Organizata”SHPRESA”, shënon ditën ndërkombëtare të shëndetit

0

Adnani 1

Përfaqësuesit e Organizatës ”SHPRESA”, respektivisht grupi i femrave, i udhëhequr nga Arbresha Sabedini, nxënëse e vitit të IV-të, drejtimi mjeksisë, sot me datë 07.04.2016, shënuan ditën ndërkombëtare të shëndetit, duke realizuar dy intervista me dy mjek të Komunës së Bujanocit, Dr.Adnan Salihu dhe Dr.Amir Rexhepin.

Dita Botërore e Shëndetit është një forum për informim dhe diskutim rreth shëndetit në botë. Ajo festohet çdo vit në 7 prill në 193 vende anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Caktimi i ditës Botërore të Shëndetit ishte një nga aktet e para zyrtare të OBSH-së.
7 prilli është dita e miratimit zyrtar të kushtetutës së OBSH-së, kështu që kjo ditë kujton pikërisht atë moment të rëndësishëm të jetës së OBSH-së.
Intervistën me Dr.Adnan Salihun dhe Dr.Amir Rexhepi ja sjellim në formë të shkruar:

Intervista me Dr.Adnan Salihu;

1.Cilat sëmundje janë më të përhapura në Komunën e Bujanocit?
1.Në Komunën e Bujanocit si dhe në gjithë botën bashkohore më të shpeshta janë sëmundjet kardiovaskulare.
2.Cilat janë grupmoshat që preken më së shumti prej këtyre sëmundjeve?
2.Moshat më te prekura nga këto sëmundje janë ato pas dekadës së katërt, por kohëve të fundit janë të prekur edhe moshat më të reja.
3.Si mund të bëhet preventiva e tyre?
3.Të ushqyerit e shëndetshëm me sa më pak yndyrëra shtazore dhe sheqer, si dhe aktiviteti i rregullt fizik janë preventiva më e mirë.Kontrollimet e rregullta preventive bëjnë qe këto sëmundje të zbulohen më herët si dhe të evitohen komplikimet e ndryshme nga këto sëmundje
4.Sa kujdesen për shëndetin e tyre popullsia e Bujanocit, apo lajmërohen vetëm në raste të problemeve serioze?
4.Për fat të keq ende nuk është në nivelin e dëshiruar vetëdija e qytetarëve të Komunës së Bujanocit për kujdesin ndaj shëndetit të tyre.
5.A mendoni se edukimi shëndetësor është në nivelin e duhur , vecanerisht tek sëmundjet ngjitese dhe ato vdekjeprurese?
5.Nuk mund te jemi të kënaqur me nivelin e edukimit shëndetësor si për sëmundjet ngjitëse ashtu edhe për sëmundjet qe shkaktojnë vdekshmëri më të madhe.
6.Çka mund të bëjnë më tepër institucionet shëndetësore per informimin e duhur të pacientëve ?
6.Si në punën e përditëshme me të sëmuret ashtu edhe përmes mediave por edhe duke organizuar tribuna të ndryshme dhe forma tjera, institucionet shëndetësore mund të rrisin nivelin e informimit për problemet e cekura.
7.A i ka Bujanoci kapacitetet e nevojshme për perballimin e fluksit të pacientëve si në aspektin profesional ashtu edhe në atë teknik?
7.Mendoj se Bujanoci ka kapacitetet e duhura profesionale si dhe ato teknike për të ofruar mbrojtje primare shëndetësore,por që në të ardhmen duhet të mendohet që në nivel të Luginës së Preshevës të ngriten kapacitetet për mbrojtje shëndetësore sekondare.
8.Cili është mesazhi juaj drejtuar qytetarëve në 7 prill ditën ndërkombëtare të shëndetësisë?
8.Për ruajtjen e shëndetit të mos mendojmë vetem me 7 prill në ditën ndërkombëtare të shëndetësis por gjatë gjithë vitit, sepse është vërtetuar se preventiva është forma më e lirë dhe më e mirë për ruajtjen e shëndetit tonë.

Intervista me Dr.Amir Rexhepi

1.Çka është hipertensioni?
Shtypja e gjakut është forca shtyese e gjakut nëpër enët e gjakut. Rritja e shtypjes së gjakut shkakton tendosjen e enëve të gjakut. Vlerat normale janë zakonisht 120/80. Hipertensioni përcaktohet te të rriturit kur shtypja sistolike është mbi 140 mm Hg ose shtypja diastolike është mbi 90 mm Hg
2.Cilet jane shkaktaret e hipertensionit?
Mbi pesha,,marrja e tepërt e kripës, disa barna, dhe mungesa e aktivitetit fizik kontribojnë në hipertension. Më shumë se gjysma e të gjithë njerëzve të moshës 65 dhe më të vjetër kanë hipertension. Njerëzit me diabet, obez, sëmundje të veshkave; përdoruesit e alkoolit, dhe gratë që marrin barna kontraceptivë janë me rrezik të rritur. Njerëzit që kanë prindërit ose gjyshërit me hipertension janë më të rrezikuar
3.Cilat janë shenjat dhe simptomat e hipertensionit?
Njerëzit zakonisht nuk kanë simptome apo kanë simptome të lehta dhe të paqarta. Hipertensioni i rëndë mund të shkaktojë dhimbje koke, marramendje, të pamurit e paqartë, vjellje, ushtimë në veshë, konfuzion dhe lodhje.
4.Si diagnostifikiohet hipertensioni?
Hipertensioni diagnostikohet nëse shtypja e gjakut është e lartë së paku gjatë dy vizitave te zyra mjekut. Mjeku mund të kontrolloj shtypjen e gjakut në pozitë të shtrirë dhe këmbë, dhe poashtu në të dy krahët.
5.Si mund të mjekohet?
Njerëzit duhet të marrin ilaçet e përditshme për të kontrolluar tensionin e lartë. Këto barna zakonisht përfshijnë diuretik, beta-bllokator, vazodilator, bllokator të kanaleve të kalciumit, dhe alfa-bllokator. Njerëzit me hipertension duhet të kontrollohen në mënyrë rutinore dhe të jenë nën kujdesin e mjekut.
6.Cilat janë komplikimet që mund te vijnë si rezultat i hipertensionit?
Hipertensioni i patrajtuar lodhë zemrën dhe arteriet dhe me kalimin e kohës i dëmton. Hipertensioni është faktori kyç i rrezikut për dështimin e punës së zemrës, sulm në zemër, sulm në tru, dhe dëmtime në sy apo në veshka.
7.Si mund ta parandalojmë hipertensionin?
Ndryshimet e mënyrës së jetesës, të tilla si zgjedhja e ushqimeve me pak kalori, kripë dhe yndyrë. Gjithashtu, mbajtja e një peshe të shëndetshme, dhe rritja e aktivitetit fizik ndihmojnë në parandalimin e hipertensionit.
8.Cilat jane ndryshimet që pacientet me hipertension duhet të bëjnë në stilin jetësor dhe dietën e tyre për ta mbajtur nën kontroll këtë sëmundje?
Reduktimin e marrjes përditëshme kripës deri 2400 miligram (mg) ose më pak.
Mbajtjen e një dietë të shëndetshme, të pasur me fruta, perime, dhe produkte bulmeti me yndyrna të pakta.
Mbajtjen e një peshe normale.
Aktivitete fizike aeorbike rregullta të tilla si ecje shpejta (së paku 30 minuta në ditë, shumicën e ditëve javës).
Marrjen e barnave si është rekomanduar nga mjeku.
Kufizimin e pirjes së kafesë.
9.Cili është mesazhi juaj drejtuar qytetarëve në 7 prill ditën ndërkombëtare të shëndetësisë?
Porosia ime për lexuesit e intervistës suaj është që të mendojnë gjithmonë pozitivisht, të kujdesen për shëndetin e tyre duke e mbushur kohën e lirë të tyre me aktivitete sportive, të ushqehemi shëndetshëm, si dhe po ashtu edhe ta ushqejmë trurin me lexim sikurse e ushqejmë trupin me ushqim. Një stil i mirë i jetes pa duhan, pa alkool dhe duke menjanuar veset jo të mira që ndikojnë negativisht është modeli që duhet ndjekur.
Shendet juve dhe lexuesve tuaj.

d....

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com