Shqetësues zvogëlimi i numrit të nxënësve në shkollat shqipe në Luginë
14:17 | 25 Qershor 2017

Mos zhvillimi ekonomik, mungesa e teksteve mësimore dhe mos njohja e diplomave të Universiteteve të Kosovës, po ndikon drejtpërdrejt në largimin e popullatës shqiptare nga Lugina e Preshevës.

Pasojat më të mëdha po i përjetojnë shkollat, në të cilat sivjet janë regjistruar 100 nxënës më pak se në vitin e kaluar. Përfaqësues të arsimit në kuadër të  Këshillit Kombëtarë shqiptarë, kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me zvogëlimin e numrit të nxënësve  nëpër shkollat me mësim në gjuhën shqipe në  Preshevë, Bujanoc e Medvegjës, transmeton rtk. Gjatë regjistrimit  për vitin shkollorë 2017/2018, në shkollat fillore janë regjistruar 100 nxënës më pak se në vitin e kaluar. Zejni Fejzullahu, kryetar i Komisionit për Arsim, ka ftuar përfaqësuesit politik shqiptarë që të unifikohen për tejkalimin e problemeve që me decenie po i përjetojnë shqiptarët e kësaj zone, në mënyrë që siç është shprehur të ruhet substanca kombëtare në këto treva. Fejzullahu, ka tërhequr vërejtjen se me zvogëlimin e numrit të nxënësve do të shuhen disa paralele, ndërkohë që do të rritet numri i tepricave teknologjike e me këtë edhe numri i të papunëve. Një intervenim i shpejt i faktorëve relevant për përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe  asaj politike është më se i domosdoshëm në mënyrë që shqiptarët të qëndrojnë në këto troje thonë në Këshillin Nacional.
Françeska Jaçe