Pse ndodhi vrasja në Kumanovë, sherri degës së BDI-së

0

Incidenti i përgjakshëm në Kumanovë lidhet me Bashkimin Demokratik për Integrim. Zgjedhja në degën e kësaj partie çuan në këtë incident të përgjakshëm, që përfundoi me vrasjen e Xhemail Rexhepit të njohur si komandant Shqiponja, dhe plagosjen e dy të tjerëve.

photo-2-640x480 ku7m

Tensionet dhe zënkat në këtë parti kanë nisur vite me radhë. Dega e kësaj partie ishte mollë sherri dhe se gjithmonë ajo është shoqëruar me tensione, grupe të caktuara dhe klane partiake.

Pakënaqësitë e krijuara me ish-strukturën e degës për çështje dhe vendime të ndryshme partiake për punësime, emërime, dhe pakënaqësi për anashkalimin dhe mosrealizimin e projekteve për Kumanovën, nxorri në sipërfaqe një grup të ish-ushtarëve të pakënaqur të ish-UÇK-së, të cilët u udhëhoqën nga Xhemail Rexhepi.

Ata kishin pakënaqësi ndaj degës e cila në kundërshtim me gjitha vendimet dhe statutin partiak, udhëhiqej nga ushtrues detyre, Ulusi Beqiri.

Ky grup doli me propozim në një periudhë kur ishin organizuar zgjedhjet nëpër degët e BDI-së, përfshirë edhe Kumanovën.

Më 12 shtator 2014, Xhemail Rexhepi u nominua si kandidat i vetëm nga forume partiake në Kumanovë për kryetar të degës.  Në këtë mbledhje kanë qenë edhe strukturat e tjera të degës.

Por ,edhe përkundër këtij nominimi si kandidat të vetëm, nga kreu i BDI-së nuk ka pasur asnjë reagim apo miratim, dhe se ka vazhduar zvarritja dhe anashkalimi i procedurave.

Acarimi i situatës pasoi edhe me një incident midis përkrahësve të Xhemail Rexhepit dhe ish-udhëheqësve të degës.

Janar 2015/Rexhepi: Pse po vonohen zgjedhjet në Kumanovë

Në fillim të janarit të 2015, kandidati i vetëm për kryetar të Degës së BDI-së në Kumanovë, Xhemail Rexhepi përmes një konference me mediat kishte pyetur se  pse vonohen zgjedhjet brenda partiake. Rexhepi shtoi se faji për ngecjen e proceseve në Kumanovë, e ka struktura e vjetër e degës.

“Struktura e vjetër, vetëm ikin qosheve. Ikin qosheve, i bëjnë listat, marrin emrat e njerëzve që duhet punësuar, ata emra nuk shkojnë dhe punësohet emra të tjerë. Nuk e di cila është arsyeja e kësaj, qytetarët kërkojnë sqarim, ndërsa ne nuk dimë çfarë t’i themi. Komandant Shqiponja, për çështjen e Kumanovës, për asnjë çast dhe asnjë milimetër nuk ka kthim mbrapa. Këtë le ta din të gjithë”, kishte deklaruar Xhemail Rexhepi.

Edhe mbështetësit e Rexhepit shprehin shqetësimin e tyre për përfaqësimin e dobët dhe injorimin e kësaj dege.

“Të vetëdijshëm për vështirësitë në periudhën e kaluar, anashkalimin e familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe ish ushtarëve të UCK-së, nga strukturat maqedonase por edhe nga mos serioziteti i disa funksionarëve nga njësia numër 2, është interes i përgjithshëm kombëtar por edhe i BDI-së që procesi të përcillet me reforma dhe rritje të kualitetit dhe përfaqësimit.Fakti që jemi në muajin e 4 të zgjedhjeve, pa u respektuar datat e dhëna nga vetë koordinatori i njësisë zgjedhore, vështirëson funksionimin e mirëfilltë të degës”, kishte theksuar  Ferat Begu, invalid i luftës.

Si ndodhi papritur emërimi i Bajram Limanit për u.d kryetar dege 

Pakënaqësitë dhe kaosi në këtë parti u ndërpre përkohësisht me ngjarjet e 9 dhe 10 majit në Kumanovë. Por vetëm disa javë pas kësaj ngjarje, Ali Ahmeti me vendim të tij emëroi Bajram Limanin për ushtrues detyre të degës së BDI.

“Limani dhe ekipi i zgjedhur nga ai do të vijojnë me strukturimin e degës së Kumanovës nëpërmjet të zgjedhjeve partiake në degë. Ky vendim i përkohshëm është në shërbim të strukturimit të mirëfilltë dhe të fuqishëm të BDI-së në Kumanovë gjer në mbajtjen e kuvendit të rregullt zgjedhor.” njoftuan nga kjo parti.

Po kush ishte njeriu që papritur erdhi në krye të degës dhe që nuk ishte i njohur për shumë qytetarë në Kumanovë, përfshirë edhe strukturat e BDI-së.

Bajram Limani ka lindur më 10 nëntor 1958. I burgosur politik, i arrestuar në vitin 1985, ndërsa i dënuar në vitin 1986 me 12 vjet burg. Nga burgu u lirua në korrik të vitit 1991, prej ku vazhdon me aktivitet politike dhe kombëtare. Limani ka vijuar studimet në fakultetin e mjekësisë në Shkup dhe në Prishtinë, ndërsa është anëtar i Bashkimit Demokratik për Integrim që nga themelimi.

 

Çka kishte deklaruar anëtari i komisionit komunal të BDI-së në Kumanovë lidhur me kaosin në këtë degë

Anëtari i komisionit komunal në Bashkimin Demokratik për Inegrdim, Lulzim Aliti në fillim të këtij muaji kishte shprehur shqetësimet e tij në lidhje me funskionimin brenda partiak të kësaj partie.

Ja se çfarë kishte shkruar Aliti në reagimin e tij:

“Si anetar i komisionit komunal per zgjedhjet brenda partiake te BDI-se .Ju beje pyetje te hapur deputeteve, keshilltareve komunal,drejtoreve dhe te gjithe atyre qe gezojn funksione ne kete parti. Si funksiononi pa pasur dege pa pasur kryesin e deges me te cilen per cdo veprim duhet te konsulltoheni?

Si eshte e mundur qe pa pelqimin e deges te emerohet sekretaresh ne drejtorin e çerdheve? Si i beni veprimet te cilat nese nuk konsultoheni me degen ne fjal mund te jene ne dam te shqipetareve te Kumanoves? Baza e cila emeron funksione ose ben punesime eshte dega,ndersa çuditerisht 1 vite u be nga shpallja e zgjedhjeve brenda partiake. Koordinatori i zones nr2 Bekir Asani ende nuk i realizoi kto zgjedhje tash shtrohet pyetja se pse kandidati i vetem per kryetar dege Xhemail Rexhepi-Shqiponja ende nuk emerohet kryetar a mos valle nuk i kovenon koordinatorit apo ndoshta koordinatori nuk deshiron ta emeron kryetarin e zgjedhur nga populli tash a deshiron ta ndeshkon popullin apo kandidatin e vetem ne fjal… Bej thirrje deri te te gjithe organet partiake te BDI-se qe ky fenomen i vetvendosjes nga individ te cilet duan ta shtrin doren mbi Kumanove te nderpritet. Mjaft mbeti Kumanova pa zot shpije.

Rezultat i gjith ketyre ndodhive te cilat i ndodhin Kumanoves eshte ajo se ne kemi mbet jetim…” thuhet kështu në reagimin e Lulzim Alitit.

 

Porositë e fundit të Shqiponjës

Xhemail Rexhepi – Komandant Shqiponja – kohëve të fundit kishte denoncuar për INA të bëmat që sipas tij po ndodhnin me BDI-në dhe sidomos shqetësimet e tij për Kumanovën dhe shqiptarët.

Ja dy postimet e këtij muaji, që kishte ndezur alarmin Shqiponja:
“Po dëgjoj zëra nga disa karrieristë, nga disa fotelashë, nga disa që veç postet dhe paranë e njohin se: Shqiponja i ka prish punët me Ali Ahmetin. Kur është ne pyetje Kumanova, unë çdo herë do të jem në kundërshtim ndaj çdo veprimi qe s’është në vullnet të qytetarëve të Kumanovës. Unë kam qenë bartës kyç me shumë shokë i betejave më të lavdishme të 2001, ku kemi qëndruar deri në fitore. Shpresoj dhe jam plotësisht i bindur që nga kjo rrugë që kemi marrë unë dhe shumë shokë të UÇK-së dhe aktivistë të BDI-së, në fund do të fitojë Kumanova. Lus All-llahun në këtë natë që çdo njeri që i është afruar kësaj partie me qëllime jo të pastërta, ishalla i ndërrohet mendja dhe mendon për të mirë dhe vetëm për të mirë”, ka thënë ai në Natën e Kadrit.

Postimi 2:

“Eshte perhap nje dukuri ne popullaten Shqipetare te Kumanoves shume njerz muajin e fundit me kan pyetyr valle pse BDI nuk i perfill luftaraket pse nuk i lejon te jene ne poste ku munden te punojn dhe te ndihmojn popullaten e Kumanoves pasi qe ne kemi mbet shum larg nga qytetet e tjera asgje nuk eshte punuar ne komunen e Kumanoves respektivisht ne pjesen ku shumica eshte e banuar me Shqipetar. Kjo me ka merzitur shume sepse nuk kam pergjigje te pershtatshme, nga qe ata me thuan pasi qe BDI doli nga lufta pse sjeni ju ata qe do te na udheheqni.

Tash dua tu tregoj popullat e Kumanoves se ne asnje menyr nuk na jepet hapesir neve te cilet organizuam luften udheheqem luften te cilet luftuam pa u kursyer per kete komb nuk na lejohet qe te kontribojm per te miren e Shqipetareve te Kumanoves. Jemi duke u ndje shume te shkelur.Xh R Shqiponja” (sic.)”, ka shkruar Shqiponja.

 

Përçarjet dhe problemet në BDI nga viti 2002

Një nga themeluesit e kësaj dege thotë për INA se problemet datojnë që pas përfundimit të konfliktit të vitit 2001, kur nisën skenaret për përçarje, imponimet dhe vendimet nga qendra, që u krijuan si pasojë e përçarjes.

“BDI në Kumanovë funksionon përmes disa rrymave apo klaneve, që disa prej tyre nuk flasin mes njëri tjetrit, janë në konflikte dhe nuk kanë debat komunikimi. Gjithë kjo situatë kontrollohet nga lartë, ashtu që Ahmeti ka mbajtur komunikimet me gjitha grupet për të shmangur largimin e tyre nga partia. Menjëherë pas themelimit të degës së BDI-së u krijuan përçarjet dhe se kjo ndodhi pas emërimeve të disa zyrtarëve që nxitën reagime të brendshme sidomos në radhet e ish-ushtarëve të UÇK-së.

Këto probleme dhe skenare bënë që dega e BDI-së në Kumanovë dhe Likovë të humb peshën e saj si zonë kyçe e luftës së UÇK-së dhe se këtë e keqpërdorën disa individë brenda kësaj partie, që gëzuan poste përmes klaneve të tyre. Kjo situatë bëri që Kumanova të humbas edhe postin e zëvendëskryeministrit për Marrëveshjen e Ohrit, që duhej t’i takonte këtij bastioni të luftës dhe jo degës së Kërçovës. Me vazhdimin e viteve, Kumanova nisi të humbas ndikimin e saj pas përçarjeve të mëdha dhe se kjo u reflektua edhe në ndarjen e posteve qeveritare, ku gjithmonë ky rajon u përfaqësua me ministri apo drejtori më të dobëta. (N.P/INA)

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com