SEANCË E JASHTËZAKONSHME PËR MIGRIMIN E QYTETARËVE

0

Partitë opozitare i kanë mbledhur deri më tani 33 nënshkrime për seancë të jashtëzakonshme, për të debatuar për migrimin ilegal të qytetarëve të Kosovës.

20150106160741671620

Por, për një seancë të tillë nevojiten 40 nënshkrime. Shefja e Grupi Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi pret që kërkesën për seancë të jashtëzakonshme ta nënshkruajnë edhe deputetë nga koalicioni qeverisës.

Opozita vazhdon të insistojë që Kuvendi mos të vazhdojë pushimin deri më 20 janar, në një kohë kur çdo ditë raportohet për ikje të qytetarëve nga Kosova. Madje partitë opozitare kanë mbledhur nënshkrime për mbajtjen e një seancë të jashtëzakonshme, në të cilën temë do të jetë migrimi ilegal. Shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi thotë se janë afër arritjes së nënshkrimeve të nevojshme për thirrjen e kësaj seance.

“I kemi 33 nënshkrime të opozite, do të vazhdojmë t’i kërkojmë edhe shtatë nënshkrime shtesë të cilat do të na mundësonin që të thërrasim një seancë të jashtëzakonshme e cila kërkon 40 nënshkrime. Tema do të jetë migrimi ilegal. Edhe njëherë konfirmoj që është e panevojshme dhe e pakuptimtë që të kemi një pushim të gjatë kur kemi parasysh rrethanat në të cilat është Kosova”, tha deputetja e AAK Donika Kadaj.

Për arritjen e dyzetë nënshkrimeve, shpresat e opozitës janë tek deputetët e partive të koalicionit qeverisës. Donika Kadaj-Bujupi pret nënshkrime edhe nga ta.

“Po presim që të vijnë nga deputetët e koalicionit’, tha tutje Kadaj.

Mbajtja e seancës së jashtëzakonshme para 20 janarit në këtë situatë duket e pamundur. Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës i cili e monitoron punën e Kuvendit, thotë se çështja e pushimit të Kuvendit është e përcaktuar me Kushtetutë, por duke pasur parasysh që Kuvendi ka pasur pushim për gjashtë muaj, do duhej të kishte një mirëkuptim nga ana e Kuvendit.

“Në kuptimin logjik e politik duket si një veprim i pamatur dhe i paarsyeshëm. Përkundër se ata kanë të drejtë të thirren në aspektin legal të dispozitave kushtetuese, por po them se ajo Kushtetutë është shkruar nga politikanët dhe kur duhet të jetë një çështje në interes të njerëzve në Kosovë atëherë duhet të kenë mirëkuptim dhe t’u japin zgjidhje politike edhe situatave kur eventualisht mund të bien ndesh me ndonjë dispozitë kushtetuese”, tha Selmanaj.

Ndryshe, AAK-ja ditë më parë ka kërkuar nga Kuvendi që mos të shkojë në pushim dimëror, kur kihet parasysh fakti se Kuvendi ka pushuar gjashtë muaj për shkak të ngërçit politik.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com