Përkrahet iniciativa për hapjen e pikëkalimit në Kapi

0
Zëvendëskryetari i komunës së Medvegjës Florim Sahiti i shoqëruar nga këshilltarët shqiptarë të Kuvendit Komunal dhe përfaqësuesi i UDSH-së për Medvegjën Rexhep Abazi sot në pikëkalimin kufitar në Kapi ka takuar homologun e tij nga komuna e Kamenciës Fatmir Matoshi me bashkëpunëtorë. Dy delegacionet kanë zgjedhur që nga terreni t’i japin përkrahje iniciativës për hapjen e këtij pikëkalimi.
med OK
“Sot kemi ardhur këtu në “Kapi” për t’i dhënë mbështetje iniciativës për hapjen e këtij vendkalimi. Ne përfaqësuesit e komunës së Medvegjës vazhdimisht kemi kërkuar viteve të fundit që të hapet ky vendkalim. I kemi dërguar shkresa zyrtare kryeministrit të Serbisë, Ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, kemi pasur takime edhe me kolegët tanë nga Kamenica. Interesimi është i dyanshëm që ky pikëkalim të hapet sa më shpejtë. Disa ditë më parë ne kemi marrë premtime edhe nga Ministrja për dialog, zonja Edita Tahiri se do të angazhohet në Bruksel për hapjen e këtij pikëkalimi”, tha zëvendëskryetari i komunës së Medvegjës, Florim Sahiti. Sipas tij, ky pikëkalim është me rëndësi sepse së pari do të mundësonte të kthehej bashkëpunimi i mirë ekonomik, shoqëror, kulturor që ka ekzistuar ndërmjet Medvegjës dhe Kamenicës. “Banorët e Kamenicës e kanë shumë afër të vijnë në Banjë të Sjarinës e cila është e njohur për ujërat dhe baltën e saj shëruese. Pastaj neve do të na mundësohej një komunikim shumë më i shpejtë me Bujanocin e Preshevën sepse nëpërmes Kamenciës rruga do të shkurtohej për 100 km”, tha Sahiti.

“Ky është një takim në kuadër të përpjekjeve tona të vazhdueshme që po bëjmë, tash një vit e më tepër për hapjen e këtij pikëkalimi kufitar dhe për të mundësuar një qarkullim sa më të lirë të qytetarëve si të anës së Kamenicës por ashtu edhe të komunës së Medvegjës. Kjo rrugë përveç se lidhë dy komunat tona, lidhë edhe familjet të cilat kanë të afërm, familjarë edhe në atë pjesë të kufirit por edhe në këtë pjesë të kufirit”, tha nënkryetari i komunës së Kamenicës, Fatmir Matoshi. Ai shtoi se Ministrja për dialog, Edita Tahiri e ka ngritur këtë çështje në Bruksel duke kërkuar që përfaqësuesit e Bashkimit Evropian ta diskutojnë hapjen e këtij pikëkalimi me autoritetet serbe. “Ne besojmë se pas gatishmërisë që ka shprehur Qeveria e Kosovës të njejtën do ta shprehë edhe Qeveria e Serbisë dhe në një të ardhme të afërt do ta bëjmë realitet hapjen e këtij pikëkalimi”, tha Matoshi.

“Takimi i parë mes dy komunave pas luftës në vitin 1999 është mbajtur në vitin 2004 me iniciativë të OJQ-së “Shpëtimi””, bëri të ditur përfaqësuesi i UDSH-së për Medvegjë, Rexhep Abazi. Sipas tij, që atëherë është biseduar për nevojën dhe rëndësinë e hapjes së këtij pikëkalimi. “Ka pasur vullnet që të hapet ky pikëkalim por trazirat në Kosovë në vitin 2004 kanë bërë që kjo çështje të shtyhet”, tha Abazi.

“Ne duhet të kalojmë nëpërmes Mutivodës për të ardhur në pronën tonë që kemi këndej në Medvegjë. Jemi të detyruar t’i bëjmë 30 kilometra më tepër rrugë”, tha Ruhan Berisha, banor i komunës së Kamenicës. Ai shtoi se hapja e këtij pikëkalimi ka bërë që banorët të zhvendosen në masë të madhe nga kjo zonë.

Medvegja dhe Kamenica gjithnjë kanë pasur bashkëpunim të mirë ekonomik, shoqëror, kulturor. Banorët me nostalgji kujtojnë takimet e viteve 70-të – 80-të ku një vit ka qenë nikoqir Kamenica e një vit Medvegja, ndërsa në këto takime ka pasur gjithmonë aktivitete shoqërore, sportive, tregtare. Mbi të gjitha nuk harrohet as bashkëpunimi ndërmjet shkollës Banja e Sjarinës dhe shkollës së Tugjevcit, ku zakonisht në vjeshtë janë takuar nxënësit e të dy shkollave. (mepress.info)

 

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com