Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë edhe këtë vit me patrullime të përbashkëta

0

Policia e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë sot kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi që dy muajt e verës të patrullojnë së bashku.

police

Kjo marrëveshje do të ndikojë në aspekte të ndryshme, si në aspektin e shkëmbimit të përvojave, po ashtu do të krijojë një atmosferë më të madhe të sigurisë për udhëtarët.

Drejtori i Komunikacionit në Policinë e Kosovës, Sheremet Ahmeti tha se roli i Policisë së Kosovës do të jetë më shumë në funksione asistuese e jo ekzekutive.
“Cilësia e zyrtarëve tonë është asistuese, e nuk kanë funksione ekzekutive. Funksionet ekzekutive i ka shteti shqiptar dhe Policia e shtetit shqiptar por normal çdo shkelje që e identifikojnë policët tanë ata e regjistrojnë dhe e procedojnë”, tha Ahmeti.

Sipas tij eksperiencat 6 vjeçare në këtë drejtim kanë qenë shumë pozitive, ata e mbështesin një patrullim të përbashkët dhe që në këto vite janë dëshmuar se po i kontribuojnë sigurisë së vendit.

Kurse drejtori i Policisë Rrugore të Shqipërisë, Mithat Kola tha se pala shqiptare e përkrahë një shkrirje të eksperiencave në mes të dy policive, përcjell kp.

“Pala shqiptare ofron patrullimin e përbashkët, shpenzimet, akomodimin, ofron kolegjin dhe është një shkrirje e eksperiencave të Policisë rrugore të Kosovës me atë të Shqipërisë. Udhëtarët nga Kosova ndihen më të sigurt kur shohin një kosovar, një makinë të shtetit tuaj në territorin shqiptar. Kjo u jep më shumë siguri rrugore”, tha Kola.

Ky bashkëpunim i këtyre dy Policive do të bëhet me anën e 6 patrullave të cilat janë të ndara në kuptimin që tri do të jenë të Policisë së Kosovës kurse tri të Policisë së Shqipërisë.
Sipas Policisë ky patrullim i përbashkët ka për qëllim vendosjen e bashkëpunimit konkret në fushën e parandalimit të kundërvajtjeve administrative, për rritjen e efikasitetit të luftës ndaj humbjes së jetëve njerëzore në aksidentet rrugore dhe zbatimin me rigorozitet të legjislacionit rrugor, për krijimin e një ambienti më të sigurt për të gjithë qytetarët dhe përdoruesit e rrugës, që qarkullojnë në akset rrugore që lidhin dy vendet.

 

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com