PVD fton në protestë kundër ndërrimit të këshillave drejtuese dhe drejtorëve në shkolla

0

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të degës së PVD –së për komunë të Preshevës u shqyrtuan problemet e rënda në arsim, e posaçërisht u diskutua për masat e dhunshme që po i përgadit Kuvendi Komunal i Preshevës ndaj shkollës fillore “Profesor Ibrahim Kelmendi“ dhe shkollës fillore “Migjeni” për seancën e të hënës, më 08.06.2015.

ShkollaFillore-01

U konstatua se me procedura antiligjore, me presione, me kushtëzime dhe shantazhe të para deri më tani vetëm në kohën e diferencimeve politike, udhëheqja aktuale e pushtetit lokal po mundohet dhunshëm t’i ndërrojë këshillat drejtuese dhe drejtorët në këto shkolla. Është shumë indikativ agresiviteti dhe arroganca e udhëheqjes së pushtetit lokal për t’i ndërruar dhunshëm drejtorët e shkollave në kushte kur me vite të tëra Kuvendi i Preshevës nuk e ka shqyrtuar asnjë nga problemet shumë të ndieshme të shkollave të kësaj komune.

Nuk kemi të bëjmë vetëm me problemin madhorë të gjitha shkollave shqipe në Luginë të Preshevës, të mungesës drastike të teksteve mësimore, apo me problemin akut të mungesës së mjeteve mësimore, por kemi të bëjmë edhe me probleme ekzistenciale që paraqiten në shkollën fillore “Profesor Ibrahim Kelmendi” e cila për shkak të arrogancës dhe injorancës së udhëheqjes të pushtetit aktual në pjesën më të madhe të tri viteve të fundit kishte të bllokuar xhirollogarinë, andaj jo rrallë arsimtarët dhe drejtoria janë të detyruar të blejnë vetë mjetet elementare për mësim dhe mirëmbajtjen e higjienës në shkollë.

Në situatë të këtillë shumë të rëndë Kuvendi Komunal i Preshevës për motive shumë të ulëta individuale dhe grupore, në formë joligjore po i konteston përfaqësuesit legjitim të zgjedhur nga këshillat e arsimtarëve dhe këshillat e prindërve në shkollën fillore “Profesor Ibrahim Kelmendi” dhe shkollën fillore “Migjeni”. Në mungesë totale të durimit për ta pritur përfundimin e procedurave ligjore në shkallë të dytë në Ministrinë e arsimit ky kuvend në seancën e së hënës i ka rradhitë në rend të ditës emërimin e këshillave drejtues të dhunshëm për këto dy shkolla me kandidatë që ata dojnë t’i imponojnë në mënyrë arbitrare, pa procedura zgjedhore të parapara me ligj.

Andaj edhe PVD në këtë situatë të imponuar vendosi që t’i ftojë të gjithë arsimtarët dhe prindërit dhe të gjithë qytetarët e kësaj komune që të marrin pjesë në tubimin protestues para Kuvendit Komunal të Preshevës të hënën në ora 12:00. Pjesmarrja masovike në këtë tubim protestues është në funksion jo vetëm të mbrojtjes së shkollës fillore “Profesor Ibrahim Kelmendi” dhe shkollës fillore “Migjeni”, por do të jetë kontribut shumë i rëndësishëm në mbrojtjen e shkollës shqipe në Luginë të Preshevës.

Në këtë tubim protestues do të fillojë të nënshkruhet peticioni për zgjidhjen e problemeve të rënda arsimore në Luginë të Preshevës, thuhet në kumtesën e PVD-së, me kryetar Riza Halimin.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com