Serwer: Rama i tha ato gjëra që shumë liderë të huaj ia thonë Serbisë privatisht

0

Eksperti i Ballkanit, Daniel Serwer tha për Zërin e Amerikës, se vizita e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Serbi është diçka e natyrshme dhe pozitive dhe se dy vendet prej kohësh nuk kanë pasur probleme madhore dypalëshe mes njëra-tjetrës.

SerwerDuke iu referuar konferencës së sotme të shtypit dhe shkëmbimit për Kosovën, Serwer tha se është e qartë që kryeministrat Rama dhe Vuçiq kanë qëndrime të kundërta për Kosovën dhe kjo është e ditur pavarësisht nga fakti nëse e thonë apo jo në një konferencë për shtyp.

“Ajo që tha Edi Rama në Kosovë, është diçka që shumë udhëheqës të huaj i kanë thënë Serbisë privatisht. E veçanta në këtë rast është që u tha publikisht. Kryeministrit të Serbisë i duhej të përgjigjej ashtu siç u përgjigj, sepse Serbia nuk e njeh sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, ose që të jemi më të saktë nuk njeh sovranitetin e Kosovës, se në fakt e ka njohur që nga marrëveshja e prillit 2013 integritetin territorial të Kosovës”, ka thënë Serwer.

Serwer tha se nuk e konsideron provokim atë që tha Rama, pasi është një qëndrim që e kanë shprehur edhe Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.

Ai thotë se është e rëndësishme për udhëheqësit e zgjedhur në rrugë demokratike të deklarojnë qëndrimet e tyre hapur në publik.

Eksperti Serwer shtoi se me deklaratat e tyre, dy kryeministrat po i drejtoheshin dy audiencave të tyre të brendshme dhe komunitetit ndërkombëtar.

Por ai tha se nuk sheh asnjë arsye që vendet që mund të kenë mospajtime, të mos bashkëpunojnë për çështje të tjera. Gjithsesi sipas tij, do të kishte qenë më mirë që dy kryeministrat të përqendroheshin në çështje më të rëndësishme si për shembull nëse do të kompletohet rruga që shkon tani nga Durrësi në Prishtinë, deri në Nish, si edhe çështje të tjera të përfitimit dypalësh.

Për sa i takon Serbisë, Serwer përsëriti qëndrimin e tij se do të ishte në të mirë të Serbisë dhe të rrugës së saj evropiane, ta njohë Kosovën sa më parë, megjithatë ai shton se “është në të drejtën e saj si vend që të mbajë qëndrimin e vet”.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com