Sanxhak: 70 vjetori i krimeve komuniste

0

Më 4 shtator 2014 shënohet 70 vjetori i krimeve të tmerrshme të kryera nga autoritetet komuniste ndaj popullatës myslimane të Pazarit të Ri. Edhe pse në mesin e viktimave ka pasur shumë shqiptarë, ky përvjetor po mbahet pa pjesëmarrjen e tyre.
hadzet-strijelajnjePërgatitjet për shënimin e përvjetorit të këtij gjenocidi filluan me pastrimin e Vakëfit “MEARIF “ në Haxhet, lagje e Pazarit të Ri, ku do të mbahet manifestimi. Përndryshe, Bashkësia Islame e Sanxhakut, në bashkëpunim me Lëvizjen e Bashkësisë Kulturore Boshnjake të Sanxhakut, të enjten (4 shtator) do të organizoj Marshimin në Haxhet. Qytetarë nga viset e ndryshme të Sanxhakut, për fat të keq jo edhe nga Kosova, do të mblidhen në sheshin e Gazi Isa Beut në orën 13:30, nga do të nisen në Marshimin drejt Vakufit “Mearif” në Haxhet, ku do të këndohet Jasin dhe lutje për të gjithë dëshmorët (shehitët), transmetojnë mediat e shkruara dhe ato elektronike në Sanxhak.
Nga Lëvizja e Bashkësisë Kulturore Boshnjake e Sanxhakut me këtë rast foli Presidenti i BKB Admir Muratoviq. Ai ndër të tjera tha: “Ky vend në të cilin gjendemi ka qenë skena e ekzekutimeve masive, për fat të keq në këtë vend është varreza masive e boshnjakëve të vrarë. Opinionit të gjerë ia përkujtojmë se nga nëntori i vitit 1944, deri në fillim të vitit 1946, me veprim të shpejtë, pa të drejtë mbrojtjeje juridike, u ekzekutuan mbi 2000 boshnjakë, kryesisht elita boshnjake e kësaj periudhe”.
haxhetiMuratoviq gjithashtu vuri në dukje se: “Ai i cili nuk ka ndërgjegje, nuk ka të drejtë për një të ardhme të ndritur. Në këtë kontekst ne sot, falë aktivistëve të BKB, kemi dalë këtu për ta pastruar këtë hapësirë dhe ta përgatisim për shënimin e 4 Shtatorit- Ditën e Dëshmorëve, kur do të mbahet Marshimi tradicional në Haxhet.
Profesori Muratoviq falënderoi të rinjtë të cilët kanë kontribuar në fillimin e kremtimit të kësaj ngjarje historike, shumë të veçantë, siç tha ai për Boshnjakët, duke mos përmendur se shumica e të ekzekutuarve në këtë vend ishin shqiptarë në krye me Aqif Blytën.
Në hapësirën e Vakufit “ Mearif” ishte edhe Asmir efendi Crnovrshanin i cili ndihmoi që aksioni për pastrimin e kësaj hapësire të zhvillohet në mënyrë sa më të mirë. Me këtë rast ai bëri thirrje dhe tha: “Jemi këtu që ti përkujtojmë qytetarët tanë më të respektuar të Novi Pazarit”. Vlen të përmendet se Crnovrshanin nuk bëri ndonjë dallim sa i përket përkatësisë nacionale të viktimave.
Edhe aktivistët e rinj, të cilët morën pjesë në këtë aksion, thanë se me dëshirën më të madhe iu përgjigjen thirrjeve të tilla, dhe në këtë mënyrë, të jemi shembull për bashkëmoshatarët tanë.
Në mesin e aksionistëve kishte edhe nga radhët e profesorëve të Universitetit Ndërkombëtar, siç ishte profesori Mustafa Fetiq.
“Do të doja që në të ardhmen vetëdija e qytetarëve, boshnjakëve dhe e myslimanëve të jetë në at nivel që mos të presin që të ftohen, por kur do që të dëgjojnë apo vërejnë se ka një aksion i tillë, si rregullimi i hapësirës së Vakufit, apo xhamive, objekteve të tjera që iu shërbejnë popullit, të marrin pjesë pa pritur thirrje nga askush.”
Bashkësia Kulturore Boshnjake dhe Bashkësia Islame e Sanxhakut fton qytetarët që me 4 shtator 2014 të vijnë në Vakufin “Mearif ” në Haxhet që së bashku të këndohen lutje për viktimat e komunizmit.
Dita e Marshimit në Haxhet është përcaktuar para katër viteve. Popullata e Sanxhakut, nën udhëheqjen e prijësve fetar, më 4 shtator të viti 2010 u përplasen me forcat special policore serbe, me qëllim të mbrojtjes së pasurisë së Vakufit nga grabitja dhe në mbrojtje të hapësirës ku të parët e tyre janë ekzekutuar dhe varrosur në një varr masiv.
Të përkujtojmë se pas depërtimit të forcave partizane-jugosllave në këto treva, prijësi kryesor i kësaj treve, Aqif Efendi Blyta, me prejardhje nga Gjakova, iu dorëzua organeve të pushtetit partizan në Gjakovë, të cilët pastaj e dërguan në Pazarin e Ri dhe pas torturave mizore, bashkë me bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë, Ahmet Dacën, dhe tre djemtë e tij dhe shumë përkrahës dhe të afërm të tij, u ekzekutuan në Haxhet (pra në lagjen e sotme të Pazarit të Ri) me 21 janar 1945 nga OZN-a jugosllave.
Të shpresojmë se në të ardhmen, në shënimin e kësaj date shumë të rëndësishme për të kaluarën tonë historike, të marrin pjesë, nëse jo nga strukturat qeveritare të Shqipërisë dhe Kosovës, të paktën pasardhësit, gjegjësisht, familjarët e këtyre viktimave.

Shkruar nga: Ismet Azizi

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com