O’Connell flet për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL
13:57 | 22 Shtator 2018

O’Connell thotë se anëtarësimi i Kosovës në Interpol do ta çonte Kosovën përpara për të realizuar objektivat në luftën kundër krimit të organizuar.

‘’Mbretëria e Bashkuar e sheh anëtarësimin e Kosovës në përputhje me mandatin e Interpolit për të rritur bashkëpunimin, njohuritë e përbashkëta dhe praktikat më të mira në zbatimin e ligjit ndërkombëtar. Ne konsiderojmë që rritja e shkëmbimit të informacionit do të çonte më tej realizimin e objektivave tona të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar’’, tha O’Connell.

Ndërsa, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Isa Xhemajlaj për lajmi.net ditë më parë ka thënë se gjithçka është gati për anëtarësimin e Kosovës në Interpol dhe se gjatë kësaj kohe janë përgatitur që të sigurojnë vota tek shtetet që janë më pak të besueshme, pasi që ato nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Mendoj që kemi gjetur një përkrahje të mirë, kemi arritur t’i nxisim të votojnë disa shtete të cilat mund të jenë kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol. Është një procedurë për pranim në Interpol që edhe shtetet që abstenojnë llogariten si pozitive. Gjatë kësaj kohe fokusi ynë kryesor kanë qenë  tek ato shtete që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. Ato kanë të drejtë të votojnë dhe nëse abstenojnë do të jetë ndihmesë e madhe nga ana e tyre sepse llogaritet si votë pozitive. Shpresoj që deri në nëntor të sigurohemi që të marrim votat e nevojshme për pranim të Kosovës në Interpol”, kishte thënë Xhemajlaj.

Aplikacioni për anëtarësim i Kosovës është përfshirë në draftin e agjendës së përkohshme të sesionit të 87 të Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOLIT, i cili sipas njoftimeve të mëparshme mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe në nëntor. Të anëtarësuara në INTERPOL janë gjithsej 192 shtete. /Lajmi.net/

Aurela Hoxha