Si është e mundur që vrasësit e paguar nga Jugosllavia, vrisnin lirshëm në Gjermani

0
Si është e mundur që vrasësit e paguar nga Jugosllavia, vrisnin lirshëm në Gjermani

Në një gjykatë të Munihut, më 17 tetor duhet të fillojë gjykimi i personave që dyshohet se kanë ndihmuar në organizimin e vrasjeve politike në Gjermane. Gjyqësia gjermane njoftoi se procesi mund të zgjas deri në pranverë të vitit të ardhshëm. Për këtë janë planifikuar 50 seanca.

Në gjyq janë 69-vjeçari Josip Perkovic dhe 72-vjeçari Zdravko Mustac.

“Dy burra pleq, kroatë, ish njerëz të mëdhenj të qarqeve të spiunimit, njerëz që edhe sot kanë miq të fuqishëm”, i përshkruan kështu ata e përditshmja gjermane.

Artikulli thekson se autoritetet gjermane e dinin shumë mirë se çfarë po ndodhte në ish RSFJ. Qeveria gjermane e dinte se po zhvillohet “lufta e nëntokës” midis regjimit jugosllav dhe një pjese të emigrantëve kroatë, të cilët në veprimet e tyre antikomuniste nuk hezitonin përdorimin e dhunës.

“Në njërën anë ishte shteti jugosllav me vrasësit e tij. Në anën tjetër: disidentët kroatë, demokratë dhe fashistë, anarkistë e monarkistë Ata ëndërronin një Kroaci të pavarur. Disa mblidhnin eksplozive dhe armë për kryengritje, ushtronin për luftën partizane në kampe sekrete”, shkruan SZ, transmeton Telegrafi.

Gazeta shkruan se azilantët kroatë “kanë vrarë konsullin jugosllav në Frankfurt ” dhe se në Gjermani “janë trajnuar dhe kanë vrarë”, pasi “aty ndjeheshin të sigurt”.

Sipas vlerësimeve aktuale, në tokën gjermane janë likuiduar 30 kundërshtarë të regjimit të Titos. Çuditërisht, në disa raste hetimet shpejtë janë ndërprerë. Këtë e thonë edhe burimet gjermane. Thuhej se nuk kishte dëshmi, se vrasësit janë larguar dhe se “policët kishin punë më me rëndësi”!

Dyshohet se arsyet pse gjermanët nuk hetuan krimet e UDB-së kishin të bënin me kërkesën e liderit të atëhershëm jugosllav, Josip Broz Tito. Kancelari i atëhershëm gjerman, Willy Brandt, shpesh shoqërohej me të. Ndërsa, Brandt donte të “shkëpuste” Jugosllavinë nga përqafimi sovjetik e ta afrojë me Perëndimin. Kjo ishte pjesë e rëndësishme e “politikës së re lindore” të Brandtit.

Pastaj, derisa në Bon Tito merrte dekorata, ai ka nënshkruar edhe “urdhrat për luftë speciale kundër kundërshtarëve të tij”. Po ashtu, Tito u ka urdhëruar shërbimet sekrete të hartojnë listën e azilantëve.

“Kush kundërshtonte regjimin është dashur të vdiste, pavarësisht nëse ka luftuar kundër Jugosllavisë me armë ose me fjalë”.

SZ shkruan se Durekovic ishte viktimë e “politikës gjermane kundrejt Lindjes”. Sot me cinizëm do të thuhej për këtë vrasje: dëm kolateral, që Tito të mos zemërohet.

“Deri sot nuk dihet se për çfarë është vrarë Durekovic. Dinte shumë për manipulimet në ish-kompaninë e tij (INA)? Për librin ku e kritikonte Titon? Apo pse një kohë ka punuar edhe për BND-në”?

Sipas informatave në dispozicion të autoriteteve gjermane, momentalisht po bëhen hetimet për 13 vrasje ose tentim të vrasjeve të azilantëve kroatë. Hetuesit gjermanë tek tash, dy dekada pas shkatërrimit të ish RSFJ-së, kanë qasje në (ish) dokumentet sekrete. Dhe, më në fund mund të rindërtojnë sekretet e errëta të së kaluarës.

Në rastin e Durekovicit, gjërat sipas aktakuzës ishin të thjeshta. Mustac si ish-shef i UDB-së ka urdhëruar Perkovicin të planifikojë vrasjen e ish menaxherit të INA-s. Perkovic vrasësve ua dha çelësat e shtypshkronjës pranë Munihut ku shkonte Durekovic. Çelësat i ka dhënë pronari i shtypshkronjës, Krunoslav Prates.

Vrasësit nuk janë zbuluar.

“Ata për vrasje kurrë nuk do të duhet të dalin para gjykatës”, përfundon artikulli.

Përndryshe, për këtë gjykim janë akredituar 133 gazetarë, përfshirë 15 kroatë. (INA)

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com