PACOLLI KËRKON NDËRPRERJEN E BISEDIMEVE ME SERBINË

0

Pacolli, ka kritikuar Qeverinë e Serbisë për anulimin e zbatimit të marrëveshjes për njohjen reciproke të policave të sigurimit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Rrahim Pacolli

Shtyrjen e zbatimit të kësaj marrëveshje, e cila ishte paraparë të ndodhte më 24 korrik, kryesuesi i delegacionit teknik për bisedime për çështje të sigurimeve, Rrahim Pacolli e ka vlerësuar si veprim joserioz të palës serbe para bashkësisë ndërkombëtare. Në këtë bisedë për “Epokën e re” ai ka thënë se Serbia lojërat e tilla do t’i vazhdojë edhe më tutje. “Moszbatimi i marrëveshjes për lëvizje të lire të qytetarëve nga pala serbe tregon edhe një herë joseriozitetin dhe jostabilitetin që elita politike serbe vazhdimisht ka bërë dhe po bën me faktorin ndërkombëtar. Bashkësia ndërkombëtare dhe BE-ja duhet ta kenë parasysh se këto lojëra të Serbisë do të vazhdojnë ashtu siç edhe kanë bërë në të kaluarën e tyre”, ka thënë Pacolli.
Ai i ka propozuar Qeverisë së Kosovës t’i ndërpresë bisedimet me Serbinë deri në zbatimin e kësaj marrëveshje. “Elita politike serbe ka vazhduar dhe po vazhdon të sillet në mënyrë të paskrupullt edhe në rastin në fjalë. Propozoj që pa zbatimin e kësaj marrëveshje të anulohen të gjitha takimet dhe bisedimet me palën serbe”, ka thënë Pacolli. Sipas tij, fuqizimi i marrëveshjes për njohjen reciproke të policave të sigurimit në mes të Kosovës dhe Serbisë do të ishte një hap drejt Kartonit të Gjelbër. Ai ka shtuar se Kosova i kishte bërë të gjitha përgatitjet për ta zbatuar këtë marrëveshje ashtu siç ishin pajtuar në Bruksel.
Pacolli ka treguar se fillimi i zbatimit të kësaj marrëveshje do t’ua mundësonte qytetarëve të Kosovës që të udhëtojnë nëpër Serbi me makinat e tyre vetëm duke u pajisur me Policen TPL+. “Rëndësia e zbatimit të kësaj marrëveshje për qytetarët e Kosovës do të ishte mjaft e madhe, sepse ata qytetarë që dëshirojnë të udhëtojnë për në Serbi do t’u nevojitet vetëm Polica TPL+, të cilën mund ta marrin në kompanitë e sigurimeve në Kosovë dhe nuk do të kishin nevojë të paguajnë të holla sikur më herët për të hyrë në Serbi”, është shprehur ai, duke shtuar se po bëhen përpjekje dhe shumë shpejt do të evitohen edhe radhët e gjata të pritjeve në kufijtë me shtetet tjera. “Zbatimi i marrëveshjes për lëvizje të lirë do të ishte një progres dhe një hap i vogël në shërbim të lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës. Besoj se shumë shpejt ne nuk do të kemi më nevojë të presim në radhë të gjata për t’i kaluar kufijtë e shteteve të tjera, sepse shumë shpejt qytetarët e Kosovës do ta kenë në duar Kartonin e Gjelbër me të cilin do të shëtisin lirshëm në gjithë Evropën dhe për këtë po punohet intensivisht. Kjo pritet të ndodhë vitin e ardhshëm dhe do të jetë një lehtësimi i madh për bashkatdhetarët tan”, ka thënë Pacolli. Sipas tij, me fillimin e zbatimit të kësaj marrëveshje Serbia më nuk do të mund ta pengonte Kosovën për marrje të Kartonit të Gjelbër. “Kjo marrëveshje me Serbinë është e rëndësishme sepse me zbatimin e saj shteti serb më nuk do të mund të dalë kundër dhe është një marrëveshje ndoshta edhe politike. Besoj se vitin tjetër disa gjëra teknike që duhet të arrihen do të tejkalohen”, ka thënë Pacolli.
Ndër të tjera, ai ka vlerësuar se me këtë marrëveshje të arritur në Bruksel Byro Evropiane e Sigurimeve do ta kuptojë seriozitetin e Kosovës dhe do të ofrojë një zgjidhje për Kartonin e Gjelbër. “Shpresoj se Kosova nuk do të ketë më ndonjë pengesë drejt anëtarësimit në Kartonin e Gjelbër. Besoj se Byro Evropiane e Sigurimeve e ka kuptuar që ne jemi seriozë në këtë çështje dhe jam i bindur se ata do të na gjejnë një zgjidhje për implementimin e Kartonit të Gjerbet”, është shprehur ai.
Marrëveshja për njohjen reciproke të policave të sigurimit në mes të Kosovës dhe Serbisë është arritur më 23 qershor pas shumë takimeve të mbajtura në Bruksel ndërmjet delegacionit teknik të Kosovës dhe delegacionit serb me ndërmjetësim të BE-së. Përveç qytetarëve të Kosovës, me zbatimin e kësaj marrëveshje do të përfitonin shumë edhe shqiptarët e Preshevës, të Medvegjës e të Bujanocit.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com