“Shpëtimtarët dhe privatizimi i mediave në Luginë të Preshevës”

0

Zejna

Shkruan: Zejnulla Dauti

Shumë keq, për të mos thënë tragjedi, kur njerëzit që punojnë apo kanë punuar në media (qofshin ato private apo publike), në cilësinë e gazetarit, teknikut e pse jo edhe pronarit, të mos e kuptojnë mirë fjalën “terr informativ”. E kur këtë nuk e kuptojnë (apo nuk dëshirojnë ta kuptojnë) as “intelektualët e vetëshpallur”, që për interesa të tyre janë në gjendje të thonë gjithçka, atëherë kjo nuk ka nevojë as të komentohet. Sa duket, për këta “të mençur”, termi “terr informativ” nënkupton kur një popull, grup njerëzish apo një regjion të mos ketë televizion, radio apo çfarëdo mediumi tjetër.

I tërë ky pluhur apo e tërë kjo rrëmujë filloi sidomos pas aprovimit të Ligjit mbi privatizimin e mediave në Serbi, me anë të cilit përfshihen edhe dy RTV-të e vetme publike, me program në gjuhën shqipe në Serbi, RTV Presheva dhe RTV Bujanoci. Dhe, menjëherë pas kësaj, filluan të dalin në sipërfaqe “të pakënaqurit” dhe “gazdallarët”, njëra palë duke u munduar që të fshehë tërë ato që i ka bërë deri më tani për të mbyllur këto RTV, e sidomos në periudhën e licencimit të tyre, në vitin 2007, dhe pala tjetër të cilët po mundohen që të dalin si shpëtimtarë të “informimit të drejtë” në gjuhën shqipe në Luginë të Preshevës, duke na bërë me dije, të gjithë neve punëtorëve dhe qytetarëve të tjerë, se edhe nëse mbyllen RTV Presheva dhe RTV Bujanoci, do të ketë kush të përkujdeset për informimin e tyre.

Deri sa të parët po mundohen që me mish e shpirt të pastrojnë vehten e tyre nga “mëkatet e bëra” dhe duke u munduar që edhe neve të punësuarëve në këto mediume por edhe popullatën në përgjithësi, të na bindin se janë “penduar” për atë që kanë bërë dhe ndoshta , në fshehtësi, po e bëjnë edhe sot e kësaj dite, këta të dytët po mundohen që në të gjitha takimet, qofshin ato me qytetarë e sidomos kur po kanë mundësi me qeveritarët e Serbisë, të i bindin ata dhe sigurisht edhe neve se me privatizimin e dy RTV-ve publike, të vetme me program në gjuhën shqipe në Serbi, do të “demokratizohet” informimi në Luginë, duke pretenduar se vetëm ata mund ta çlirojnë informimin nga politizimi. Por, në këtë drejtim, një gjë sa duket e kanë harruar, se ata (apo disa nga ta) as që e dijnë se çka në të vërtetë është informimi, pasi një gjë të tillë e kanë dëshmuar me punën e tyre të deritanishme në medium.

Përderisa nuk prodhon asnjë sekond informim në mediumin të cilin e ke pronë apo e udhëheq ate, si mundesh që pas mbylljes së mediumeve tjera të jesh “informatori më i mirë” i popullatës ?

Para se të përmbyll këtë shkrim do tu sugjeroja që të tillët “intelektualët e vetëshpallur” dhe “të mençurit” të hulumtojnë pak më shumë literaturë lidhur me gazetarinë dhe të kuptojnë drejt termin “terr informativ”. Ngase, derisa një RTV apo një TV në programin e vet nuk ka asnjë minut informim, pos ndonjë emisioni apo cikël emisionesh, të sponsorizuar përmes projekteve të ndryshme qeveritare, dhe në programin e tij ka edhe filma (nga programet satelitore), muzikë, reklama e ndonjëherë edhe ndeshje futbolli, ndërsa nuk ka me vite të tëra (apo herë ka e herë s’ka) edicione lajmesh, si mund të mbrojë dhe kultivojë informimin në gjuhën shqipe në Luginë të Preshevës. Nëse për këta mos editimi i programeve të lajmeve, i përditshëm, por transmetimi i filmave, reklamave, muzikës, nuk është “terr informativ”, atëherë le të hjekin nga termi “terr informativ” fjalën “informativ” dhe le të thonë lirshëm, ngase do të kenë të drejtë kur të thonë, pas privatizimit apo mbylljes së RTV Presheva dhe RTV Bujanoci, nuk do të ketë “terr radioteleviziv” sepse vërtetë popullata do të ketë ku të ndëgjojë dhe sheh filma, muzikë, reklama, futboll, por jo edhe lajme apo informacione nga lokali dhe më gjerë.

Dhe, krejt në fund, përveç deklaratave të shumta që po i dëgjojë nëpër takime të shumta, postimeve të ndryshme nëpër profilet e tyre sociale, komentimet e pavend dhe të pavlera, ajo që më shtyri më së shumti të bëjë këtë tekst janë disa shkrime të botuara kohëve të fundit, nëpër rrjetet sociale dhe portalet informative, të atyre që deri më dje kanë punuar apo drejtuar këto mediume publike (pra RTV Presheva apo RTV Bujanoci), kanë marrë rroga të majme në këto institucione, dhe jo vetëm rroga, e sot dalin dhe flasin çfarë një njeri i moralshëm, i drejtë, demokrat,… asnjëherë nuk do të thoshte diçka të tillë, sepse një proverbë popullore thotë “qeni aty ku leh nuk hanë”! (Zejnulla Dauti, RTV Presheva)

Opinioni nuk përmbanë qëndrimin e redaksis, por vetëm qëndrimin personal të autorit.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com