Pribocasit nuk harrojnë vendlindjen

0
Një lidhje fizike, pos asaj emocionale, me vendlindjen e tyre Pribocin, banorët e këtij fshati, po e mbajnë me takime të vendlindjes, të cilat janë bërë edhe tradicionale. Këtë vit është hera e shtatë që takohen në vendlindjen e tyre banorët e shpërngulur e të ndjekur në periudha të ndryshme kohore.
priboci
E diel. Që në mëngjes, dielli përcëllonte. Ishte paralajmërim se do të ketë temperatura të larta, por banorët e shpërngulur e të ndjekur nga fshati Priboc i Komunës së Bujanocit, ia kishin mësyrë fshatit të tyre, matanë kufirit, të Kosovës. Në këtë manifestim, vërehej edhe pjesëmarrja e një numri të vogël të qytetarëve edhe nga fshatrat tjera, si Breznica, Çarri, Karaçeva etj. Në kufi, në pikën kufitare në Muhoc, si gjithherë edhe këtë vit nuk lejohet të kalohet me targa të Kosovës, por, shpresojmë që ky vit të jetë i fundit për kalim të lirë, edhe me automjete me targa të Kosovës, pasi që, sipas delegacionit kosovar, marrëveshja është arrit me Serbinë ndërsa pritet të gjejë zbatim së shpejti. Pasi banorët kalojnë kufirin këmbë, i presin traktorët me të cilët do t’i transportohen, nëpër rrugën me pluhur, 7-8 kilometra largësi deri në Priboc, në vendin ku do të mbahet takimi i Vendlindjes. Posa arrijnë në vendin e caktuar, fillon programi, me fjalime, përshëndetje, recitime, lojëra popullore e sportive. Kryetari i Këshillit të fshatit, Nevzad Abdullahu, përshëendet të pranishmit, sikurse edhe Hafiz Musliu, njëri nga banorët e përhershëm të fshatit dhe Xhevat Sopi, i cili punon në botën e jashtme. Me emocione dhe dashuri të veçantë, fëmijë të moshave të ndryshme recitojnë poezi me motive nga vendlindja dhe me motive atdhetare, të përzgjedhura dhe të përgatitura nga Ismet Tafili. Lojërat popullore tradicionale, janë bërë të dashura për të gjithë pjesëmarrësit e takimit të të gjitha moshave e gjinive. Me kënaqësi të veçantë u luajtën dhe u përcollën nga të gjithë pjesëmarrësit lojërat: tërheqja me litar, vrapimi apo kërcimi me thes, rrëzimi i pllakave të gurit me shkop, vrapimi etj., të cilat i kishte përgatitur Mefail Sadiku. Pas përfundimit të garave në këto lojëra, të cilët fituesi i parë mori edhe një shpërblim shumë modest, vallja me tupan e zurna nuk pushoi gjatë gjithë kohës. Në këtë manifestim iu nda mirënjohje, Haqif Hazirit, për kontributin e tij me mjete financiare. Ai këtë vit, për mbajtjen e takimit dhe për zhvillimin e aktiviteteve, kulture e sportive ka dhuruar 500 franga.

Teksti dhe foto: Ismet Tafili

 

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com