Policia shqiptare shpall “Non Grata” 52 shtetas grekë
18:12 | 09 Nentor 2018

Vendimin e marrë pak orë pasi këta shtetas hodhën parrulla anti-shqiptare dhe bllokuan rrugën Gjirokaster – Kakavije, e bëri publike vetë ish –zevendësministri i Brendshëm, Sandër Lleshi.

“Ministria e Brendshme e Republikës së Shqipërisë, në plotësim të përgjegjësive kushtetuese, atyre ligjore si dhe të përcaktimeve të normave të marrëdhënieve ndërkombëtare, bazuar në nenin 9 të Ligjit nr. 108/2013, “Për të huajt”, i ndryshuar; në mbrojtje të interesave të rëndësishme shtetërore që lidhen me sigurinë kombëtare; në funksion të ruajtjes së pacënuar të marrëdhënieve ndërkombëtare të vendit dhe konkretisht të marrëdhënieve miqësore me Republikën e Greqisë; e angazhuar për të mbrojtur e garantuar në çdo aspekt të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri  dhe praninë e çmuar, historikisht harmonike të këtij minoriteti në gjirin e familjes shqiptare; e ndërgjegjshme për historinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe të ardhmen e përbashkët të shqiptarëve dhe grekëve si kombe me përkatësi dhe përgjegjësi të rëndësishme për familjen e kombeve evropiane; duke e konsideruar të papranueshëm, provokimin sa vulgar, aq edhe të rrezikshëm që iu bë dje shtetit shqiptar e qytetarëve të tij pa dallim, nga individëve e grupe të caktuara të ardhura nga Greqia, të cilët shpërdoruan respektin tonë ndaj normës tradicionale shqiptare të hapjes së dyerve të një familjeje në zi dhe e kthyen një ritual përbashkues varrimi, në një shfaqje të patolerueshme ekstremizmi, ka vendosur:

Shpalljen persona të padëshiruar në vendin tonë, të 52 personave të shtetësisë greke, për veprimtari të organizuar në dëm të sovranitetit të Republikës së Shqipërisë dhe shfaqje e deklarata sfiduese ndaj rendit kushtetues, sigurisë kombëtare dhe qetësisë publike të këtij vendi”.

44 nga 52 të shpallurit “Non Grata” nuk do të lejohen të hyjnë në Shqipëri për 10 vjet. Tetë të tjerë për 15 vjet. Policia po verifikon edhe veprimet e disa pjesëmarrësve të tjerë dhe pritet të marrë vendim për 11 prej tyre”.

Këta njerëz dhe të tjerë, që po analizohen nga forcat tona të sigurisë lidhur me shfaqjen e djeshme ekstremiste në fshatin Bularat, nuk do të lejohen të hyjnë më në këtë vend, për periudhën e parashikuar në ligj.

Askush nuk duhet ta marrë urtësinë tonë për dobësi dhe asnjë i huaj nuk mund të shkelë pa u përballur me pasojat, ligjin dhe traditat e mikpritjes së këtij vendi”.

Ky është numri më i lartë i shtetasve të huaj të shpallur persona “non grata” në Republikën e Shqipërisë.

Ata do të përballen gjithashtu me akuza penale, si prodhim dhe mbajtje të armëve të gjuetisë sportive, kalim të paligjshëm kufiri, nxitje të urrejtjes dhe grindjes dhe shpërndarje të parrullave.

Të shpallurit ‘non grata’, disa prej të cilëve ekstremistë të organizatës të rinjtë e vorio epirit, erdhën në mënyrë të organizuar në Shqipëri për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të 35 – vjeçarit që mbeti i vrarë gjatë një shkëmbimi zjarri me forcat speciale të policisë.

Gjatë ceremonisë, ata hodhën parrulla anti –shqiptare dhe nacionaliste, si “sëpata dhe zjarr qenërve shqiptarë” apo “Bularati është Greqi” e të tjera, u hodhën gjatë ceremonisë së varrimit, ku u shpalosën edhe flamuj grekë me shkrime nacionaliste.

Ndërsa pas saj bllokuan edhe rrugën kombëtare që lidh Gjirokastrën me pikën e kalimit kufitar të Kakavijes.

Policia nuk iu përgjigj provokimeve të tyre, për të mos krijuar incidente, për t’ia lënë vendin përgjigjes së dhënë nga Ministria e Brendshme, me vendimin e së cilës, asnjë prej 52 personave nuk do të mund të hyjë më në territorin e Republikës së Shqipërisë. /Tv Klan/

Alesia Bami