PVD: Asnjëherë nuk kemi pasur “grup të unitetit” në Luginë!

0

Në dy vjetorin e largimit të dhunshëm të lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB – së u intensifikuan debatet lidhur me këtë çështje të ndieshme, e mbi të gjitha të dhimbshme, e cila në formën më adekuate e pasqyron gjendjen e rëndë të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Në këto raste, edhe për skaj disa tentimeve për qasje më serioze, mjerisht edhe më tutje, sikur edhe për çështje tjera të rëndësishme jetësore, po dominojnë trajtimet periferike, folklorike, e madje edhe kalkuluese.
DSCN4396Është e domosdoshme të potencohet se edhe pas dy viteve po vazhdojnë tentimet për relativizimin e përgjegjësisë së kryetarit të komunës për çështjen e lapidarit duhe ia bartur fajin për këtë dështim të ashtuquajturit grup të unitetit. Së pari duhet të theksohet se përveç në retorikën folklorike dhe demagogjike të kryetarit të PDSH – së dhe të eksponentëve të tij, asnjëherë deri më tani nuk kemi pasur “grup të unitetit”. Për përgaditjen e seancave të Kuvendit të këshilltarëve Shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për aprovimin e Platformës politike të vitit 2006 dhe të disa deklaratave poltike është tubuar kohë pas kohe kryesia e këtij Kuvendi. Gjithashtu edhe për bisedat e pasuksesshme me qeverinë serbe gjatë vitit 2013 është angazhuar delegacioni i përfaqësuesve Shqiptarë. Andaj, është shumë e qartë se Shqiptarët në Luginë të Preshevës kurrë nuk kanë pasur grup të unitetit e posaçërisht jo për çështjen e lapidarit. Tanimë është krejtësisht e njohur se lapidarin e vendosi dhe e promovoi kryetari i komunës së Preshevës pa udhëhequr paraprakisht procedurat ligjore të cilat i përcaktojnë kompetenca të plota pushtetit lokal për vendosje të monumenteve. Mirëpo, me tentime të paskrupullta, në fakt vetëm po bllokohen kërkesat për hapjen e procedurave ligjore për vendosjen e monumentit për dëshmorët e UÇPMB – së. Në kontekst të krijimit të mjegullës politike për këtë çështje gjithashtu po paraqiten manipulime lidhur me takimin e përfaqësuesve të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës me ish kryeministrin Hashim Thaçi në tentativat për ta zgjidhur këtë problem shumë të ndieshëm. Besoj se nuk ka asnjë enigmë lidhur me këtë takim, posaçërisht kur dihet se në një konsultim gjithëpërfshirës, ku merrnim pjesë pos përfaqësuesve të pushtetit lokal, përfaqësuesëve të subjekteve politike, përfaqësuesve të OVL të UÇPMB – së edhe një numër i prindërve të dëshmorëve si dhe përfaqësuesi i OSBE – së, u prezantua edhe sugjerimi i kryeministrit të atëhershëm të Kosovës për domosdoshmërinë e arritjes së kompromisit, që nënkuptonte zhvendosjen e lapidarit në lokacion të ri. Mirëpo, është e domosdoshme të potencohet se edhe në këtë konsultim sikur edhe në bisedat paraprake pas takimit të Prishtinës kryetari i komunës nuk kishte treguar gadishmëri për të qenë efikas për ta realizuar sugjerimin në fjalë, edhepse e kishte pranuar pa asnjë kontestim. Në këtë drejtim duhet të theksoj se në të njejtën kohë qeveria serbe nuk kishte treguar në asnjë moment interesim për kompromis dhe nuk kishte treguar gadishmëri për të pranuar ndonjë lokacion tjetër publik për vendosjen e lapidarit. Mirëpo për këtë fakt të vrazhdë ishte dashur të kishte menduar me kohë kryetari i komunës së Preshevës. Madje nuk duhej të ishte shumë i mençur për të parashikuar veprimet e qeverisë serbe, posaçërisht kur ishin të njohura ekspeditat ndëshkuese të xhandarmërisë serbe ndaj popullatës shqiptare me rastin e burgosjeve të ish ushtarëve të UÇPMB – së të përcjellura me procese të montuara gjyqësore. Jemi dëshmitarë të ushtrimit permanent të diskriminimit shtetërorë ndaj Shqiptarëve dhe është krejtësisht e qartë se deri më tani asnjë qeveri serbe nuk dëshmoi se ka vullnet politik për t’i pranuar Shqiptarët si qytetarë të barabartë, andaj edhe nuk ka gadishmëri për ta rrespektuar luftën e Shqiptarëve edhe të UÇPMB – së për liri, barazi dhe dinjitet njerëzorë dhe kombëtarë. Kjo gjendje shumë e vështirë në të cilën aktualisht gjenden Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk duhet kurrsesi të rezultojë me ndërprerjen apo me bastardhimin e luftës politike të filluar para 25 viteve, kur u vendosën themelet e angazhimit të pavarur politik të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Përkundrazi kjo gjendje katastrofale në të cilën aktualisht gjendemi patjetër kërkon angazhim edhe më të madh dhe më efikas për zgjidhjen e problemeve ekzistenciale, e mbi të gjitha për avansimin e statusit politik, juridik, social e ekonomik të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Në vazhdën e angazhimeve tona për realizimin e të drejtave legjitime të garantuara me konventa dhe praktika ndërkombëtare është e qartë se në institucionet ku përfaqësuesit e Shqiptarëve paraqesin shumicën, ata kanë obligim moral dhe politik t’i mbrojnë interesat legjitime të Shqiptarëve. Andaj do të ishte krejtësisht normale që në mënyrë legale në pushtetin lokal të Preshevës të udhëhiqen procedurat ligjore, duke e përfshi edhe debatin publik, për vendosjen e monumentit adekuat për dëshmorët e UÇPMB – së sikur edhe për të gjitha personalitetet dhe ngjarjet e rëndësishme nga e kaluara jonë. Njëkohësisht, është e domosdoshme që në pushtetin lokal të Bujanocit të udhëhiqen procedurat për largimin e memorialit të policisë speciale mbi Lluçan, i cili u ndërtua pa i rrespektuar procedurat ligjore. Natyrisht nuk do të jetë aspak e lehtë të realizohen këto kërkesa legjitime, madje do të nevojitet angazhim i përkushtuar në kuadër të procedurave që mund të jenë edhe të komplikuara, por jam i bindur se rezultatet nuk do të mungojnë, thuhet në komunikatën e PVD-së, me kryetar Riza Halimin.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com