Shqiptarët e Luginës në udhëkryq?!
21:28 | 09 Prill 2019

Shkruan: Atullah Rexhepi

 

Rreth 8 vite më parë, në një artikull pata thënë se shqiptarët e Luginës së Preshevës shihen si lojtarë rezervë në lojën e cila në atë kohë pritej të fillonte midis Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht dialogut midis këtyre dy shteteve. (shih https://telegrafi.com/bisedimet-perballe-realitetit/). Në shikim të parë, duket se një gjë e tillë vetëm se është duke ndodhur kohëve të fundit, ku presidenti i Republikës së Kosovës në disa paraqitje të tij publike ka thënë se Lugina e Preshevës do t’i bashkohet Kosovës pas arritjes së një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë. Padyshim se një pjesë dërmuese e popullit shqiptar të Luginës iu kanë gëzuar këtij zotimi të Hashim Thaçit, duke pasur parasysh diskriminimin dhe padrejtësitë me të cilët ata ballafaqohen çdo ditë nga organet qendrore të Serbisë, shtoja kësaj edhe papjekurinë politike dhe hilet e subjekteve politike të Luginës në menaxhimin e pushteteve lokale.

-Diskriminmi i shqiptarëve të Luginës nga organet qendrore të Serbisë

Lirisht mund të thuhet se shqiptarët që banojnë në rajonin e Luginës së Preshevës, janë ndër njerëzit më të diskriminuar në Evropë, duke pasur parasysh gjendjen e brishtë ekonomike, sociale, politike e të sigurisë. Të gjitha këto nivele të jetës shoqërore lidhen direkt me pushtetin qendror, sepse mos-zhvillimi ekonomik, brishtësia sociale, diskriminimi politik dhe siguria jo-stabile, udhëhiqen nga organizma qeveritarë, të cilët me politikat e tyre diskriminuese, kanë ndikuar në zbrazjen e këtij rajoni të populluar me shumicë shqiptare, si dhe në varfërimin dhe futjen e frikës tek njerëzit të cilët jetojnë në tri komunat që historikisht kanë qenë të banuar me shumicë shqiptare, ndërsa në dekadat e fundit, balanci demografik në komunën e Medvegjës ka shkuar në favor të popullatës serbe. Duhet theksuar se politikat respektivisht strategjitë qëllimkeqe të pushteteve qendrore kundër shqiptarëve të Luginës së Preshevës janë ndjekur dhe realizuar në bashkëpunim me disa politikanë medioker shqiptarë, të cilët me vetëdije të plotë i kanë shërbyer e vazhdojnë t’i shërbejnë agjendave diskriminuese afatmesme dhe afatgjate antishqiptare. Gjatë studimeve dhe hulumtimeve si dhe intrevistave të zhvilluara me shumë qytetarë, shumica janë të mendimit se paaftësia dhe joshja e disa figurave politike, janë ndër shkaqet kryesore të problemeve me të cilat ballafaqohen qytetarët e këtij rajoni. Ata bile thonë se tani të gjitha kompetencat të cilat më parë i kanë pasur këto komuna, më nuk i kanë, sepse me refuzimin e regjistrimit të popullatës, Serbia ka përfituar maksimalisht në marrjen e kompetencave dhe arsyetimi i tyre është se, në atëkohë qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë nuk kanë patur interesimin për të mbështetur shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe sipas tyre, bile politikanët në Shqipëri dhe Kosovë i kanë sugjeruar politikanët e Luginës që për momentin të mos presin shumë nga ta dhe të qëndrojnë konform ligjeve dhe rregulloreve të Serbisë. Këtë gjë e kanë shfrytëzuar më së miri funskionarët shtetërorë të Serbisë, të cilët në dy vitet e fundit kanë tërhequr disa organe qendrore, duke ndikuar direkt në vështirësimin e jetës së qytetarëve shqiptarë.

 

-Hilja e politikës lokale në Luginë të Preshevës

Parimi “përçaj e sundo” si dhe veprimet e disa politikanëve medioker në Luginë, i kanë kushtuar mësë shumti qytetarëve të këtij rajoni. Punësimet familjare, punësimi i njerëzve të pakualifikuar dhe i atyre jo mirë të përgatitur profesionalisht vetëm për vota dhe për zgjatjen e jetës politike të disa subjekteve të këtij rajoni, janë ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në zbrazjen dhe humbjen e vlerës politike dhe ekonomike të këtij rajoni karshi politikave të Serbisë dhe faktorit ndërkombëtar. Më e keqja është se akoma nuk ka ndodhur një vetëdijësim politik për të pranuar gabimet dhe për të ndjekur politika që janë në interes tëtë gjithë qytetarëve dhe të pranohet fakti se punësimet joadekuate, nepotizmi, betejat politike pa shije midis subjekteve politike, si dhe krekosjet e pavenda, nuk ju shërbejnë askujt, përpos antivlerave dhe faktorëve që punojnë kundër interesave vitale të këtij rajoni.

-Si duhet vepruar në këto rrethana?

Aktualisht subjektet politike të Luginës nuk kanë asnjëlloj koordinimi politik për hartimin e një platforme apo strategjie të qartë politike. Ata nuk flasin njëzëri dhe nuk përfaqësojnë si duhet interesat e popullatës së Luginës së Preshevës në rrafshin rajonal dhe ndërkombëtar. Heqja dorë nga inatet politike, zbatimi i parimit të meritokracisë, hartimi i një platforme të qartë politike në përputhje me konsultat e faktorit politik nga Shqipëria dhe Kosova si dhe në përputhje me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, vazhdimi i kontakteve me faktorin ndërkombëtar dhe sqarimi i drejtë dhe profesionalë i problemeve, mos-heqja dorë nga argumentet historike dhe nga vullneti i shprehur në mënyrë plebishitare në Referendumin e 1 dhe 2 Marsit të vitit 1992, do të kontribuonin në parim drejt kanalizimit të interesave politike të shqiptarëve të Luginës dhe do të ndikonin direkt në lehtësimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. Nuk duhet harruar fakti se, nganjëherë edhe lojëtarët rezervë janë faktorë përcaktues të rezultatit të lojës.

 

Kejvina Kthella