Shërbimet sekrete paralajmërojnë valë sulmesh në mbarë Evropën

0

Shërbimet sekrete paralajmërojnë valë sulmesh në mbarë Evropën

Sulmi i përgjakshëm mbi redaksinë e revistës franceze satirike Charlie Hebdo dhe sulmi në tregun hebre në Paris, sipas informacioneve të ekspertëve të shërbimeve sekrete amerikane janë vetëm fillimi i një vale terrorizmi në mbarë Evropën.

Sipas gazetës gjermane “Bild am Sonntag” – e cila u referohet ekspertëve të shërbimeve sekrete amerikane – specialistët e përgjimit të shërbimit sekret nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë (NSA) kanë regjistruar biseda telefonike të udhëheqësve të xhihadistëve të Shteti Islamik (IS). Në bisedat e përgjuara të krerëve të IS-it është folur për një valë të gjerë terrori në mbarë Evropën.

Parisi në bisedat e përgjuara cilësohet fillimi i një serie sulmesh, që do të përfshijnë edhe kryeqytetet e tjera të Evropës. Ndër to përmendet edhe Roma. Megjithatë, planet konkrete nuk janë të njohura.

Sipas mediave italiane, në një video të re kërcënimi të ekstremistëve të IS-it, Roma përmendet si një nga objektivat e sulmeve.

Kryeministri italian, Matteo Renzi, si përgjigje ndaj dhunës islamike në Francë kërkoi krijimin e një shërbimi sekret të BE-së.

“Ne kemi një monedhë të përbashkët dhe kemi nevojë për një agjenci të përbashkët të shërbimit sekret. Evropa duhet të jetë e bashkuar kundër terrorizmit”, tha Renzi.

Shërbimet sekrete perëndimore janë të shqetësuar për faktin se atentatorë e Parisit janë ndoshta pjesë e një rrjeti terrorist. Hetuesit amerikanë kanë dëshmi se vëllezërit Sherif dhe Said Kouachi kanë pasur kontakte në Holandë. Edhe ekspertët gjermanë të sigurisë besojnë se autorët e krimit ishin të ndikuar nga jashtë dhe kanë qenë të lidhur me islamikët tjerë militantë.

Shërbimi sekret britanik MI5 njoftohet se ka paralajmëruar autoritetet gjermane të sigurisë për sulme të mundshme ndaj aeroplanëve, me eksplozivë që nuk mund të zbulohen nga detektorët në aeroporte.

Kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh për një shkëmbim të zgjeruar të të dhënave për pasagjerët e aeroplanëve në të gjithë botën dhe kërkoi në të njëjtën kohë edhe një bashkëpunim më të mirë ndërkombëtar të shërbimeve sekrete. Ajo theksoi se edhe shkëmbimi i informacioneve brenda Evropës duhet të thellohet. Merkel tha po ashtu edhe se duhet të përmirësohen edhe pajisjet e shërbimeve sekrete në Gjermani.

Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maizière (CDU), u bëri thirrje qytetarëve në Gjermani që të jenë vigjilentë.

“Në Gjermani po ndodh një proces radikalizimi gjatë të cilit njerëzit po ndryshojnë – si pamjen e jashtme edhe mendimet brenda vetes apo zakonet e të ushqyerit”, tha ai për gazetën Bild am Sonntag.

De Maizière këtë të diele në Paris do të mbajë bisedime për luftën kundër terrorizmit me kolegët evropianë dhe me ministrin e Brendshëm amerikan – Eric Holder. /DW/

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com