhërin: “Mos të provojë kush të ikë nëpër fushë se do ta qëllojmë“. Pas kësaj, secilit prej nesh iu afrua nga një polic për ta kontrolluar. Ai i imi ishte tejet i gjatë ose i tillë m’u duk mua, dhe kur filloi të kërkojë me duar nga lart poshtë nëpër trupin tim, vërehej qartë se ai dridhej. I dridheshin duart, të cilat i zbrisnin nga sipër drejt këmbëve të mia. “Do ta ketë nga të ftohtit”, mendova në sekondë, me që edhe unë kisha ethe.

Pasi u krye bastisja na urdhëruan një nga një të hyjmë në vetura. Na vunë në mes të makinave të tyre dhe u nisëm drejt Ferizajit, ku na ndalën dhe u gjendëm, si duket, para eprorëve të tyre, të cilët, çuditërisht, ishin më të qetë dhe na lejuan të dilnim pa i ngritur duart lartë e të ngjashme.

Eprori i tyre, ndër të tjera, na tha, duke na qortuar, se gjoja nuk ishim ndalur pas shenjës “stop” të patrullës policore në Han të Elezit, por kishim vazhduar me shpejtësi të madhe. Prandaj, patrulla e policisë në Han të Elezit, gjithnjë sipas asaj që na thoshte eprori në fjalë, ishte alarmuar dhe kishte thënë se “banda e Ibrahim Rugovës” nuk e kishte respektoi urdhresën tonë për ndalim, por fluturoi me shpejtësi drejt Prishtinës dhe se “me siguri kjo bandë është e armatosur”.

Natyrisht se nuk e kishim aspak të vështirë ta demantojmë këtë alarm të patrullës serbe në Han të Elezit, duke e dëshmuar të kundërtën. Dikur, me një si buzëqeshje ironike, eprori i policisë në Ferizaj, ku ishte një nga qendrat, na dha urdhër të vazhdojmë rrugën drejt Prishtinës.

Tani e kishim të qartë se ç’kishte ndodhur dhe ç’kishte mundur të ndodhte. Ishte, po ashtu, e qartë që nuk kishte funksionuar mirë vendimi i dikujt për të na likuiduar. Ishte kohë kur në Kosovë ishin të shpeshta, gati të përditshme, vrasjet e shqiptarëve sipas kësaj skeme: “nuk iu ndal policisë dhe u qëllua”, pastaj viktimës “i gjendeshin” në makinë edhe armë pa leje dhe krejt çfarë e justifikonte veprimin kriminal të policisë.

Pra, edhe kolona jonë, “banda e Ibrahim Rugovës”, nuk iu bind urdhërit të policisë për t’u ndalur në Han të Elezit, gjë që do të përcillej si raport në Qendrën e Policisë në Ferizaj, ku do të ndalej do të likuidohej. Sipas këtij alarmimi, ne ishim të armatosur, prandaj policët e patrullës që na ndali te udhëkryqi Shkup – Brezovicë, ishin të trembur nga rezistenca jonë e mundshme.

Pikërisht këtë gabim në lidhje mbase e kishte të qartë eprori policor në Ferizaj, i cili me një buzëqeshje të ftohtë dhe cinike, na dha urdhër të vazhdojmë rrugën për Prishtinë. Në orët e mëngjesit u futëm në Prishtinën e mbështjellë në acar dhe në terr…

(Ky fragment është shkëputur nga kujtimet e Ali Aliut, njërit nga themeluesit e LDK-së dhe anëtarit të Kryesisës së parë të LDK-së. Botohet me rastin e 25-vjetorit të themelimit të LDK-së)

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com