“Policët” grabisin dy milionë euro

0

Një ngjarje e rëndë, e denjë për filmat aksion, është shënuar dje pranë kryqëzimit të Laknasit në rrugën Tiranë-Rinas, ku katër persona të veshur me uniforma policie dhe të armatosur kanë grabitur një shumë të konsiderueshme parash.

ngjarja

Një burim pranë grupit hetimor i tha gazetës “Shekulli” se, shuma e grabitur dyshohet të jetë afërisht 2 milion euro, të ndarë në katër thasë të ndryshëm. Pasi kanë neutralizuar 6 rojet e sigurisë së “Rogat Security” dhe i kanë thyer xhamin anësor automjetit me një vare, grabitësit kanë qëlluar me armë në ajër dhe kanë kërkuar të hapet dera e pasme të mjetit të blinduar.

Më pas, ata janë larguar me shumën e parave të rrëmbyera. Paratë ishin tërhequr në një nga filialet e një banke të nivelit të dytë në kryeqytet dhe po dërgoheshin jashtë vendit, përmes Aeroportit të Rinasit. Pas grabitjes, që ka zgjatur rreth 2 minuta në kryqëzimin e Laknasit, autorët janë larguar me automjetin e tyre tip Fuoristradë me targa TR 8801 E, në drejtim të një qendre tregtare pranë vendit të quajtur Kodër-Bërxull, duke e djegur tërësisht mjetin e tyre me dyllë.

Policia sqaron se, bëhet fjalë për një grup të strukturuar kriminal dhe dyshohet se janë të njëjtët autorë që kanë kryer grabitje pranë bankës së nivelit të dytë në Bulevardin “Zogu I” në Tiranë, ngjarje kjo e ndodhur më 13 shkurt të këtij viti.

Nga ana tjetër, një pistë e ngritur grupi hetimor, lidhet me bashkëpunimin që mund të kenë pasur 6 rojet e sigurisë me grabitësit e parave, por kjo gjë do të vërtetohet pasi të analizohen hollësisht deklarimet e tyre përpara ekspertëve të kriminalistikës. Asnjë person nuk është raportuar i plagosur, ndërkohë që në vendngjarje mbërritën policia dhe forcat e zjarrfikësve.

Grabitja
Sipas grupit hetimor, grabitja e parave ka ndodhur dje rreth orës 14:00, në kryqëzimin që të dërgon për në Aeroportin e Rinasit. Katër persona me armë, të veshur me uniformat të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe me pajime policie (fenelinë dhe logo), kanë hapur zjarr në ajër. Automjeti tip fuoristradë i ka prerë rrugën dy automjeteve të firmës private “Rogat Security”, që ishin duke transportuar një sasi parash të një banke të nivelit të dytë. Dy automjetet e sigurisë private, një fugon i blinduar i blinduar me targa TR 46 17 L dhe automjeti tjetër shoqërues po i kësaj shoqërie fizike, me targa AA 169 DF, ishin duke udhëtuar në drejtim të Rinasit, kur u është ndërprerë rruga nga një automjet i grabitësve me targa TR 8801E, ku dyshohet se udhëtonin 4 persona.

Në ato momente, mjetet janë ndaluar nga mjeti tip Fuoristradë, nga i cili kanë zbritur personat e veshur me pajime policie, maska dhe armë zjarri, të cilët me anë të një vareje kanë thyer xhamat e automjetit të blinduar dhe kanë zbritur me forcë punonjësit e policisë private, duke i shtrirë në tokë. Pasi kanë marrë sasinë e lekëve, ata janë larguar me automjetin e tyre. Autorët kanë gjuajtur me armë zjarri në ajër, ndërsa policia konfirmoi se, në cilësinë e provës materiale në vendngjarje janë gjetur disa gëzhoja, që u dërguan në laboratorin e balistikës për veprime të mëtejshme hetimore. Autorët, pasi janë larguar me automjetin e tyre fuoristradë, e kanë braktisur atë në afërsi të një qendre tregtare, pranë vendit të quajtur Kodër-Bërxull, duke e shkrumbuar me dyllë.

Burime zyrtare policore pohojnë se, janë shoqëruar për në mjediset e Drejtorisë së Policisë Tiranë, 6 punonjësit e policisë private, ku u morën në pyetje lidhur me ngjarjen e ndodhur një ditë më parë. Ekspertët e kriminalistikës pohojnë se, autorët e grabitjes kanë ndjekur çdo lëvizje të mjetit të blinduar të parave dhe kanë gjetur vendin më të përshtatshëm për të realizuar planin e tyre, që rezultoi me sukses. Për të zbardhur ngjarjen, blutë e Tiranës kanë sekuestruar dhe pamjet filmike të bizneseve në autostradën Tiranë-Durrës, ku ka kaluar makina e parave, së bashku me automjetin që dyshohet se kreu grabitjen.

Policia: Grabitja e parave, me “spiun”

Dyshimi kryesor për efektivët blu të Tiranës ka të bëjë me koordinimin gati në perfeksion të grabitjes dhe si është bërë e mundur që të hapet dera e pasme e fugonit me aq lehtësi. Procedura standarde në të tilla raste kërkon që, dera hapet nga dy çelësa të ndryshëm, pra një çelës e mban shoferi dhe një tjetër e mban makina tjetër që ndodhet gjithmonë pas fugonit. Po kështu, një procedurë tjetër që përdoret për hapjen e derës së pasme, ku qëndrojnë paratë, është se, të dy çelësat duhet të jenë njëkohësisht të vendosur në bravën e fugonit.

Prandaj theksohet nga ekspertët e grabitjeve se, ka shumë dyshime që rojet e sigurisë “Rogat Security” mund të jenë bashkautorë në grabitjen më të madhe të parave, të ndodhur gjatë transportimit të tyre. Pas grabitjes, që ka zgjatur 2 minuta në kryqëzimin e Laknasit në rrugën Tiranë-Rinas, autorët janë larguar me 4 thasë me para, ndërsa kanë qëlluar me armë në ajër për të trembur rojet e sigurisë.

Grabitësit djegin makinën 5 kilometra nga vendngjarja

Për të humbur gjurmët, katër autorët i kanë vënë flakët automjetit të tyre tip fouristradë rreth 5 kilometra nga vendi ku ndodhi grabitja, pranë Urës së Limuthit. Ekspertët zjarrfikës pohojnë se, makina e grabitësve është djegur me dyllë, për t’u siguruar se nuk do të mbetet asnjë provë për Policinë Shkencore. Po kështu, së bashku me automjetin janë djegur edhe rrobat e përdorura nga grabitësit si, doreza dhe kapuçat. Forca të shumta të policisë u vunë në ndjekje të autorëve, të cilët me automjetin tip fuoristradë, morën drejtimin për në Kodër Bërxull.

Forcat e rendit dhe oficerët e krimeve të rënda, të sinjalizuar për drejtimin që kishin marrë grabitësit, kanë gjetur vetëm makinën e shkrumbuar, që ata e kishin braktisur pranë shinave të trenit. Burimet thonë se, 3 persona të tjerë mund të ketë bashkëpunuar me ta, duke i pritur me një tjetër automjet, që sipas dëshmitarëve është larguar me shpejtësi në drejtim të Fushë- Krujës. Nisur nga mënyra se si kanë vepruar 4 grabitësit, grupi hetimor dyshon se ata kanë studiuar prej disa ditësh terrenin dhe kanë pasur dijeni se paratë e bankës së nivelit të dytë do të transportoheshin drejt Aeroportit të Rinasit.

Nga ana tjetër, grabitësit kanë qenë të informuar për orarin e saktë kur bëhej transporti, vendin dhe numrin e saktë të punonjësve të sigurisë. Burimet thonë se, deri tani nga personeli i bankës është deklaruar se shuma e parave të grabitura, ishin futur në katër thasë. Hetuesit e çështjes pohojnë se ka shumë mundësi që grabitësit e ditës së djeshme, të jetë të njëjtët persona që kanë grabitur bankën e nivelit të parë pranë Stacionit të Trenit në Tiranë.

Precedentët, grabitjet e bankave në Tiranë

Grabitja më e madhe e regjistruar deri më sot në vend i përket një banke të nivelit të dytë, në afërsi të Stacionit të Trenit, pranë bulevardit “Zogu i Parë”, në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur më 13 shkurt të këtij viti, ku autorët e krimit sulmuan mjetin e policisë private që do transportonte drejt Thesarit paratë e bankës private, duke marrë disa thasë me Grabitësit djegin makinën 5 kilometra nga vendngjarja franga zviceriane dhe vlera shkonte afërsisht 2.7 milion euro. Grabitësit, të armatosur me kallashnikovë dhe pistoletë kishin, kishin zënë pritë në tunelin në mes pallateve, ku çdo ditë makinat e blinduara merrnin paratë nga banka për t’i transportuar drejt

Thesarit të Shtetit.

Në momentin kur fugoni i blinduar dhe një fuoristradë e policisë private kanë parkuar pranë tunelit dhe punonjësit e sigurisë kanë marrë paratë nga banka, autorët kanë vënë në zbatim planin e tyre. Ata kanë pritur derisa paratë të futeshin në fugon dhe më pas kanë sulmuar. Fillimisht kanë goditur me tytën e armës një prej rojeve të bankës, më pas kanë qëlluar 3 herë në ajër me kallashnikov. Më pas të tre autorët kanë hipur në fuoristradën e policisë private dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të zonës së Paskuqanit.
Grabitja te “Rruga e Kavajës”

Grabitja e dytë me armë e ndodhur në Tiranë është regjistruar pranë një banke të nivelit të dytë nga dy persona të armatosur dhe me maska, të cilët sulmuan mesditën e 20 majit të 2015, teksa punonjësit e kësaj banke ishin duke kryer inventarin. Ngjarja ndodhi te “Rruga e Kavajës”, kur grabitësit morën një shumë të konsiderueshme nga banka. Fillimisht, njëri prej autorëve të ngjarjes ka qëlluar policin privat, i cili ndodhej në hyrje të filialit të bankës e më pas të dy së bashku kanë hyrë në ambientet e brendshme të saj, duke larguar së bashku me shumën e parave.
Grabitje në autostradë

Personat e armatosur dhe të maskuar i kanë dalë në befasi makinës së “Security”, që transportonte para nga një dyqan drejt një banke. Automjeti i grabitësve qëndronte i fshehur në një rrugë dytësore, shumë pranë një qendre tregtare gjatë autostradës Tiranë- Durrës, ku kanë arritur të marrin afërsisht 1 milionë lekë. Menjëherë pas grabitjes, autorët u larguan në drejtim të qytetit të Durrësit. Policia njoftoi se, është gjetur një automjet i djegur rreth 3 km larg vendit të ngjarjes shumë pranë Vorës. Autorët e grabitjes të jenë larguar me një automjet tjetër nga vendi i ngjarjes, duke i shpëtuar ndjekjes së policisë.

Dëshmitari tregon momentet e frikës gjatë djegies së makinës

Arjan Koni, banor i zonës së Kodër- Bërxullës, tregon për gazetën “Shekulli”, atë se çfarë ka parë në momentin kur është shkrumbuar fuoristrada me targa TR 8801 E, që dyshohet se është përdorur nga 4 persona për të grabitur 2 milionë euro, gjatë transportit të parave në Qafë-Kashar. Më tej, dëshmitari Koni shton se, nuk po e kuptonte se çfarë po ndodhte përpara shtëpisë së tij.

“Ishte vakti i drekës dhe unë kisha dalë në avllinë e shtëpisë sime dhe po pija një cigare. Dëgjova një zhurmë të fortë frenimi dhe disa persona që po flisnim me zë të lartë. Nuk i kushtova shumë rëndësi dhe mendova se do të jenë banorë të zonës. Vetëm një minutë më pas, shikoj një shtëllungë të madhe tymi, fare pranë portës sime kryesore. U frikësova dhe nuk dija se çfarë të bëja. I thashë bashkëshortes që të njoftonte menjëherë zjarrfikësen dhe më pas dola në oborr për të parë. Nuk e beson, ata persona u zhdukën si me magji, bëhet fjalë për 2 ose 3 minuta dhe unë nuk munda të dalloj asnjërin prej tyre. Dolëm të gjithë banorët e fshatit për të parë se çfarë po ndodhte, por askush nuk pa asgjë”, thekson dëshmitari i zonës.

Nga ana tjetër, Arjan Koni pohon se, policia është vonuar afërsisht 30 minuta për të mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po kështu edhe shërbimi zjarrfikës. “Unë të siguroj se, nëse zjarrfikësja do të kishte ardhur më shpejt, atëherë makinën mund ta kishte gjetur edhe gjysmë të djegur. Fillimisht, flakët në makinë u përhapën nga pjesa e brendshme e saj dhe më pas përfshinë të gjithë automjetin. Ne si banorë u përpoqëm që të fiknim zjarrin me mjete rrethanore, por ishte e kotë. Kur erdhën zjarrfikësit dhe policia, gjithçka kishte mbaruar dhe makina u shkrumbua tërësisht”, pohoi Koni. Zona në të cilën u dogj fouristrada nga 4 grabitësit ndodhet në krahun e djathë të autostradës Tiranë-Durrës, në rrugën dytësore, në vendin e quajtur Ura e Limuthit. Kjo rrugë përdoret kryesisht nga banorë të zonës, pasi është në gjendje tepër të amortizuar.

Sekuestrohen pamjet filmike

Për të zbardhur ngjarjen e një dite më parë, blutë e Tiranës kanë sekuestruar pamjet filmike të mbi 20 bizneseve në autostradë Tiranë-Durrës, ku ka kaluar makina e parave. Sipas hetuesve, makina e sigurisë është ndjekur nga grabitësit nga sheshi “Shqiponja”, deri në kryqëzimin e Laknasit. Pamjet do të saktësojnë se sa automjete janë vënë në ndjekje të 2 makinave të sigurisë “Rogat Security” dhe kush u ka ardhur në ndihmë grabitësve pas marrjes së parave. Dyshimet e para theksojnë se, janë përdorur edhe 2 automjete të tjera përveç fuoristradës me targa TR 8801 E, duke bërë të mundur largimin e grabitësve nga vendi i ngjarjes pa lënë gjurmë. Më pas, 4 autorët e grabitjes i kanë vënë flakës automjetit të tyre në vendin e quajtur Kodër-Bërxull, duke u larguar me një tjetër makinë nga ajo zonë.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com