Papa: Mos harroni plagët, por mos u hakmerrni (foto&video)

0



 

 

Në fjalimin e Meshës së Shenjtë, Papa ka thënë se shumë shqiptarë e kanë paguar me jetë besimin e tyre.

“Shqipëria ka qenë një popull martirësh pasi shumë besimtarë e paguan me jetë besimin e tyre”, ka thënë ai.
Papa ka thënë se populli i Shqipërisë është i ri dhe kjo tregon se ky popull është i shpresës.
Ai ka bërë thirrje për dashuri mes popullit.
“Mos harroni folenë e historisë suaj të largët. Mos harroni plagët. Por, mos u hakmerrni dhe shkoni përpara”, ka thënë Papa.

——

Ka nisur Mesha e Shenjtë, shiu nuk pengon vizitorët e Tiranës


Mesha e Shenjtë e drejtuar nga Papa ka nisur, derisa, aktualisht, në Tiranë është duke rënë shi. Kjo nuk po i pengon aspak shqiptarët të qëndrojnë para udhëheqësit të Vatikanit, i cili ka nisur vizitën e tij në Shqipëri.

 

Papa Françesku ka nisur parakalimin mes shqiptarëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ku po përshëndet besimtarët.

Në përfundim të kalimit mes qytetarëve në sheshin “Nënë Tereza” Papa Françesku ka takuar kryebashkiakun e Tiranës, Lulzim Basha, i cili i ka dhuruar Atit të Shenjtë, çelësin e Tiranës.

—–

Pas presidentit Nishani, fjalën e ka marrë Papa Françesku.

Ai ka thënë se është i nderuar me pritjen që po i bëhet nga Shqipëria, derisa, ka thënë se vendi i shqiptarëve ka marrë rrugën e ndërtimit materialist dhe shpirtëror.

“Jam i nderuar që ndodhem në tokën e shenjtë të Shqipërisë, në tokën e martirëve”, ka thënë Papa.

Gjatë fjalimit, Papa ka thënë se Shqipëria është një vend ku respektohen të drejtat e njeriut, duke filluar nga të drejtat fetare e deri te liria e mendimit.

“Respektimi i të drejtave njerëzore, respekti është një fjalë themelore, respektimi i të drejtave njerëzore ku spikat liria fetare dhe e mendimit, janë kushte paraprake për zhvillim shoqëror dhe ekonomik të një vendi”, ka thënë ai.

Një pjesë nga fjalimi i Papës:

Jam shumë i gëzuar që gjendem mes jush në tokën e fisme të Shqipërisë, tokë heronjsh, që kanë flijuar jetën për pavarësinë e vendit, tokë martirësh, të cilët kanë dëshmuar fenë në kohët e vështira të përndjekjes. Ju falënderoj që më ftuar të vizitoj atdheun tuaj. “Tokën e Shqiponjave”, si dhe për pritjen tuaj kremtore. Ka kaluar tashmë gati një çerek shekulli që kur Shqipëria e gjeti përsëri udhën e mundimshme por edhe joshëse të lirisë. Kjo udhë i krijoi mundësitë shoqërisë shqiptare të niste ecjen e rindërtimit material dhe shpirtërore, të vinte në lëvizje shumë energji e nisma të ishte e gatshme për bashkëpunim e shkëmbim me vendet e afërta të Ballkanit e të Mesdheut, të Evropës e të mbarë Botës.

Ju përgëzoj posaçërisht për një karakteristikë fatlume të Shqipërisë që duhet ruajtur me shumë kujdes e vëmendje. E kam fjalën për bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet anëtarëve të feve të ndryshme. Klima e respektit dhe besimit të ndërsjellë ndërmjet katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve është pasuri e çmueshme për vendin dhe fiton rëndësi të veçantë në kohën tonë në të cilën grupet ekstremiste e shtrembërojnë e vërtet fetarë.

——

Në fjalën e mbajtur pas takimit me Papën, Presidenti Bujar Nishani deklaroi se ndihet i privilegjuar për vizitën e më të shquarit prej miqve në Presidencën e Republikës.

Ai tha se kjo është një ngjarje e madhe historike për kombin, vendin, dhe gjithë shqiptarët kudo që janë, të cilët njëzëri thonë “Mirëserdhët në Shqipëri”.

Presidenti shprehu falenderime për kreun e Vatikanit që zgjodhi Shqipërinë, për të parin udhëtim në Europë.

“Ati i Shenjtë ne shqiptarët jemi popull i vjetër me tëvetëdije të fortë kombëtare, i falemi Zotit në mënyra të ndryshme. Ngrehinën tonë shpirtërore e bën krishtërimi dhe isalmizmi.

Por në ndarjen e tyre dinë vetëm të dialogojnë. Mes nesh nuk ka diskriminim, nuk ka intolerancë, nuk ka ekstremizëm, por respekt reciprok të trashëguar brez pas brezi, harmoni e barazi të plotë të garantuar nga Kushtetuta e shtetit tonë laik. Ne përjetuam për gati 50 vite një diktaturë të egër, ku komunizmi tentoi të krijojë njeriun e ri pa Zot, pa liri, pa objekte kulti, pa kler, duke u shfaqur si i vetmi vend atesit në botë”, u shpreh Nishani.

Në vijim Kreu i Shtetit tha se, populli shqiptar ka rezistuar ë mënyrë heroike dhe fjalët e fundit të shqiptarëve katolikë para pushkatimit ishin “Rroftë Shqipëria, Rroftë Papa! Në emër të binomit atdhe dhe fe, ishin me dhjetëra klerikë që dhanë jetën e tyre. Ne jemi popull i Nënë Terezës”.

—–

 

 

Papa tashmë ka arritur në presidencën e Shqipërisë. Nën brohoritjet shumta të qytetarëve përreth ai u takua me Presidentin e Shqipërisë Bujar Nishani.
Para tij parakaluan edhe ushtria shqiptare.

——

Eskorta që po e përcjell Papën tashmë arritur në qytet. Njerëzit që po e presin Papën po e përshëndesin makinën e cila po përshkon qytetin.

Papa Françesku I, Jorge Maria Bergoglio për pak qaste pritet të jetë në Tiranë.Mbi 500 mijë qytetarë deri më tani raportohen të jenë në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.

Qindra gazetarë dhe siguri në nivelin më të lartë. Lartë shihen edhe snajperistë.

Gjithqka gati për Papën. Në orën 09:00 fillon ceremonia e mirëserdhjes.

—–

Pas pritjes që i bëri në Aeroportin “Nëna Terezë” kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Papa Françesku tashmë është nisur në Presidencën shqiptare.


Delegacionit që e ka pritur Atin e Shenjtë i ka prirë kryeministri shqiptar, Edia Rama. Ata kanë ecur së bashku në zonën e pritjes në aeroportin e Rinasit, ku është rregulluar një ambient i veçantë enkas për të.

Kryeministri Rama i ka dhënë Papa Françeskut dhuratën e përgatitur për të, kupën me dhe nga toka shqiptare. Ndërkohë që edhe ai dhe ministrat dhe klerit katolikë me të cilët Rama e ka pritur Papën kanë marrë nga një dhuratë simbolike prej tij.

—–

Ati i Shenjtë, Papa Françesku prek tokën shqiptare për të bekuar njerëzit e saj. Papa i të thjeshtëve zgjodhi për të filluar vizitën e tij në Evropë një vend si Shqipëria. Ati i Shenjtë zgjodhi Tiranën më shumë se sa një nga kryeqytetet e mëdha, për të përgëzuar një kishë në rritje pas një diktature të tmerrshme dhe një dialog kombëtar të qetë mes feve.

Ndërsa në orën 11.00, Shqipëria do të jetë në vëmëndjen e mediave botërore për të transmetuar direkt Meshën e Shenjtë që do të mbajë Ati i Shenjtë nga Sheshi Nënë Tereza.

Vizita do të jetë një maratonë prej 11 orësh, gjatë së cilës Françesku do të takojë krerët shqiptarë, do të celebrojë një meshë në sheshin Nënë Tereza në Tiranë, më pas në Universitetin e Këshillit të Zonjës së Mirë do të përshëndesë krerët fetarë, dhe do të mbledhë në katedralen e re rininë katolike për mbrëmësoren. Kjo ditë, historike për gjithë shqiptarët do të përfundojë në një qendër sociale, “Bethanie”, rreth 20 kilometra larg nga Tirana, ku do të takojë jetimë handikapatë.

……

Papa Françesku pritet nga delegacioni zyrtar

Papa Francisko tashmë ka zbritur nga aeroplani i cili arriti para 20 minutash në aeroportin e Rinasit.
I pari që u takua me Papën ishte kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, derisa në tapetin e kuq e prisnin edhe liderët e tjerë të shtetit shqiptar,.

Ai pritet tashmë të shkojë drejt altarit tek i cili po e presin të gjithë qytetarët.

——

Papa Francesko tashmë ka arritur në aeroportin e Rinasit. Aeroplani është ulur në pistë derisa të gjithë udhëtimet janë ndërprerë, përveç atij që vjen nga Vatikani.

Kryeministri, ministra dhe të gjithë krerët e shtetit shqiptar tashmë kanë dalë dhe po i japin mirëseardhje Papës.

Qytetarët janë duke pritet në sheshin nëpër të cilin do të parakalojë ai.

 

…….

Edhe 25 minuta arrin Papa

Edhe 25 minuta kanë mbetur që Papa Francisko ta shkel tokën e Shqipërisë. Mediat shqiptare janë mbledhur në aeroportin e Rinasit. Edhe qytetarë nga Shqipëria e Kosova kanë shkuar për ta parë Papën. Gati Policia tashmë ka siguruar gjithë rrugën nëpër të cilën do të kalojë Papa, derisa edhe vendi ku do të mbahet mesha tashmë është bërë

……

Gjithçka është bërë gati. Rrugët janë bllokuar dhe gjithçka është nën kontroll. Që nga mëngjesi Tirana është mobiliziaur për vizitën e Papa Françeskut.
Qysh herët policia ka nisur patrullimin në rrugë të cilat janë bllokuar për qarkullim. Edhe kompanitë telefonike do të ndërpresin sinjalin të dielën në disa zona të qytetit

‘Në meshë do të lexohet libri i “Daljes” dhe letra drejtuar “Romakëve”- u shpreh Dom Gjergj Meta, duke shtuar se pjese e leximit do te jete nje person qe nuk shikon dhe nje vajze e komunitetit rom.

 

Punet e nisura kohe me pare duket se jane drejt perfundimit, nderkohe qe Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit rikujtojne gjithe qytetaret te jene te kujdesshem lidhur me masat e sigurise per qarkullimin dhe levizjen me automjete.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit njoftojne se kanë marrë të gjitha masat për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së aktiviteteve të programuara në kuadër të vizitës së Papa Françeskut në Tiranë.

Policia beri dje me dije mesditen e sotme se në vijim të njoftimeve të mëparshme, do të ndalohet totalisht qarkullimi i automjeteve duke filluar nga ora 19:00 të ditës së sotme datë 20.09.2014 në të gjitha rrugëkalimet që të çojnë drejt Sheshit Nënë Tereza, Bulevardit Dëshmorët e Kombit dhe Sheshit Skënderbej.

Më urdhër të Kryeministrit, është ngarkuar Ministri i Punëve të Brendshme me detyrën e organizimit dhe bashkërendimit të punës së të gjitha institucioneve të përfshira për marrjen e masave të sigurisë gjatë veprimtarive që do të zhvillohen me rastin e vizitës së Papës në Shqipëri. Në zbatim të këtij urdhri, Ministri i Punëve të Brendshme ka caktuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë si drejtues i operacionit për sigurinë e vizitës së Papës.


Masat e marra

Policia e Shtetit do të kalojë në gatishmëri të përforcuar në të gjithë vendin, ndërkohë që 2500 forca policore do të jenë të angazhuara me detyra konkrete për të siguruar mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve të planifikuara.

Janë marrë masa të gjithanshme duke nisur nga Pikat e Kalimit Kufitar e deri në brendësi të territorit.

Policia e Shtetit bën me dije publikun se do të ketë kontrolle të shtuara policore në të gjitha akset rrugore, si dhe në të gjitha pikat hyrëse në kryeqytet. Në zonën ku do të zhvillohet aktivitetet e parashikuara në axhendën e vizitës, masat e sigurisë dhe prezenca e punonjësve të Policisë së Shtetit me uniformë dhe civilë, do të jetë maksimale.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit u kërkon të gjithë qytetarëve të kufizojnë në maksimumin e mundshëm lëvizjet me automjetet e tyre në të gjitha akset rrugore të qytetit të Tiranës, si dhe akset që lidhin kryeqytetin me zonat përreth tij gjatë ditës së vizitës së Papës.

Policia do të jetë në gatishmëri të plotë për të shoqëruar të gjitha autoambulancat në rastet e emergjencave shëndetësore.


Lëvizja e automjeteve

– Do të ndalohet qarkullimi i automjeteve nga ora 20:30 e datës 20.09.2014 deri në orën 19:00 të datës 21.09.2014 në Sheshin Nënë Tereza, i kufizuar me rrugët “Skerdilajd Llagami„ dhe “Abdyl Frashëri„.

– Do të ndalohet qarkullimi i automjeteve nga ora 06:00-19:00 të datës 21.09.2014 në të gjitha rrugëkalimet që të çojnë drejt Sheshi Nënë Tereza, Bulevardit Dëshmorët e Kombit dhe Sheshit Skënderbej. (Lista e akseve rrugore bashkëngjitur këtij njoftimi).

– Do të ndalohet parkimi i të gjithë automjeteve duke filluar nga ora 12:00 e datës 20 shtator e deri në ora 20:00 të datës 21 shtator në akset rrugore:

o Bulevardi Dëshmorët e Kombit

o Bulevardi Zogu I

o Bulevardi Zhan D’Ark

o Bulevardi Gjergj Fishta

o Rruga e Durrësit, nga mbikalimi i Kamzës – Sheshi Shqiponja – Sheshi Skënderbej,

o Rruga e Elbasanit

o Rruga e Kavajës

o Rruga Abdyl Frashëri

o Rruga Sulejman Delvina

o Rruga Muhamet Gjollesha

o Rruga Ibrahim Rrugova nga sheshi Frederik Shopen – Gjykata e Lartë – Banka e Shqipërisë deri te rruga e Durrësit.

o Rruga e Dibrës.

o Aksi Unaza e Re – Sheshi Shqiponja – Ura te Shkolla Teknologjike – Rruga e Kavajës.

– Nuk do të lejohet qarkullimi në të gjitha akset rrugore të Tiranës i automjeteve të tonazhit të rëndë mbi 7.5 ton, pasi krijojnë vështirësi në qarkullim.

– Automjetet e mbyllura, mjete te transportit të mallrave me karroceri të mbyllur do tu nënshtrohen kontrolleve policore në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa drejtuesit e tyre do të shoqërohen në polici, nëse konstatohet lëvizja e tyre pa objekt të përcaktuar.

Lëvizja e automjeteve që do të transportojnë pelegrinët

– Autobusët që do të sjellin pelegrinët nga Veriu i Shqipërisë do të devijojnë lëvizjen tek Sheshi Shqiponja përmes Unazës së Re, duke kaluar tek rruga e Kavajës drejt kryqëzimit tek “21 Dhjetori„ ku do të zbresin pelegrinët. Më pas parkimi i autobusëve do të bëhet në Unazën e Re.

– Autobusët që do të sjellin pelegrinët nga Jugu i Shqipërisë do të qarkullojnë përmes aksit Plepa- Ndroq-Kombinat, duke kaluar tek rruga e Kavajës drejt kryqëzimit tek “21 Dhjetori„ ku do të zbresin pelegrinët. Më pas parkimi i autobusëve do të bëhet në Unazën e Re.

– Autobusët që do të sjellin pelegrinët nga Juglindja e vendit do të kalojnë përmes Unazës së madhe dhe më pas tek Kopshti Zoologjik do të bëhet zbritja e pelegrinëve dhe njëkohësisht parkimi i autobusëve.

– Për automjetet me të cilat do të bëhet transporti i personave me aftësi të kufizuar pjesëmarrës në aktivitetet, parkimi i tyre do të bëhet tek Fakulteti Filologjik.

Lëvizja e autobusëve me pelegrinë do të lejohet deri në orën 08:00. Pas orës 08:00 asnjë autobus nuk do të lejohet të hyj në qytet.

Lëvizja e qytetarëve që do të marrin pjesë në aktivitet
– Në të gjithë perimetrin që rrethon Sheshin Skënderbej, Bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe Sheshin Nënë Tereza janë vendosur 27 pika kontrolli, ku do të realizohet kontrolli i të gjithë pjesëmarrësve në ceremoni me detektor metalesh, lëndësh eksplozive dhe pajisjesh të tjera speciale për kontroll e mbikëqyrje.

– U kërkohet të gjithë pjesëmarrësve në ceremoni që të kalojnë përmes këtyre pikave të kontrollit. Nëse tentojnë të kalojnë jashtë këtyre pikave do të shoqërohen në Komisariatet e policisë.

– Personat që do të marrin pjesë në ceremoni me ftesa, bashkëngjitur ftesës duhet të kenë edhe kartën e identitetit. Nga ana e policisë do të bëhet kontrolli me listat përkatëse në pikat e kontrollit dhe nuk do të lejohen personat që nuk kanë kartat e identitetit. Personat që kanë ftesë por nuk do të figurojnë në listat që ka Garda apo Policia e Shtetit në pikat e kontrollit do të shoqërohen në ambientet policore.

Lëvizja drejt Aeroportit të Rinasit dhe fshatit Bubq

– Aksi rrugor në drejtim të Rinasit do të jetë i bllokuar nga ora 08:00 deri në orën 10:30.

– Të gjitha akset rrugore në drejtim fshatit Bubq do të jenë të bllokuara nga ora 17:00 deri në ora 19:00.

– Aksi Bubq – Rinas do të jetë i bllokuar nga ora 17:00 deri në 20:30.

– Qytetarëve që kanë lëvizje drejt aeroportit u kërkohet që të shfrytëzojnë hapësirat jashtë këtyre harqeve kohore për shkuar në Rinas.

Këshilla për qytetarët që do të marrin pjesë në ceremoni

– Qytetarët që do të marrin pjesë në ceremoni të evitojnë veshjet e rënda, pasi nga policia do të ketë kontrolle trupore.

– Nuk duhet të kenë me vete çanta shpine apo valixhe të ndryshme.

– Të mos mbajnë sende të forta apo objekte të tjera që mund të jenë të dyshimta për forcat e policisë.

– Nuk do të lejohet mbajtja e shisheve të qelqit. Rekomandohet përdorimi i shisheve plastike për ujë apo pije të tjera freskuese.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit ftojnë të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e përpjekjes së përbashkët për të garantuar siguri maksimale për vizitën e Papës duke telefonuar policinë në numrin 129 për të gjitha rastet kur ata do të konstatojnë diçka të dyshimtë.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com