Shefqet Krasniqi u kthehet ligjëratave në Xhaminë e Madhe
21:00 | 12 Nentor 2018

Këtë e ka konfirmuar për kallxo.com vetë Shefqet Krasniqi.

E mërkura do të jetë dita e parë e ligjërimit të mulla Shefqetit në Xhaminë  “Mehmet Fatih” të kryeqytetit.

“Po do t’i rikthehem ligjërimit, pas 4 vite e gjysmë”, tha Krasniqi.

Ai shpjegoi se ka bërë kërkesë në Këshillin e Bashkësisë Islame në Prishtinë për t’u rikthyer dhe se Këshilli i BIK e ka miratuar kërkesën e tij.

“Këshilli i Bashkësisë Islame në Prishtinë e ka aprovuar kërkesën time. Ndërsa këtë e ka miratuar edhe myftiu Naim Tërrnava”, theksoi Shefqet Krasniqi.

Shefqet Krasniqi tha se në Xhaminë e Madhe do të ligjërojë një herë në javë, siç ka ligjëruar më herët.

Katër vjet e gjysmë më parë, imamit Shefqet Krasniqi i ishte ndaluar ligjërimi në Xhaminë e Madhe, pasi që ai do të duhej të përballej në Gjykatë me akuzat e ngritura ndaj tij.

I pyetur se a ka më ndonjë rast të hapur në gjykatë, ai tha se ka përfunduar proceset me gjyqësorin.

Kristin Prengaj