Regjimi i vizave, ofendues

0

Anëtarja tjetër e Komisionit për Integrime Evropiane, Time Kadrijaj, ka thënë për “Zërin” se është ofendues për qytetarët e Kosovës fakti që ata duhet të presin me muaj për të marrë një vizë.

auto_beflag1432458448

“Me të vërtetë është fyese për qytetarët e Kosovës fakti që nuk mund të lëvizin lirshëm, jemi vendi më i izoluar në Evropë, përderisa jemi populli më proevropian… Përveç kësaj qytetarët e Kosovës dëmtohen shumë edhe ekonomikisht, pasi që dihet se qytetarët për të marrë një vizë duhet të paguhen edhe disa tarifa, e të cilat nuk iu kthehen as në rast se iu refuzohet viza. Është shqetësues fakti që qytetarët tanë ende duhet të presin në radhë e të plotësojnë formularë të shumtë për të marrë një vizë”, ka potencuar Kadrijaj.

Deputetja e AAK-së më tej ka thënë se Komisionet parlamentare janë duke i trajtuar me procedurë të përshpejtuar ligjet që kanë të bëjnë me këtë proces, ndërsa ka kërkuar nga Qeveria që të punojë më seriozisht për plotësimin e kritereve teknike.

“Pakoja e ligjeve që lidhet me procesin e liberalizimit të vizave është dashur të sillet shumë më herët në Kuvend, dikur kah fundi i marsit më sa largu, ndërsa ne si komisione tani e kemi marrë një pako të zgjeruar të këtyre ligjeve. Jemi duke i trajtuar me procedurë të përshpejtuar. Kjo po bëhet me qëllim që vonesat nga ana e Qeverisë të mos bëhen barrë për qytetarët e Kosovës që edhe më tutje të mbesin të izoluar. Prandaj, Qeveria e Kosovës duhet të jetë më e ndërgjegjshme dhe të punojë më seriozisht për përmbushjen e kritereve për heqjen vizave”, ka përfunduar Kadrijaj.

Bajrami: Ky proces ka zgjatur shumë

Edhe shefja e Grupit Parlamentar të “Nismës për Kosovën”, Valdete Bajrami, e ka vlerësuar si të padrejtë për qytetarët e vendit faktin që ata nuk mund të udhëtojnë pa viza.

Ajo më tej ka kujtuar faktin që nga Kosova për dallim nga vendet tjera janë kërkuar kritere tjera shtesë.

“Por, duke e pasur parasysh se Kosova është i vetmi vend në rajon pa mundësi të lirë të lëvizjes, unë e shoh këtë proces se është politik, po e them këtë pasi që deri tash është dashur ta kemi lëvizjen e lirë, por arsyet të cilat na kanë penguar në këtë rrugëtim ju dhe qytetarët i keni të njohura, mosluftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këtij procesi do t’i vijë koha që do të realizohet dhe këtë do ta sjellë koha e jo dikasteri përgjegjës, por po e theksoj pra, do ta sjellë koha sepse është zgjatur shumë ky proces”, ka vlerësuar Bajrami.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com