Pendarovski: NATO, alternativa më e mirë për Maqedoninë
15:04 | 16 Prill 2018

Ai thekson se Maqedonia që nga pavarësia e saj në fillim të viteve ‘90, ka bërë të qartë perspektivën e saj evropiane dhe se është koha që të fillojë të realizohet ky synim, pavarësisht sfidave që ende e pengojnë këtë rrugëtim të gjatë.

“Unë mendoj se ne deri në mëngjes mund të bisedojmë për alternativa, megjithatë variant më të mirë se agjenda e dyfishtë e integrimit, nuk mund të gjejnë, pra integrimin në NATO dhe Bashkimin Evropian. Unë, nuk shoh alternativë më të mirë për Maqedoninë, duke marrë parasysh kohezionin si shoqëri, duke marrë parasysh përbërjen heterogjene të popullatës që jeton në këtë vend, apo duke marrë parasysh potencialet për prosperitet dhe zhvillim ekonomik”.

“Këto mund të arrihen vetëm se në këto organizata ndërkombëtare”, thotë Pendarovski, i cili në zgjedhjet e fundit presidenciale ishte edhe kandidat për kryetar shteti i propozuar nga social-demokratët e kryeministrit Zoran Zaev.

Pendarovski është i vetëdijshëm se pengesa kryesore për procesin e integrimit euroatlantik është moszgjidhja e kontestit me Greqinë për çështjen e emrit të Maqedonisë, por ai beson se pala greke do të heqë dorë nga kërkesat që, sipas tij, i takojnë shekullit XVIII. Koordinatori nacional për NATO-n, thotë se qëndrimet greke janë fyese dhe se dy vendet duhet të gjejnë një zgjidhje që do të bazohej në respektin e ndërsjellë, përfshirë edhe çështjet që kanë të bëjnë me identitetin.

“Nuk e di se çfarë mund të bëjë Greqia në të ardhmen, megjithatë dua qartë dhe publikisht ta them se propozimet e deritashme greke, shpeshherë nuk kanë kontakt me realitetin. Është nënçmuese që të diskutohen në shekullin XXI, mendoj, për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin, e të cilat besoj se janë mbyllur si në aspekt të historisë, politikës, por edhe të njerëzimit”.

“Mendoj se janë çështje, të cilat nuk duhet të jenë pjesë e asnjë tryeze të bisedimeve, pasi ato kanë qenë tema në shekullin e XVIII. Dua të besoj se pozicionet e deritashme të palës greke kanë qenë taktikë, apo strategji dhe se janë nisur nga pozicione të tilla, që për ne janë radikale, që në fund të arrijmë te një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët”, thekson Pendarovski.

Ai është i bindur se nga anëtarësimi i Maqedonisë në NATO asnjë shtet nuk duhet të ndihet i kërcënuar, përfshirë këtu edhe Rusinë, zyrtarët e së cilës së fundi janë kërcënuar se në rast se anëtarësohet në NATO, Maqedonia mund të jetë shënjestër legjitime e Rusisë.

Pendarovski thotë se Maqedonia as sot e as nesër, nuk do ta kërcënojë Rusinë por asnjë vend tjetër pasi anëtarësimi i vendit në NATO nuk synohet për të kërcënuar vende tjera, por për t’i ndarë vlerat që posedon kjo organizatë.

“Mendoj se retorika e tillë nuk ndihmon në përmirësimin e raporteve dypalëshe. Nëse ju kujtohet, ata thanë se kur të anëtarësohet në NATO, Maqedonia do të jetë shënjestër legjitime e Rusisë. Por, unë vlerësoj se shënjestër legjitime mund të jetë një vend vetëm se kur paraqet kërcënim për një shtet tjetër, përndryshe pse të jetë shënjestër legjitime e federatës ruse? Unë, por edhe e tërë udhëheqësia e vendit, themi se Maqedonia as sot kur nuk është anëtare e NATO-s, e as nëse kur do të jetë anëtare, nuk paraqet kërcënim për Rusinë”.

“Ne nuk paraqesin kërcënim për asnjë vend fqinj pasi ne nuk synojmë NATO-n për të qenë kërcënim për ndonjë shtet, por që të ndajmë vlerat e përbashkëta me anëtaret tjera të këtyre organizatave”, thotë Stevo Pendarovski, koordinator nacional për NATO-n.

Powered by WPeMatico

Alba Hoxha