Shaqiri në formë, Kovacic mbetet ‘pa bukë’

0

Me ardhjen e Xherdan Shaqirit në Inter, ylli kroat, Mateo Kovacic nuk po zërë vend në formacionin e Roberto Mancinit.

Blerja e Xherdan Shaqirit u prit me bujë të madhe nga tifozët e Interit, por këta të fundit kurrë nuk e kishin menduar se djaloshi i lindur në Gjilan do t’i zinte vendin në formacionin e skuadrës, futbollistit që gjatë këtyre dy viteve është konsideruar nga të gjithë si e ardhmja e madhe e klubit zikaltër.

Bëhet fjalë për Mateo Kovacic, i cili me mbërritjen e Shaqirit po gjen gjithnjë e më pak hapësira në formacionin e Roberto Mancinit, raporton Supersport.

Trajneri italian në sfidat e fundit ka aplikuar skemën 4-3-1-2, me kosovarin në rolin e mesfushorit dhe me një Marcelo Brozovic që ka hyrë miri në mekanizmat e lojës së Interit duke blinduar vendin në treshen e mesfushës së bashku me Gary Medel dhe Fredy Guarin, kështu që për 20-vjecarin kroat nuk ka më vend në formacionin e Interit.

Kovacic fillimisht u ul në stol nga Mancini në çerekfinalen e Kupës së Italisë përballë Napolit, ndërsa më pas ai ka luajtur vetëm 6 dhe 22 minuta në dy ndeshjet e kampionatit ndaj Palermos dhe Atalantës.

Por, edhe atëherë kur pritej që ish lojtari i Dinamos së Zagrebit të zbriste në fushë si titullar, pikërisht në sfidën e parë të raundit të 1/16-ave të Europa League ndaj Celticut, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Edhe pa një lojtar si Brozovic në listën UEFA, Mancini nuk besoi sërish te talenti kroat dhe në këtë mënyrë Kovacic do ta ketë shumë të vështirë të fitojë sërish besimin e trajnerit.

Mancini e konsideron Kovacicin, si një trekuartist pasi sipas Mancinit kroati nuk është ende gati për të luajtur në rolin e mesfushorit qendror madje për më tepër në një intervistë të pak ditëve më parë trajneri i Interit u shpreh se Kovacic luan ende si një fëmijë, fjalë këto që nuk i kanë pëlqyer aspak futbollistit të përfaqësues kroate.

Me një Shaqiri gjithnjë e më shumë në rritje, Kovacic do ta ketë shumë të vështirë të fitojë vendin e titullarit në formacionin e Interit, prandaj ai duhet të japë 200 përqindëshin nëse dëshiron të jetë sërish pjesë kryesore e projektit që ka Roberto Mancini për Interit e të ardhmes.

Tifozëve Neroazzurrë mund të mos u pëlqejë aspak, por aktualisht Mateo Kovacic nuk është më pjesë e planeve të Mancinit.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com