Serbi-Shqipëri, Blatter fajëson UEFA-në

0

 

Presidenti i FIFA-s, Joseph Blatter fajësoi në mënyrë indirekte UEFA-n për incidentet që ndodhën në ndeshjen Serbi-Shqipëri.

Numri një i futbollit botëror, Joseph Blatter, insiston se UEFA duhet të kishte evituar shortin e dy përfaqësueseve në të njëjtin grup, ndërsa preku temën e incidenteve që ndodhën gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, gjatë një interviste të gjatë dhe shumëplanëshe për televizionin rus “Russia Today”.

Në studion e gazetares, Sophie Shevarnadze, gjatë një bashkëbisedimi ku tema kryesore ishte Botërori “Rusi 2018” që do të luhet në Rusi, shefi i FIFA-s u pyet dhe mbi çështjen e bojkotit të propozuar nga disa vende për Kupën e Botës që do të zhvillohet pas 4 viteve, si përgjigje ndaj politikës së jashtë të Rusisë.

Blatter u shpreh se politika nuk duhet të abuzojë me futbollin por mund ta ndihmojë duke sjellë si shembull faktin se FIFA po përpiqet që Izraeli dhe Palestina të luajnë ndeshje ndërmjet tyre dhe në këtë pikë politika mund të ndihmojë, duke sjellë dhe reagimin e gazetares ruse që preku temën e ndeshjes Serbi-Shqipëri me pyetjen.

Ju sapo përmendët Izraelin dhe Palestinën. Është interesante pasi shpesh, kur dy vende rivale garojnë në sport, nuk sjellin rezultatin më të mirë. Ne pamë Serbinë dhe Shqipërinë, dhe unë nuk po iu kërkoj ju të bëni një deklaratë mbi të, por thjesht po ju them: Gjëra të tilla ndodhin. Kështu që nuk janë vetëm politikanët, janë gjithashtu dhe atletët, kur takohen përfshihen në zënka. Si mund të ndodhë kjo?

Blatter: Jo, sportistët nuk e bëjnë këtë, por ata janë provokuar. Ka gjithmonë një provokim. Përndryshe ju e dini, në futboll skuadrat përfaqësuese janë ambasadorët më të mirë të vendeve, ndaj duhet të jesh shumë i kujdesshëm kur vjen puna te kompeticionet dhe duhet të përpiqesh që të mos kesh ndeshje ku që në fillim ti e di se mund të ketë një konflikt.

Si Azerbajxhani apo Armenia për shembull, ato nuk kanë luajtur kurrë bashkë.

Blatter: Po, në kompeticionet e FIFA-s ne nuk i vendosim Armeninë dhe Azerbajxhanin në të njëjtin grup për të evituar problemet.

Pra ju nuk e shihnit se çfarë po vinte me Shqipërinë dhe Serbinë?

Blatter: Kjo nuk është një çështje e FIFA-s, por unë mendoj se tani të gjithë janë vënë në alarm për të evituar situata të tilla në të ardhmen, pasi ne nuk duhet të krijojmë situata, ku politikanët mund të abuzojnë platformën e futbollit. Ne thjesht duhet të bëjmë të kundërtën, pasi futbolli është aty për të lidhur njerëzit.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com