Policia e Kosovës rrah brutalisht dy azilkërkues algjerianë (Video)

0

Shumë larg nga vendlindja e tij, algjeriani Azzedin Abdrehim është bërë viktimë e dhunës policore në Magure të Lipjanit, raporton KTV.

alger

22-vjeçari bashkë me një bashkëkombës të tij ishin dehur të martën e kësaj jave dhe në intervistën e dhënë KTV’së, ai pranon se nuk i kujtohet se si i ka marrë plagët që i ka në fytyrë.

Por, pronari i lokalit përballë, rreth orës 16 kishte tentuar t’i dërgonte në Qendrën për Azilkërkues, rreth 300 metra larg, por roja në portë nuk e kishte lejuar një gjë të tillë, pavarësisht se janë të lirë të lëvizin lirshëm nga ora 7 e mëngjesit deri në ora 22.

Ata fillimisht janë dërguar në nënstacionin policor, që është ndërmjet Qendrës për Azilkërkues dhe kafenesë së Florim Dullës.

Më pas ka ardhur një veturë me 4 policë nga Stacioni në Lipjan, që sipas dëshmitarëve, kishin filluar të rrihnin algjerianët që edhe ashtu nuk rrinin dot në këmbë.

Dëshmitarët kanë treguar për një bluzë përplot njolla gjaku që, sipas tyre, i takonte njërit prej algjerianëve.

Pas kësaj, ata me autoambulancë janë dërguar për në Qendrën e emergjencës në Lipjan.

Në këtë qendër, në regjistrin e pacientëve që marrin trajtim, të cilin e ka parë KTV’ja për të dy algjerianët thuhet se janë referuar për në QKUK.

Por, në raportin mjekësor të nënshkruar nga dr. Visar Gashi, shkruhet të mos ketë pasur lëndime serioze, përveç tek 22-vjeçari që kishte një lëndim afër syrit, që e kishte marrë si pasojë e rrëzimit. Ata nuk ishin dërguar në QKUK dhe ishin rikthyer në Qendrën për Azilkëkrues në Magure, rreth orës 19. Drejtori i Qendrës, Valon Zariqi, i ka treguar KTV’së dosjen e algjerianit 22-vjeçar, që kishte pasur trajtime të shumta mjekësore, përfshirë edhe psikike dhe në gjashtë muajt sa është në Kosovë ai kishte qëndruar edhe në burg për një kohë.

Megjithatë, ai nuk ka pranuar të flasë për këtë rast deri në marrjen e informacioneve derisa ka premtuar se do të kërkojë përgjegjësi, në rast se ka pasur lëshime.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com