Pse ka “heshtje” për Asociacionin?

0

Çështja e formimit të Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, pritet të jetë një nga temat për të cilat do të bisedohet në takimin e radhës, më 29 qershor në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa dhe atij të Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Kosovo Je srbiju

Pas takimit të 23 qershorit, të dy kryeministrat kanë theksuar se lidhur me çështjen e Asociacionit është arritur përparim gjatë bisedimeve, por ata nuk kanë dhënë ndonjë sqarim se në ç’masë është ai përparim.

Për më tepër, të dy kryeministrat kanë theksuar se janë marrë vesh që të mos ketë deklarata për medie lidhur me atë se në cilat pika është arritur pajtimi ose jo lidhur me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Megjithatë, Hashim Thaçi, zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm i Kosovës, në një intervistë dhënë medieve vendore, e cila është publikuar edhe në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Jashtme të Kosovës, ka theksuar se në takimin e 23 qershorit “është arritur përparim i rëndësishëm edhe në çështjet e ndjeshme si ajo e formimit të Asociacionit të Komunave”.

“Mund të themi se e kemi çimentuar qëndrimin tonë se Asociacioni duhet të formohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, me Ligjin për qeverisje lokale të Republikës së Kosovës, si dhe dokumentet tjera relevante evropiane për qeverisjen lokale”, ka theksuar zëvendëskryeministri Thaçi.

Në anën tjetër, Goran Rakiq, kryetar i komunës së Mitrovicës së veriut, i cili ka qenë i pranishëm së fundmi në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, thotë se marrëveshja për të mos diskutuar në publik lidhur me atë që është biseduar në Bruksel, është shkelur nga Thaçi.

Ai shton se nuk mund të flasë se për cilat çështje janë arritur përafrime të qëndrimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, sipas tij, pritjet e serbëve të Kosovës që ky asociacion të ketë edhe pushtet mbi disa segmente, janë reale.

“Kërkojmë kompetenca konkrete për sa i përket planifikimit hapësinor, arsimit, shëndetësisë. Do të thotë bashkëpunimet lokale reciproke të këtij lloji. Nuk kërkojmë asgjë më tepër dhe nuk po kërkojmë diçka të pamundur dhe të parealizueshme”, thekson Rakiq.

Në takimin e 29 qershorit, ndërmjet kryeministrave, Mustafa dhe Vuçiq, të ndërmjetësuar nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, pritet të vazhdojnë bisedimet për temat për të cilat tashmë është diskutuar, siç janë: krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, energjia, telekomi, dhe liria e lëvizjes. /REL/

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com