Serbët i drejtohen deputetes së VV’së: Na kërko falje publike

0

Anëtarja e Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim, Jasmina Zhivkoviq ka reaguar ndaj kryetares së Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, e cila dje ka refuzuar një shkresë me shkronja të çirilicës të sjellë në komisionin që ajo drejton.

auto_Albulena_Haxhiu1422525590

Këtë shkresë të cilën e ka dërguar ministri i Kthimit dhe Komuniteteve në Qeverinë e Kosovës, Dalibor Jevtiq, ka pasur të bëjë me emrin e kandidatit për anëtar të këshillit për ndihmë juridike falas.

Për këtë çështje, Zhivkoviq, gjatë mbledhjes së Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim, kërkoi nga bashkanëtarët e saj të komisionit të reagojnë ndaj deputetes Haxhiu , ndaj kryesisë së Kuvendit dhe zyrës së kryeministrit. Kjo pasi që, sipas saj, mos pranimi i një gjuhe zyrtare në vetë Kuvendin e Kosovës është absolutisht i papranueshëm.

“Dje në komisionin për Legjislacion, kryetarja e komisionit Albulena Haxhiu, ka refuzuar të pranoj dokumentin zyrtar nga Ministria për Komunitete dhe Kthim, për shkak se ishte shkruar në çirilicë, me arsyetimin se një gjë e tillë është kundërkushtetuese. Përdorimi i gjuhëve zyrtare në Kosovë është gjuha shqipe dhe serbe së bashku me alfabetin që përdoren. Mendoj se si komision është dashur të shkruajmë një komunikatë dhe të reagojmë në këtë mënyrë ndaj kryetares së komisionit, kryesisë së Kuvendit dhe zyrës së kryeministrit, sepse transmetimi i Kushtetutës sipas dëshirës veç e veç dhe mos pranimi i një gjuhe zyrtare në vetë Kuvendin e Kosovës është absolutisht i papranueshëm dhe kërkon sqarim shtesë si dhe përgjegjësi”, tha Zhivkoviq.

Ndërsa, anëtarët tjerë të këtij komisioni për këtë çështje kanë kërkuar interpretim të zyrës ligjore, e deri atëherë bën thirrje që të mos iu kundërvihen asnjë komisioni apo deputeti tjetër.

Ndaj refuzimit të kësaj shkrese, ka reaguar përmes një komunikate për media edhe vetë ministri, Jevtic, i cili ka kërkuar nga Haxhiu, të kërkoi falje ndaj popullit serb të Kosovës. Me këtë rast, ai ka ftuar të gjitha institucionet e Kosovës për të zbatuar ligjet që garantojnë të drejtat e të gjithë popujve në Kosovë.

“E nderuara zonja Haxhiu, Ju nëse nuk jeni të njohur me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve në Kosovë, apo nuk keni treguar interesim për ta njohur atë , të paktën një gjë keni mundur ta dini kur është fjala për gjuhën serbe dhe alfabetin e saj. Në qoftë se keni pyetur se a guxoj të shfrytëzoj atë si gjuhën time amtare, ose keni pasur dilema nëse kjo është në përputhje me Ligjin, thjesht shikoni çdo dokument personal të Kosovës dhe shikoni se në çfarë alfabeti të gjuhës serbe është i shkruar. Aty keni pasur mundësinë që pa vonesë dhe pa kërkesë shtesë të “interpretimit të Ligjit” të merrni një përgjigje. Pra, përgjigja gjendet në letërnjoftimin Tuaj”, ka shtuar Jevtiq në këtë komunikatë.

E për këtë gjë, Albulena Haxhiu për ka thënë përmes telefonit për KosovaPress se arsyeja pse ata nuk e kanë proceduar një shkresë të tillë është se logoja me të cilën është dorëzuar ajo ka qenë e njëjtë me logot standarde të cilat i posedon Kuvendi. Për këtë, ajo ka propozuar që kjo gjë të dërgohet për shqyrtim në Administratën e Kuvendit, pasi që nuk janë të sigurt nëse duhet të pranohet apo jo, ajo shkresë si e tillë.

E sa i përket kërkim faljes së kërkuar nga Jevtiq, Haxhiu tha se nuk do të kërkojë asnjëherë falje, pasi që, sipas saj, ai nuk ka qenë qëndrimi i saj personal por i Komisionit të cilin e përfaqëson ajo.

“Sa i përket deklaratës unë nuk e kam parë një deklaratë të tillë, mua fare nuk më bëjnë përshtypje se çfarë thotë një përfaqësues i listës Serbe, duke e ditur se është pikërisht lista serbe që dirigjo het nga Beogradi dhe punon sipas direktivave të saj, për ta luftuar shtetin e Kosovës. Në asnjë mënyrë nuk do të kërkoj falje, sepse secili qëndrim që është paraqitur parapara komisioni për Legjislacion ka qenë qëndrim parimorë dhe në këtë drejtim është vet lista serbe që duhet të tërhiqet nga këto institucione dhe të mos jetë më pjesë e saj, pasi që vetëm po i bëjnë dëm vendit tonë, dhe nuk po i shërbejnë interesave të qytetarëve, aq më pak serbëve të Kosovës”, ka thënë Haxhiu.

E njohësi i çështjeve Kushtetuese, Mazllum Baraliu, tha për KosovaPress se me Kushtetutën e Kosovës edhe gjuha serbe dhe shqipe janë gjuhë zyrtare në Kosovë. Mirëpo, sipas tij, është mangësi e ligjdhënësit që nuk e ka cekur nëse lejohet përdorimi i alfabetit cirilikë apo jo.

Sipas tij, alfabeti cirilikë, i cili është njëri nga dy variantet e gjuhës serbe, nuk duhej të lejohej të përdoret, për shkak se, siç e sqaron ai , alfabeti latin që është varianti tjetër i gjuhës serbe është më i përdorshëm në mes të qytetarëve jo vetëm në Kosovë por edhe në Serbi e në të gjitha vendet tjera të ish-Jugosllavisë.

“Nuk është mënyrë shprehimore, nuk thuhet se ndalohet përdorimi i cirilikes, por nuk thuhet as që përdoret, dhe ajo që është më e lehtë dhe më e pranueshme do të duhej të ishte variant në ligj. Nuk është përmendur nga ligjdhënësi dhe kjo është një mangësi, por ka mundësi dhe do të duhej, do të ishte më e mirë, më e dobishme dhe më e lehtë për komunikim dhe qarkullim varianti i latinishtes dhe jo i çirilicës… jo vetëm në Kosovë, por madje edhe në Bosnje dhe në vendet tjera të ish-Jugosllavisë ku jetojnë qytetarët me përkatësi etnie serbe, kur shkruhet në këtë gjuhë komunikimi bëhet më tepër me variantin e “latinicës”, pra edhe në Serbi”, tha Baraliu.

Dje gjatë mbledhjes së Komisionit për Legjislacion, ministri i Kthimit dhe Komuniteteve në Qeverinë e Kosovës, Dalibor Jevtiq ka dërguar një shkresë për emrin e kandidatit për anëtar të këshillit për ndihmë juridike falas në çirilicë, duke bërë kështu që procedurimi i saj të shtyhet deri të interpretohet edhe nga zyra ligjore e Kuvendit të Kosovës, nëse lejohet një shkresë e tillë apo jo.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com