Parlamenti i Maqedonisë ka miratuar ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe

0

Kuvendi i Maqedonisë ka miratuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike me të cilin avancohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në të gjitha organet e pushtetit qendror. Ligji u miratua me 69 vota për, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur. Në seancë nuk morën pjesë deputetët e opozitës maqedonase të udhëhequr nga VMRO DPMNE e cila këtë ligj e cilëson si antikushtetues.

Sipas dispozitave të ligjit të miratuar, gjuha shqipe do të përdoret për herë të parë edhe në Qeveri, si në të folur edhe në të shkruar. Trajtim të njëjtë do të ketë edhe në Kuvend, përfshirë edhe kryesuesin e seancave nëse është shqiptar, por edhe në të gjitha organet tjera të pushtetit qendror, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, komisionet.

Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe është formuluar si “gjuhë të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullatës”. Ajo do të zbatohet edhe në të gjitha tabelat udhëzuese të institucioneve shtetërore dhe në komunat ku gjuha shqipe përdoret mbi 20 për qind të popullatës së përgjithshme.

Gjuha shqipe do të përdoret edhe në të gjitha mbishkrimet e institucioneve të nivelit qendror, krahas atyre në pushtetin lokal ku gjithashtu gjuha shqipe është zyrtare në komunat ku shqiptarët përbëjnë mbi 20 për qind të numrit të përgjithshëm të popullatës.

Gjuha shqipe nuk do të përdoret në bankënota dhe në uniformat e Armatës, por partnerët e koalicionit qeverisës, kanë arritur marrëveshje që në bankënota të përdoren simbole kulti që do të reflektojnë edhe ato shqiptare. Sa u përket uniformave të policisë, punonjësve të shëndetësisë dhe zjarrfikësve, gjuha shqipe do të figurojë vetëm në ato komuna ku së paku 20 për qind e popullatës e flasin gjuhën shqipe.

Ligji për përdorimin e gjuhëve duhet të dekretohet edhe nga Presidenti Gjorge Ivanov, i cili në disa paraqitje ka shprehur rezerva ndaj përmbajtjes së tij duke mos e përjashtuar edhe mundësinë e refuzimit të ligjit. Në rast se kjo ndodhë, atëherë ligji duhet sërish të kthehet në procedurë parlamentare.Raporton Koha.net

----- -------

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
Gjuha / Jезик / Language »