Shqipëri – Zvicër, këto janë faktet e mbledhura nga UEFA

0

al-ch

Kombëtarja shqiptare në futboll do të debutojë në Grupin A në Kampionatin Evropian 2016 kundër Zvicrës, në një duel në Lens më 11 qershor që pritet të ballafaqojë dy vëllezërit kosovar Taulant dhe Granit Xhaka.

Kështu nis një publikim i faqes zyrtare të UEFA-s që ka mbledhur faktet më interesante për dy kombëtaret dhe përballjet mes tyre dhe mes futbollistëve me prejardhje shqiptare.

Takimet e kaluara

Shqipëria kurrë nuk ka mposhtur Zvicrën.

Takimet e fundit mes tyre ishin në kualifikimet për Botërorin 2014, kur Shqipëria u mposht 2 me 0 në Lucern dhe 1 me 2 në Tiranë. Xherdan Shaqiri, me rrënjë nga Kosova, shënoi në të dy ndeshjet për Zvicrën, transmeton koha.net.

Të vetmin barazim kundër Zvicrës, Shqipëria e arriti në kualifikimet për Euro 2004, kur Edvin Murati kishte barazuar pas golit të Murat Yakinit. Atë kohë, Shqipëria udhëhiqej nga Giuseppe Dossena.

Dy kombëtaret janë takuar edhe katër herë në përballjet për ekipet e të rinjve, dy në kategorinë U17 dhe dy në U21. Zvicra fitoi tri ndeshjet, një përfundoi baras.

Nga katër ndeshjet e zhvilluara mes klubeve shqiptare dhe zvicerane, ato zvicerane kanë fituar tri ndeshje dhe një ishte barazim dueli i fundit ishte në raundin e dytë kualifikues për Europa Ligë 2011/12, kur Thuni mposhti 2 me 1 Vllazninë.

EURO-faktet: Shqipëria dhe Zvicra

Shqipëria dhe Islanda janë dy ekipet që debutojnë në Euro 2016 për herë të parë në një kampionat të madh.

Në kualifikime Shqipëria pati katër fitore, dy barazime dhe dy humbje, para fitores 3 me 0 ndaj Armenisë që i çoi në këtë kampionat.

Kualifikimi i Zvicrës u bë falë shtatë fitoreve dhe tri humbjeve. Dy nga to ishin nga Anglia. Zvicra fitoi dy ndeshjet e fundit zyrtare me tetë gola të shënuar dhe një të pësuar.

Llojllojshmëria

Mesfushori shqiptar Taulant Xhaka mund të luajë me vëllanë e tij më të vogël Granitin, që përfaqëson Zvicrën. Vëllezërit u lindën në Basel, prindërit e tyre janë kosovarë dhe të dy kanë luajtur në kategoritë për të rinj të Zvicrës. Ky është rasti i parë që dy vëllezër ballafaqohen me ekipe të ndryshme në një Kampionat Evropian. Rast i ngjashëm ndodhi në Botëror kur Jerome Boateng i Gjermanisë luajti kundër Kevin-Prince Boatengut që përfaqësonte Ganën.

Valon Behrami, Admir Mehmedi, Xherdan Shaqiri Pajtim Kasami e Blerim Xhemaili, përpos Granit Xhakës, janë futbollistët tjerë me prejardhje shqiptare e që përfaqësojnë Zvicrën.

Amir Abrashi, Arlind Ajeti, Migjen Basha, Berat Gjimshiti, Shkëlzen Gashi dhe Frederik Veseli kanë lindur në Zvicër, ndërsa bashkëlojtarët Naser Aliji, Lorik Cana, Burim Kukeli e Ermir Lenjani kanë kaluar fëmijërinë në regjionin alpin.

Kapiteni i Kuqezinjve, Lorik Cana, debutoi kundër Zvicrës. Kjo ndodhi më 2 qershor 2003.

Përzgjedhësi i Shqipërisë, Gianni de Biasi ishte trajner i Blerim Xhemailit më 2008/09 kur ishin pjesë e Torinos.

Erjon Bogdani, ndihmëstrajner i De Biasit, dhe mesfushori i Zvicrës, Valon Behrami, kanë luajtur bashkë në Verona më 2005/06.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com