“Raportimi për cilësinë e ajrit nuk ishte real, ndotja alarmante”

0

Gjatë viteve 2016 dhe 2017, parametrat e rrezikshëm për shëndetin e njeriut siç janë grimcat e pluhurit PM10 dhe PM2.5 , në Kosovë nuk janë raportuar për muaj të tërë, e sidomos gjatë muajve të dimrit kur këta parametra arrijnë vlera maksimale. Pavarësisht monitorimit dhe raportimit të mangët, në ato raste kur është raportuar, janë regjistruar tejkalime alarmante të parametrit PM10 që kanë arritur deri në 400% tejkalim. Kështu ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës në një auditim që ka bërë për “Mekanizmat Institucional për rregullimin ligjor, monitorimin dhe raportimin e cilësisë së ajrit”.

Auditori Gjeneral konsideron që, grimcat e pluhurit janë shumë të rrezikshme për shëndetin e njeriut pasi që janë grimca me diametër shumë të vogël dhe si të tilla mund të udhëtojnë më thellë në mushkëritë e njeriut dhe të shkaktojnë efekte të dëmshme për shëndet. Efektet e mundshme që mund të shkaktohen janë rritja e numrit të të sëmurëve me astmë bronkiale, bronkitet kronike, sëmundjet kronike të mushkërive tek moshat e shtyra, rritja e numrit të sëmundjeve kardiovaskulare dhe respiratore, kanceri, shkurtimi i jetës si dhe rritja e shkallës së mortalitetit.

Raporti i auditimit të performancës, “Mekanizmat institucional për rregullimin ligjor, monitorimin dhe raportimin e cilësisë së ajrit” i bërë nga Auditori, ka gjetur se sistemi i tillë i monitorimit dhe raportimit, që menaxhohet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe mekanizmat e saj, nuk u ofron qytetarëve të Kosovës një pasqyrë reale të gjendjes së cilësisë së ajrit, e sidomos jo në kohë reale.

“Ky sistem i monitorimit dhe raportimit përbën rrezikun që të jetë jo funksional e pa të dhëna sidomos në ato raste kur ndotja e ajrit në vend është shumë e rëndë dhe qytetarët të mos jenë në dijeni në kohën e duhur për të marrë masat e nevojshme për të evituar ekspozimin ndaj ndotjes së ajrit”, konsideron Auditori.

Sipas Auditorit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor po ashtu nuk ka kompletuar gjithë infrastrukturën e nevojshme ligjore dhe fizike për menaxhimin e gjendjes së cilësisë së ajrit si dhe nuk e ka azhurnuar gjithë infrastrukturën ekzistuese ligjore sipas gjendjes aktuale të cilësisë së ajrit.

Besnik Osmani, Auditori i Përgjithshëm, lidhur me këtë raport është shprehur se “Ndotja e ajrit në Kosovë është shqetësuese për shëndetin e qytetarëve, e akoma më shqetësues është fakti se qytetarët nuk janë të informuar me kohë dhe si duhet për këtë problematikë”.

Auditori konsideron që, procesin e monitorimit dhe raportimit të të dhënave e ka vështirësuar akoma më shumë gjendja jo funksionale, zhvendosja e shpeshtë, siguria dhe dëmtimi i stacioneve që bëjnë monitorimin dhe raportimin e të dhënave për cilësi të ajrit.

“Ngecje janë evidentuar edhe në nivel lokal që kanë të bëjnë me mos miratimin e planeve lokale për mjedis, mos raportimin e implementimit të këtyre planeve si dhe mos përtëritjen e planeve në momentin kur ato nuk janë të vlefshme”.

Zyra Kombëtare e Auditimit, ka dhënë rekomandimet e veta, të cilat kanë për qëllim të sigurojnë se autoritetet përgjegjëse, respektivisht Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Agjencioni për mbrojtjen e mjedisit, Instituti Hidrometeorologjik si dhe Komunat, të intensifikojnë përpjekjet e tyre për krijimin e një kornize të plotë ligjore dhe fizike si dhe mekanizmave të qëndrueshëm e efikas të monitorimit dhe raportimit. Përmirësimi i ngecjeve të identifikuara, do të ndihmoj në identifikimin e masave konkrete për tu ndërmarrë për të përmirësuar gjendjen e cilësisë së ajrit.

Për ta parë Raportin kliko KËTU

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
Gjuha / Jезик / Language »