RRITEN RASTET E TË KAFSHUARVE NGA GJARPËRI

0

Përveç pickimit nga rriqrat, këtë vit njerëzit, veçmas banorët e vendeve rurale, po rrezikohen edhe nga gjarpri.

20150620095749413620

Vetëm për një muaj, në Klinikën Infektive në Prishtinë, nga kafshimi i gjarprit kanë kërkuar ndihmë 13 persona. E të gjithë këta pacientë, pavarësisht gjendjes së rëndë që kishin, asnjë nga ta nuk ka përfunduar me fatalitet apo me ndonjë komplikim më të thellë. Tashmë të gjithë janë lëshuar në shtëpi, në gjendje mjaftë të mirë shëndetësore.
Në Infektive, mjekët thonë se janë të pajisur me terapinë e nevojshme për mjekimin e të prekurve nga gjarpri. Ata bëjnë thirrje tek qytetarët që të kenë kujdes në ambientet e hapura në vendet rurale.
Drejtori i Klinikës Infektive, Hamdi Ramadani tregon se pacientët e kafshuar nga gjarpri kanë qenë nga vende të ndryshme të Kosovës. Ai thotë se pacientët janë pranuar në klinikë në një gjendje mjaftë të rëndë, por me t’iu dhënë serumi kundër helmit, ata kanë dalë jashtë rrezikut për jetë.
“Kemi pasë një numër të konsiderueshëm te të sëmurëve, të prekur ose të kafshuar dhe që kanë manifestuar simptome dhe shenja klinike klasike të sëmundjes së kafshimit nga gjarpëri. Deri më sot kemi diku rreth 13 raste, 13 të sëmurë të cilët janë trajtuar, bile rasti i fundit është një fëmijë diku rreth 5 vjeç, të cilin e kam lëshuar sot në shtëpi, në një gjendje të mirë shëndetësore”, thotë ai.
Ai thotë se deri tani nuk ka pasë raste me dëmtime të rënda, siç janë organet e veshkës dhe mëlçia.
Edhe pse nuk e kanë pritur, Ramadani thotë se këtë vit mund të ketë numër më të madh te të kafshuarve nga gjarpri. Megjithatë, ai tregon se nuk ka asgjë alarmuese, dhe se klinika që ai drejton është mjaftë e përgatitur me terapinë e nevojshme.
“Sipas kësaj qysh po shkon, duket se sivjet do të kemi më shumë të sëmurë nga regjionet e Kosovës, viseve të ndryshme, nga kjo kafshë mjaftë e rrezikshme dhe helmuese, karshi viteve të kaluara. Në fund të muaji maj dhe në qershor, ne i kemi 13 raste, që pritet që në dit ët, muajin në vazhdim ky numër të rritet. Mirëpo ne posedojmë terapinë specifike, pra serumin përkatës, dhe terapinë shtesë”, thotë ai.
Kafshimi nga gjarpri mund të kalojë në sëmundje që njihet si mjaftë serioze. Sipas studimeve botërore, rreth 2 për qind e të sëmurëve mund të përfundojnë me fatalitet.
Për mjekimin e të prekurve nga kafshimi i gjarprit ekziston serumi kundër helmit (anti-viberum). Sa më herët që ndërhyhet, rezultati është më i mirë.
Rastet më të rënda për trajtim janë ato kur kafshon në dorë apo këmbë të zbathur, duke manifestuar kështu simptomalogji serioze. Një kafshim i gjarprit helmues, ka rreth 20 miligramë helm (toksinë)./Kosovapress/

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com