Presidenti Nishani: Në mbledhjën e ardhshme të dy qeverive të diskutohët dhe të bëhen hapa konkretë për Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë
14:14 | 13 Prill 2017

Presidenti Nishani theksoi rëndësinë që në mbledhjen e ardhshme të dy qeverive të diskutohet dhe të bëhen hapa konkretë për të ndihmuar në aspektin social, ekonomik, kulturor dhe arsimor shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, duke marrë si shembull praktikat më të mira evropiane në këtë drejtim. Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani priti sot në një takim të veçantë Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës se Kosovës, Sh.T.Z. Enver Hoxhaj, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri. Presidenti Nishani përshëndeti vizitën e zotit Hoxhaj dhe theksoi se marrëdhëniet vëllazërore dhe shumë të veçanta mes Shqipërisë dhe Kosovës duhet të forcohen e zgjerohen në të gjitha fushat e bashkëpunimit, pasi ato janë thelbësore për të ardhmen e kombit shqiptar, por edhe për stabilitetin dhe përparimin e rajonit. Kreu i Shtetit vlerësoi dhe përshëndeti të gjitha arritjet e deritanishme të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj për ndërtimin e shtetit të pavarur dhe funksional të Kosovës, si dhe kontributin e rëndësishëm të dhënë në funksion të paqes, sigurisë dhe zhvillimit të rajonit. Presidenti Nishani e siguroi zotin Hoxhaj për mbështetjen e pakursyer të institucioneve shqiptare, për të mundësuar në një kohë sa më të shpejtë anëtarësimin e Kosovës në organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare dhe avancimin e agjendës evropiane, krahas vendeve të tjera të rajonit. Kreu i Shtetit e siguroi gjithashtu Ministrin Hoxhaj se Shqipëria dhe të gjitha institucionet e saj, bazuar në frymën dhe vizionin euroatlantik, do të jetë gjithnjë në krah të Kosovës në rrugën e saj të zhvillimit dhe do ta mbështesë pa asnjë rezervë në ruajtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit shtetëror. Presidenti Nishani theksoi rëndësinë që në mbledhjen e ardhshme të dy qeverive të diskutohet dhe të bëhen hapa konkretë për të ndihmuar në aspektin social, ekonomik, kulturor dhe arsimor shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre në Medvegjë, Bujanovc dhe Preshevë, duke marrë si shembull praktikat më të mira evropiane në këtë drejtim. Gjatë takimit u diskutua gjerësisht për situatën në rajon si dhe pozicionin e Shqipërisë dhe të Kosovës në ndihmë të tejkalimit të krizës politike në Maqedoni. Presidenti Nishani theksoi se, kriza në Maqedoni është një krizë politike dhe jo ndëretnike. Stabiliteti i Maqedonisë, respektimi i marrëveshjes së Ohrit, si dhe rruga e saj drejt integrimeve euro-atlantike është në interes të shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre në Maqedoni, por edhe për të gjithë rajonin dhe më gjerë. Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës z. Enver Hoxhaj e falënderoi Presidentin Nishani për pritjen e ngrohtë dhe vëllazërore, duke theksuar se Kosova dhe institucionet e saj do të jenë gjithmonë mirënjohëse për mbështetjen personale dhe institucionale që Presidenti Nishani ka dhënë për njohjen ndërkombëtare, si dhe ndihmën në rrugën e integrimeve euro-atlantike të Kosovës, njofton zyra e presidentit. /D.H/
Edlira Rukaj