Presheva, pjesë e lëvizjes dhe kujtesës gjithëkombëtare

0

“Ata që i harrojnë përvojat nga e kaluara, do të detyrohen t’i përjetojnë përsëri”
Xhorxh Santaiana, filozof amerikan

“Historia shkruhet gjithëmonë gabim, kështu përherë ajo duhet të rishkruhet”
Herodoti, babai i historisë

Presheva

Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës me seli në Preshevë do të përkujtojë e nderojë personalietetët e shumta që dhanë apo po japin kontributin kombëtar e tyre për çështjen kombëtare, në shkencë, në kulturë, në arsim, në informim, politikë etjerë. Ajo me programin e saj afatgjatë, të hartuar herë pas here do të paraqitet me projekte në drejtim të ndriçimit të jetës dhe veprimtarisë të të shumë ngjarjeve, ndodhive, personaliteteve të Luginës së Preshevës. Dhe kjo do të jetë kontribut modest i Shoqatës në drejtim e me qëllim të ndriçimit të kaluarës, të sotmes dhe të nesërmes së Luginës së Preshevës, e cila do të bëhet pjesë e Lëvizjes dhe Kujtesës Gjithëshqiptare.
Lugina e Preshevës ka të kaluarën e saj, ka të sotmën e saj, por do ta ketë edhe të nesërmen e saj, e kaluara duhet të hulumtohet e studiohet objektivisht, si dhe të shkruhet objektivish dhe realisht.
Pra, të gjithë ata që merren me hulumtimin dhe studimin në lëmi të ndryshme, duhet ta japin kontributin e duhur për ta ndriçuar kujtesën kombëtare të Luginës së Preshevës. E ajo Kujtesë është përplot me ngjarje, ndodhi, të cilat nuk duhet të harrohen, por të ndriçohen si duhet, objektivisht dhe realisht duke përdorur metoda më bashkohëse të shkencave të natyrës apo atyre të shoqërisë. Sepse kujtesa kombëtare e Luginës është përplotë personalitete që meritojnë të studiohen dhe të trajtohen.
Pra, edhe njëherë Lugina e Preshevës, gjithmonë dhe asnjeherë nuk u nda nga ngjarjet dhe ndodhitë në etnikumin shqiptar, por gjithmonë ishte pjesë e këtij etnikumi si dhe pjesë e Lëvizjes mbarëkombëtare. Ajo mori pjesë në të gjitha proceset e Lëvizjes mbarë komëtare. Historia dhe kjo Lëvizje duhet të shkruhen, ndoshta nesër prap duhet të përshkruhet ashtu siç thotë edhe Herodoti i Madh.
Poashtu, ne, Shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të ngutemi në shkrimin e historisë, sespse po na ikin dëshmitarët e kohës, po mbeten gjeneratat e reja, të cilët këtë histori të idhët të stërgjyshërve dhe baballarëve tanë nuk e shijuan, por vetëm po i gëzojnë ato të mira kulturore, historike, shoqërore, ekonomike, të cilat na i lanë ata.
Poashtu, për të kaluarën dhe të sotmen e Luginës janë hapur arkivat e Turqisë, Shqipërisë, ka një literaturë të bollshme, e cila duhet të shfrytëzohet në maksimum, si dhe duhet shfrytëzuar vullnetin e mirë të këtyre institucioneve vendore e ndërkombëtare.
Lugina e Preshevës pati emra të njohur, personalitete të shquara, veprimtarë të dalluar të Rezistencës në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, duke filluar që nga Dardania e deri më Luftën e UÇPMB-së.
Të theksojmë disa thënie: të patrioti preshevar, Ibrahim Kelmendi: Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë; thënja e historianit nga Nasalca, Dr. Shukri Rahimi:Historia e popullit shqiptar është e pa ndarë, prandaj edhe, këto treva i konsiderojë si të tilla, të ndara artificialisht.
Ramiz Abdyli: “Shqiptarët e Preshevës dhe të viseve përreth, siç është treva e Bujanocit dhe e Kumanovës, apo të Krahinës Verilindore të Karadakut, sikundër viset tjera shqiptare , jo vetëm i bënë ballë asimilmit gjatë robërisë së huaj shekullore, por me pjesëmarrje aktive në të gjitha ngjarjet e rëndësishme të historisë sonë të përvuajtur, por krenare dhanë kontributin e tyre të çmueshëm për liri dhe mëvetësi kombëtare. Kontributi i tyre është i çmueshëm sidomos gjatë periudhës së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që nga vitet e 30-ta të shek XIX, përfundimisht me organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme Antiosmane, që u kurrorëzua me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, kësaj ngjarjeje më të rëndësishme në historinë tone”.
Po përmendim disa nga periudhat, ngjarjet, ndodhitë në Luginën e Preshevës. Kërkojmë falje dhe ndjesë nëse të gjitha nga kjo që po theksojmë diçka kemi harruar, janë pa dashje. Mbetet që autorët të tjerë ta plotësojnë këtë Kujtesë Kombëtare të Luginës së Preshevës.

Lugina e Preshevës qysh në Antikë i takonte Dardanisë, fisit Ilir që kryesisht shtrihej përgjatë lumit Moravë dhe Vardar. Shqiptarët e Luginës së Preshevës me Shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë paraqesin etnikum më të vjetër në rajon. Shqiptarët e Luginës morën pjesë në të gjitha luftërat që i bëri Mbretëria e Dardanisë kundër pushtuesve të ndryshëm.
Edhe pse pas viteve 1454 e 1455, Lugina e Preshevës ra nën sundimin e Perandorisë osmane, ajo asnjëherë nuk u pajtua me gjendjen e vështirë nën sundimin turk otoman, andaj Shqiptarët e Luginës së Preshevës gjatë viteve 1841-1845 u hodhën në kryengritje kundër Tanzimatit. Sheh Hyseni dhe Sheh Salihu e shum patriotë të Luginës/patrioti Sylejman Toli i Mëhallës së Tolëve nga Tërnoci/ ngritën zërin kundër zbatimit të Tanzimatit në Luginë, sepse popullata e këtij rajoni nuk deshti t’i paguajë tatime të mëdha pushtetit turk.
Pastaj të përmendin kryengritjen e Dervish Carës, më 1844, e cila kryengritje çoi në këmbë për liri gjithë popullatën shqiptare të këtij rajoni dhe përfshiu tërë terrotirinë e Dardanisë.
Pra, qysh me kohë, Shqiptarët e Luginës së Preshevës lidhën fatin e tyre me Kosovën dhe morën pjesë aktive në Lëvizjen Shqiptare të Prizrenit dhe më vonë në të gjitha Lëvizjet politike të Shqiptarëvë të ish’Jugosllavisë për të drejta dhe çlirim kombëtar. Se Presheva dhe Lugina e saj ishte liridashëse, e kyçur në Lëvizjen Gjithëkombëtare dhe se i dha kontribut Rilindjes Kombëtare Shqiptare fletë edhe fakti i themelimit të Degës se Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Preshevë me kryetar Sheh Maksut Efendiun si dhe pjesëmarrja e patriotëve nga Presheva në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 1878 : Sheh Maksut Efendiu, Osman Çaushi, Mehmet Muhaxhiri, Kamber Aga, Haxhi Abazi.
Kryengritja e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës kundër Perandorisë Otomane me në krye të Madhin Idriz Seferi.Të përmendim Hasan Kadriun e Preshevës, Kurtë Tërrnavën, Mulla Sinan Maxheren e të tjerë.

Pas Kongresit të Berlinit, më 1878, Kazaja e Preshevë i takonte Vilajetit të Kosovës, ndërsa me themelimin e Mbretërisë Serbo-Kroate e Sllovene i takoi Banovinës së Vardarit me qendër në Shkup. Dhe prej kësaj kohe Shkupi u bë qendër e aktiviteteve patriotike të Shqiptarëve të Luginës.
Kështu në prill të vitit 1941, në Shkup u themelua Lëvizja Kombëtare për Çlirim dhe Bashkim me shumë patriotë: Shaban Efendinë nga Kumanova, i lindur në Preshevë, Abdulla Saqipin, kryetarin e Shoqatës “Besa”, me Shaip Mustafën, i cili konsiderohet më kontribuesi i vuarjes së Flamurit shqiptar në Urën e Gurit në Shkup, me Abdulla Haxhi Veliun e Preshevës, i cili ishte tregtar dhe përfaqsonte për atë kohë borgjezinë e re, ai me kontributin e tij të madh dha shembull humanisti dhe si duhet të ndihmohet edhe çështja shqiptare, por edhe popullata shqiptare, sidomos ajo e Malësisë së Preshevës. Për te Ibrahim Meçaj nga Gjakova më 1977 më tha: Edhe tregtar edhe i ndershëm,vetëm ai ishte, me Hfz Lutfi Ahmetin nga Presheva, Shaban Bugarinën,Nijazi Kurbalinë e të tjerë.
Lufta e Dytë Botërore ndodhi edhe në Luginë të Preshevës, në këtë luftë antifashiste morën pjesë Abdullah Krashnica, Selim Selimi, Xheladin Kurbalia, Selami e Shenasi Hallaçi, Qemal Shehu, Muharrem Kadriu, Mustafë Selimi, Qani Ramadani, e të tjerë.
Në Luginë trë Preshevës ndodhi Rezistenca e armatosur e Shqiptarëve të Kosovës Lindore përgjatë Hekurudhës Bujanoc-Preshevë-Kumanovë dhe ndodhi “Kohë e Shipnisë”, kur në Preshevë per herë të parë kryetar u zgjodh Adem Kamberi, i quajtur nga populli edhe Kamber Aga, të cilin më vonë e zëvëndësoi Skënder Kadriu, patrioti Ibrahim Kelmendi, Limon Staneci, pioner i gazetarisë shqiptare në Luginë, Ali Syla Staneci , Ajet Rainca, Lam Breznica e të tjerë.
Muderrizi Hfz Alia nga Presheva i njohur dhe drejtor i Shkollës Normale në Prizren, pastaj Hfz Jashar Ibrahimi-Hallaçi, Hfz Nexhati Ahmeti, e të tjerë.
Shkolla e Parë shqipe në Preshevë më 7 shkurt 1945 me mësuesit e parë nga Presheva: Demirali Ramadani-Hoxha, Hilmi Qerimi, Kadrije Qerimi, Adem Ahmeti, Shukri Rahimi, Hfz Lutfi Ahmeti, e tjerë.
Pas LDB, pas viteve 1948 të përmendim mësuesin dhe patriotin e NDSH-së Mark Gashin, Ali Aliun e të tjerë.
Më vitin 1948 ndodhi Inforbyraja, e cila pati jehonë edhe në Preshevë. Kështu disa personalitete u rradhitën me Informbyronë, duke shpresuar në floskulën e Stalinit dhe Rusisë se Krahina e Preshevës, me Kosovën do t’i bashkangjitet Shqipërisë.
Në demonstratat e vitit 1968 të përmendin Gjundyz Jusufin, i cili para masës së tubuar thuhet se lexoi një referat me 17 pika-kërkesa për pushtetin e atëhershëm. Të përmendim Shenasi Veliun e ndjerë që udhëtoi, në ditën e 28 nëntorit 1968, me autobusin e “Jug-Turistit” duke bartur në dritare Flamurin Kombëtar nëpër vendbanimet e Kosovës, nëpër Bujanoc e deri në Preshevë. Disa here provuan policia t’ia marrin Flamurin Shinasit, mirëpo ai nuk lejoi dhe e mbrojti deri në Preshevë. Tentimi i marrjes së Flamurit u bë në Ferizaj dhe Bujanoc. Pastaj të përmendim organizimin e pritjes së Ditës së Flamurit, më 28 nëntor 1968 të klasës së kujdestarti të ndjer, prof.Ramil Nuhiut nga Rahovica.
Pas vitit 1966, pas Plenumit të IV, të përmendim themelimin e Klubit të Studentëve “Haki Limani” në Preshevë, të cilin e udhëhoqën Rexhep Ismajli, Riza Halimi, Sabedin Hetemi, Xhemaledin Salihu.
Klubi i Studentëve në Preshevë u themelua pas vitit 1968, atëherë kur Evropën Perëndimore po edhe Preshevën e kaploi një Lëvizje e re, e fuqishme studentore, Lëvizja e Studentëve të Preshevës që do të shpërndante ndikim të madh shoqëror në të gjitha shtresat shoqërore në atë kohë.Klubi i Studenteve u themelua në sallën e Komitetit komunal të Preshevës, në prani të studentëve preshevarë, të cilët zgjodhën udhëheqësinë e Klubit dhe ia vuan emrin e patriotit Haki Limani, të mbytur në Prishtinë, siç thuhet nga UDBa. Klubi i Studentëve menjëherë filloi të propagandoj barazi nacionale, kërkesa për të drejta të arsimimit të të rinjve shqiptarë sidomos të Preshevës e Bujanocit, përdorimin e lire të Flamurit Kombëtar, barazinë e gjuhës shqipe, kërkesa për punësimin e të Rinjve shqiptarë sipas strukturës nacionale të popullatës, të cilën edhe e praktikoi kryetari i atëhershëm patrioti Mehmet Jusufi.
Klubi i Studentëve mbledhjet e veta dhe me popull i mbante në sallën e kinemasë, e cila mbushej me popull, të interesuar jetësisht që në zgjedhjet e vitit 1969 të zgjidhen në vende udhëheqëse njerëz të popullit e jo të partisë. Kështu edhe ndodhi për kryetar komune dhe deputet në Kuvendin e Serbisë u zgjodh Mehmet Jusufi. Mirëpo, menjeherë filluan përçarjet në popull, në grupe njerëzish me interesa të ndryshëm dhe kërkesa që Mehmet Jusufi të mbaje vetëm postin e kryetarit të komunës, ndërsa postin e deputit ta marrë Selim Selimi. Në popullatën e Preshevës u bë një përçarje e madhe, sa që grupet e interesave nëpër mbledhje, takime, filluan të fyejnë, njollosin personalitetet publike. Klubi i Studentëve, kur e pa situatën e këtillë në Preshevë, se më nuk kishte mundësi të ndikoj pozitivisht në këto rrjedha, një natë në Komitetin komunal, duke debatuar udhëheqësia e Klubit me disa personalitete shoqërore, të cilët i akuzonin se ai po ia mbanim anën e Mehmet Jusufit, e la aktivitetin e tij dhe kështu pushoi veprimtaria e Klubit të Studentëve.
Edhe në Preshevë ndodhi Aksioni famëkeqe i mbledhjes së armëve, kur u keqtrajtuan Shqiptarët e kësaj krahine, gjatë viteve 1955-56.
Poashtu gjatë këtyre viteve ndodhi edhe Aksioni i Heqjes së Ferexhesë.
Demonstratat e vitit 1981 dhe kontributin e madh në to të Hamdi Ajdinit nga Rahovica.
Gjatë vitit 1981, pas demonstratave të Studentëve filloi fushatë e egër antishqiptare gjoja për indoktrinim të të rinisë shqiptare. Kështu u bë ndërrimi dhe ndryshimi i plan-programeve mësimore dhe nga Inspektorati Republikan i Arsimit u dha urdhër që të hiqet literatura dhe përmbajtjet mësimore, të cilat sikur indoktrinonin nxënësit e shkollave dhe rininë shqiptare. Mirëpo fal syçeltësisë dhe angazhimit të Abedin Selimit, kryetar i komunës, Hasan Hajrullahut, kryetar i Komisionit për Arsim, Kulturë në Lidhjen Socialiste të Popullit Punues të Preshevës dhe drejtorisë së Shtëpisë së kulturës, në vend se të hiqen nga përdorimi e gjithë literatura e botuar në Shqipëri dhe nga autorë të Shqipërisë u hoqën vetëm 7-8 tituj.
Pluralizmi politik edhe në Preshevë solli formimin e partive politike, së pari u themelua Partia për Veprim Demokratik me Riza Halimin, kryetar dhe më vonë u themelua Partia Demokratike Shqiptare me Ali Ahmetin, kryetar.
Më 1 dhe 2 mars të vitit 1992, Shqiptarët e Luginës dolën në mënyrë masive për t’u deklarruar në votim: A JENI PER AUTONOMI TERRITORIALE POLITIKE TE SHQIPTAREVE NE PRESHEVE, BUJANOC DHE MEDVEGJE ME TE DREJTE BASHKIMI ME KOSOVEN. Vullneti i lirë i shqiptarëve dhe vota e tyre ishte me 98% për këtë deklarim politik në Referendum. Bartësit kryesorë në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë ishin: Riza Halimi, Ali Ahmeti e të tjerë.
Së fundi edhe Lufta e UÇMBP-së me Bardhyl Osmanin-Komandant Dellta, Ridvan Qazimin-Komandant Lleshi, Shefket e Jonuz Musliu e të tjerë.
Po përmendim disa personalitete të shquara të shkencës dhe të kulturës: Akademik Rexhep Ismajli, Akademik Hivzi Islami, Akademik Idriz Ajeti, Akademik Nexhat Daci, Dr. Nebi Islami, Dr. Jahi Murati, Dr. Fikret Ahmeti, dr. Muharrem Gashi e shumë të tjerë.
Po përmendim disa nga veprimtarët e jetës politike-shoqërore: Mehmet Jusufi, Sami Qerimi, Abedin Selimi, Jashar Sahiti, Hasan Hajrullahu, Hamdi Daci, Riza Halimi, Ali Ahmeti, Zeqirja Fazliu, Ragmi Mustafa e shumë të tjerë.
Po përmendi disa nga shkrimtarët e Luginës: Ramadan Rexhepi, Feime Selimi, Qerim Arifi, Mirko Gashi, Sahadete Presheva, Mexhid Mehmeti, Jonuz Fetahaj, Vaxhid Xhelili, e shumë të tjerë.

Ky ishte vetëm një kontribut shumë i vogël nga ana ime për të filluar të hulumtojmë dhe të studjojmë Lëvizjen Kombëtare në Luginë të Preshevës dhe për të ndriçuar disa nga personalitetet e jetes politike, shkencore, arsimore, ekonomike, kulturore e tjerë.
Presim që me shkrime të tjera të plotësohet mozaiku: Presheva-pjesë e Lëvizjes dhe Kujtesës Kombëtare Shqiptare.

Shkruan: Xhemaledin SALIHU
Preshevë, më 25 prill 2015

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com