Serbia ankohet në KS të OKB-së për Ramën (Dokument)

0

Serbia i ka dërguar një letër KS të OKB’së lidhur me deklaratat e Edi Ramës për “Bashkimin Kombëtar”. Politiko.net e sjell ekskluzivisht kopjen e saj.

Rama

 

Përfaqësuesi i Serbisë në Kombet e Bashkuara, Milan Milanovic, i ka dërguar një letër Presidentes së Këshillit të Sigurimit të OKB’së, Dina Kawar, më 8 prill, lidhur me deklaratat e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për “Bashkimin Kombëtar”.

Në këtë letër, deklaratat e Ramës cilësohen si provokim dhe thuhet se ato dhe paraqesin një kërcënim për paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Shkelqësi, jam i obliguar të tërheq vëmendjen tuaj në deklaratën e bërë nga z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, dhënë në një intervistë të përbashkët me z. Hashim Thaçi, në televizionin e Prishtinës, të hënën, me 6 prill 2015”.

“Në intervistë, z. Rama ka deklaruar se ‘Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen në mënyrë klasike’ nëse Bashkimi Europian nuk e hap rrugën për integrimin e Kosovës dhe liberalizimin e vizave”.

“Deklarata është provokative dhe jashtëzakonisht problematike për marrëdhëniet në rajon, në veçanti për ato mes Serbisë dhe Shqipërisë, dhe paraqet një kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin rajon”.

“Në injorim të plotë ndaj Rezolutës 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit dhe e barabartë me një thirrje për ri-vizatimin e kufijve ndërkombëtarë, deklarata shkon në kundërshtim me shpirtin e bashkëpunimit, mirëkuptimit të përbashkët, fqinjësisë së mirë dhe të ardhmes së përbashkët për shtetet e rajonit dhe përpjekjet e tyre për t’ju bashkuar Bashkimit Europian”.

“Duke tërhequr vëmendjen tuaj në këtë deklaratë, do të doja të theksoj se Republika e Serbisë në mënyrë konsistente ka mbështetur vlerat dhe parimet e sipërpërmendura, të mishëruara në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe të dhëna edhe në standardet europiane, dhe pret që ato të respektohen plotësisht edhe nga vendet tjera të rajonit gjithashtu”.

“Vendi im pret që bashkësia ndërkombëtare të dënojë retorikën nacionaliste që pengon procesin e pajtimit dhe progresit në rajon”, thuhet në letrën që Serbia zyrtare e ka dërguar në adresën e Këshillit të Sigurimit të OKB’së.

Pas pranimit të kësaj letre, Këshilli i Sigurimit të OKB’së do të vendosë nëse kjo çështje do të debatohet ose jo.

Reagimet nga Serbia kanë ardhur pas një interviste të përbashkët për Zona B të Klan Kosovës, të Kryeministrit Edi Rama dhe Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, ku ata kanë folur për relacionet e shqiptarëve në rajon, të ardhmen e tyre dhe Europën.

Aty, Rama ka deklaruar se puna e përbashkët ndërmjet dy Qeverive, asaj në Tiranë dhe në Prishtinë, është rruga e një bashkimi kombëtar me mjetet e Shekullit XXI, në funksion të një Bashkimi Europian.

“Bashkimi i shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Kosovës, pasi këta janë në fakt shqiptarët që jetojnë në dy shtete shqiptare, dhe nuk flasim për të tjerët që janë në shtetet tjera, është i pashmangshëm dhe i padiskutueshëm. Pyetja është si do të ndodhë? A do të ndodhë në funksion të Bashkimit Europian, si proces i natyrshëm dhe krejt i mirëkuptuar nga të gjithë? Apo, do të ndodhë si reagim ndaj një verbërie a një përtacie europiane, për të kuptuar që vetë Europa duhet të ndryshojë qasjen ndaj vetvetes, duke u kthyer nga një fuqi që gjithnjë e më shumë është e varur nga taktika e ditës në një fuqi strategjike?”

“Një Europë strategjike do të kërkonte që Ballkani të ishte pjesë e saj dhe që normalisht pastaj, të gjitha etnitë në Ballkan të kishin lehtësinë e të qenit së bashku, pa pasur nevojë që të merreshin me kufijtë. Ndërkohë që një Europë verbërisht taktike në vijim do të bënte që të triumfonte me patjetër dhe pa asnjë mundësi të dytë, linja e një bashkimi, përsëri në funksion të një Europe të ardhshme, por në radhë të parë në funksion të një të sotmeje ku shqiptarët nuk do ta pranonin për një kohë të gjatë këtë historinë ‘tërhiq e mos e këput’ të Europës dhe të kësaj qasjes ‘tërhiq e mos e këput’ me njëri-tjetrin”, ka thënë Rama./Politiko.net/

dokumenti

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com