Platforma e unitetit, baza më e fuqishme politike në “Luginë”

Politika si nocion i padefinuar në mënyrë të qartë dhe e profilizuar në disa degë të shkencave sociale, i ka krijuar mundësinë grupeve të ndryshme të realizojnë qëllimet dhe interesat e tyre, kjo pavarësisht nivelit qendror apo lokal të pushtetit. Kohëve të fundit në rajonin e “Luginës së Preshevës” kanë ndodhur disa procese politike “pa krye”, sepse kanë realizuar vetëm qëllimet dhe synimet partiake. Dikush është mësuar mirë të shfrytëzojë lëvizjet si brenda-partiake ashtu edhe jashtë, në mënyrë që sa më mirë dhe sa më masovisht të arrijë atë çfarë synon. Kjo më së shumti ka ndodhur në pushtetet lokale të dy komunave kryesore në “Luginë”, Preshevë dhe Bujanoc, ku tek e para, ekziston një shumicë absolute me shqiptarë, ndërsa tek e dyta ekziston një përbërje e përzier e disa komuniteteve por që dominon komuniteti shqiptar. Për fat të mirë, në fillim të viteve 2000 në komunën e Bujanocit gjithmonë ka ekzistuar një mirëkuptim midis grupeve politike shqiptare, kurse kohëve të fundit në pushtet lokal janë të inkuadruar edhe pjesëtarë të komunitetit serb. Natyrisht se duhet përmendur edhe fakti se në këto komuna është përdorur më së shumti demokracia, duke pasur parasysh se ekzistojnë disa parti me platforma të qarta e të paqarta (sepse ndërrimi i shpeshtë i koalicioneve mes partive “të djathta” e “të majta” e fakton një gjë të tillë). Lugina e Preshevës që kohëve të fundit është pjesë e kalkulimeve politike në dialogun midis Kosovës e Serbisë, duket se ka marrë një rëndësi të veçantë të cilin nuk e ka pasur në këtë formë deri më tani. Një gjë e tillë nga krerët e dialogut midis dy vendeve u prezantua para shpalljes së zgjedhjeve për Këshill Nacional (KN) në Serbi dhe ishte një tregues i qartë për subjektet politike shqiptare që garuan në zgjedhjet e para disa ditëve për KN, që të unifikojnë qëndrimet e tyre dhe të dalin me një qëndrim unik dhe të qartë dhe me kërkesa serioze, në mënyrë që të tërheqin edhe interesimin e bashkësisë ndërkombëtare që është sponsorizuesi kryesor i dialogut Kosovë-Serbi. Një gjë e tillë nuk ndodhi dhe për befasi shumica e partive politike që veprojnë në Luginë dolën me qëndrim për pjesëmarrje në këto zgjedhje për krijimin e KN, këshill ky i cili deri më tani nuk lë shumë për të dëshiruar sa i përket të drejtave kombëtare, sidomos të shqiptarëve të Luginës. Ndodhi ajo që edhe pritej, por e papritura e këtyre zgjedhjeve njëjtë sikur në zgjedhjet e mëparshme, ishte prapë mos-unifikimi në një platformë të përbashkët dhe definimi i qartë i kërkesave të përbashkëta të cilat do të përfaqësonin të drejtat dhe synimet e shqiptarëve të “Luginës”. Kishte kandidatë shumë potencial që dëshmuan se mund të jenë bartës të proceseve politike edhe në të ardhmen, por edhe u vërejt prapë se dikush tentonte të dëshmonte forcën politike, duke mos e ditur vlerën politike dhe juridike të KN. E metë tjetër e këtij procesi ishte pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në kutitë e votimeve dhe kjo mund të përfaqësojë dy qëllime. Një, refuzimi i qytetarëve për të marrë pjesë në këto zgjedhje, duke pasur parasysh zhvillimet e fundit politike dhe diskursi i presidentit të Kosovës për korrigjim kufijsh midis Kosovës dhe Serbisë dhe dy, mos-interesimi për politikën që në fakt do të thotë mos-interesim për standardet jetësore, shëndetin, punën, të drejtat dhe liritë të ardhmen, etj. Është një rast shumë ideal që faktori politik shqiptar i Luginës të unifikohet dhe të krijojë një platformë të qartë, që ishte dashur të bëhej shumë më herët dhe të fliste njëzëri në çdo takim, tubim, pse jo edhe dialog, për të sensibilizuar opinionin ndërkombëtar dhe për të dëshmuar se në rast të ndonjë shënjimi të kufijve apo të çfarëdo marrëveshje tjetër, duhet të jenë pjesë përbërëse e marrëveshjes. Është momenti që të unifikoheni dhe të realizoni të paktën disa të drejta themelore, nxënësit të mësojnë me abetare sikurse bashkëkombësit e tyre në Shqipëri dhe Kosovë dhe të bëhet e qartë se nuk jetojmë më në kohën e primitivizmave por në shekullin e modernizimit dhe teknologjisë. Shkruan: Atulla Rexhepi.
Kristin Prengaj