Ratko Mlladiq dënohet me burg të përjetshëm
14:51 | 22 Nentor 2017

Udhëheqësi ushtarak i forcave serbe gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, Ratko Mlladiq, i njohur si “Kasapi i Bosnjës”, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Hagës. Gjykata ka vërtetuar se ai ka pasur rol të rëndësishëm në “Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale” në Bosnje. Aktakuza ndaj tij kishte gjithsej 11 pika dhe përfshinte krimet kundër njerëzimit, vrasjet, përdhunimet, persekutimet dhe torturat. Ai u shpall fajtor për të gjitha pikat e aktakuzës, përveç për pikën 1, gjenocidin. Gjatë leximit të vendimit, Mlladiq kërkoi pauzë për shkak të problemeve me shtypjen e lartë të gjakut. Pas kthimit në sallë, mbrojtja e tij i kërkoi Gjykatësit Ori ta përshpejtonte leximin e vendimit ose ta shtynte seancën për një ditë tjetër. Kur Gjykatësi Ori refuzoi kërkesën e avokatit mbrojtës, Mlladiq filloi të bërtiste, duke sharë dhe fyer Gjykatën. Për këtë arsye, ai u largua nga salla dhe leximi i vendimit vazhdoi pa praninë e tij. “Jam i pafajshëm. Me mua mund të bëjnë çfarëdo që të duan, por shpirtin s’mund të ma marrin”, ka deklaruar ai. Në korrik të vitit 1995, Mlladiq e kishte udhëhequr rrethimin e Srebrenicës, kurse kishte marrë pjesë edhe në sulmet terrorizuese ndaj qytetit të Sarajevës dhe burgosjet e ushtarëve të UNPROFOR-it. Pas 16 vjet të fshehjes në Bosnje dhe Serbi, ai u arrestua më 26 maj të vitit 2011, në Vojvodinë, kurse procesi gjyqësor ndaj tij filloi më 16 maj të vitit 2012.
Aurela Hoxha