Pse po ndodh anulimi i njohjeve të shtetit të Kosovës
16:07 | 23 Qershor 2018

Një betejë e ashpër diplomatike po zhvillohet ndërmjet Serbisë, e cila po lobon për pengimin dhe anulimin e njohjeve të shtetit të Kosovës dhe diplomacisë së Kosovës, e cila synon jo vetëm shtimin e numrit të njohjeve, por edhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Rasti më i freskët ishte me Liberinë, për të cilën, nga Beogradi zyrtar u plasuan informata se ka anuluar njohjen e Kosovës dhe më pas demantimi i këtij informacioni jo vetëm nga Prishtina zyrtare, por edhe nga vetë Qeveria e Liberisë.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës thotë se Prishtina vazhdon të ketë marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha shtetet, të cila deri me tash e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, thotë për Radion Evropa e Lirë se Liberia ishte një nga vendet e para që njohu sovranitetin e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë, dhe siç shprehet ai, të dyja shtetet mbeten të përkushtuara ndaj komunikimit dhe marrëdhënieve diplomatike.

Zyberaj thekson se veprimet e Serbisë për kinse tërheqjen e njohjeve të Kosovës, nuk janë asgjë tjerë veçse një propagandë për konsum të brendshëm në Serbi.

“Serbia në fakt, bën falsifikime në këtë drejtim, kryesisht për të manipuluar opinionin e vet publik. Siç e dini, atje edhe mediat janë të kontrolluara, por fatkeqësisht nganjëherë zënë vend edhe tek opinioni publik i yni. Por, ne, si institucione, jemi të vendosura që mos të biem pre e provokimeve të kësaj natyre, jo vetëm me shtetin e Liberisë, por me secilin shtetet që e ka njohur, por edhe me ato që nuk e kanë njohur ende Republikën e Kosovës, kemi kontakte permanente”, sqaron Zyberaj.

Për me tepër, Zyberaj thotë se me shtetin e Liberisë, Kosova ka marrëdhënie jashtëzakonisht të mira dhe pas pak kohe pritet që të akreditohet ambasadori i Kosovës në atë shtet.

Të mërkurën, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se ka pranuar një notë nga homologu liberian, Gbehzohngar Milton Findley, me të cilën, siç është shprehur, është njoftuar se Liberia e ka anuluar njohjen e Kosovës.

Lajmi është përgënjeshtruar në të njëjtën ditë nga ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli.

Këshilltari i ministrit të Jashtëm, Zyberaj thotë se Ministria e Punëve të Jashtme është e fokusuar me punë në shtimin e numrit të njohjeve të reja dhe konsolidimin e marrëdhënieve me shtete që kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Fokusi ynë është lidhja e marrëdhënieve diplomatike. Në Afrikë kemi akredituar ambasadorin jorezident në shumë shtete deri më tash dhe ky proces po rrjedh sipas planifikimeve. Sa i përket pyetjes suaj, Serbia ka filluar një fushatë agresive me qëllim të ‘tërheqjes’ së njohjeve të Kosovës, edhe pse ky koncept fare nuk ekziston”.

“Ka qenë dhe vazhdon të jetë një propagandë e shtetit serb me qëllim të largimit të fokusit të shtetit të Kosovës, që ka prioritet. Realisht, ato nuk kanë ndodhur asnjëherë. Siç mund të marr shembull, rastin e Guinea Bisaut, për të cilin shtet është lansuar si lajm nga ministri i Jashtëm (i Serbisë), Daçiq, që e ka tërhequr njohjen e Kosovës. U lansua me pompozitet dhe u bë zhurmë në këtë drejtim, kurse Kosova akreditoi ambasadorin e vet, zotin Ramadan Gashi si ambasador në Guinea Bisau. Dhe, rasti tjetër ishte se gjoja Gana e ka tërhequr njohjen, kurse Republika e Ganës akreditoi ambasadorin e saj në Prishtinë”, shton Zyberaj.

Politologët dhe njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se institucionet e Kosovë duhet të punojnë më shumë në afirmimin e Kosovës, përmirësimin e imazhit dhe prurjen e njohjeve të reja.

Ramush Tahri, politolog, thotë se Serbia është duke bërë një propagandë të ashpër kundër Kosovës në të gjitha shtetet që e kanë njohur dhe që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Loja që po bëhet mes Serbisë dhe Kosovës, në ketë rast, për ta zvogëluar numrin e njohjeve apo tërheqjen e njohjeve, po shfrytëzohet politikisht dhe mediatikisht për forca të caktuara politike. Ndërsa, sa i takon Kosovës, nuk ka ndonjë pasojë, sepse Kosova me ato shtete që e kanë njohur, ka marrëdhënie ndërkombëtare dhe nuk është një çështje që tërheqja e një njohjeje nga një shtet i caktuar bëhet për shkak të armiqësive, ose për shkak të moskuptimit ose raporteve jo të mira mes Kosovës dhe atij shteti”.

“Thjesht, është një propagandë e fuqishme e shtetit serb, e cila ndikon dhe duke shfrytëzuar edhe dialogun në Bruksel si dialog statusor dhe jo si dialog teknik dhe duke argumentuar se derisa të mos zgjidhet çështja në dialog, shtetet së paku duhet ta pezullojnë njohjen e Kosovës”, vlerëson Tahiri.

Kosova ende nuk e ka siguruar ulësen që i takon në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, si dhe nuk e ka fituar mbështetjen unike të Bashkimit Evropian, ngase pesë shtete anëtare të BE-së, nuk e njohin atë si shtet.

Tahiri thotë se Kosova është një shtet i vogël dhe nuk mund të ketë marrëdhënie bilaterale me të gjitha shtete e botës.

“Republika e Kosovës e ka kaluar më shumë se gjysmën e shteteve anëtare të OKB-së sa i takon njohjes. Për shtetin e Kosovës është e rëndësishëm njohja duke pasur parasysh që ka mospajtime me shtetin e Serbisë dhe duke pasur parasysh se Kosova ka pengesa për t’u anëtarësuar në OKB dhe organizata të tjera rajonale për shkak të vetos që e vënë aleatet e shtetit serb”, thekson Tahiri.

Më 17 shkurt, Kosova ka shënuar jubileun e parë të pavarësisë. Për 10 vjet të shtetësisë, Kosovën e kanë njohur 116 shtete.

Rashel Kolaneci
S