PSG bën mrekullinë
09:58 | 11 Mars 2015

Paris Saint-Germaini e ka bërë të pamundurën duke u kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve në dëm të Chelseat, pas rezultatit prej 2-2 në ndeshjen kthyese të të tetës së finales që u zhvillua në Stamford Bridge.

psg-b-euml-n-mrekullin-euml-video_hd Përballja e parë e zhvilluar në Parc de Princes përfundoi me rezultat 1-1 dhe pas ndeshjes kthyese, kampioni francez vazhdon tutje me rezultat të përgjithshëm prej 3-3, por falë një goli më shumë në terren mysafir. Ekipi vendas priste gabimet e kundërshtarit dhe sa herë e merrte topin, prodhonte rrezik. Momenti më i rëndësishëm i fraksionit të parë ishte përjashtimi i Zlatan Ibrahimovic me karton të kuq. Suedezi dhe Oscar u përplasën për top, porse ndërhyrja e Ibras ishte paksa e ashpër, gjithsesi për karton, por ndoshta gjyqtari e gaboi ngjyrën (?!). Në gjysmën e dytë nuk kuptohej se cila skuadër kishte më pak lojtarë në fushë, pasi parisienët luanin më mirë se kundërshtari i tyre. Një rast fantastik e pati Edinson Cavani, i cili e kaloi portierin, porse goditja e tij u përplas në shtyllë dhe topi doli jashtë. Një moment rrëmuje në zonë e shfrytëzuan lojtarët vendas të cilët kaluan në epërsi me anë të Gary Cahill (81’). Mirëpo, reagimi i ekipit francez ishte shumë i shpejtë. Lavezzi harkoi dhe David Luiz i shënoi me kokë ish skuadrës së tij (86’). Në pjesën e parë të vazhdimeve, Thiago Silva bëri një gafë duke e prekur pa nevojë topin me dorë dhe Eden Hazard realizoi nga penaltia (96’). Mirëpo, ishte kapiteni i parisienëve ai që e përmirësoi gabimin e tij dhe për më shumë e dërgoi skuadrën në çerekfinale. Motta harkoi nga këndi dhe braziliani realizoi për mrekulli me kokë (114’). /Telegrafi/
Françeska Jaçe