Nuk miratohet vendimi i presidentit për kthimin e Ligjit për shoqëritë tregtare

0

Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar vendimin e presidentit Hashim Thaçi për kthimin e Ligjit për shoqëritë tregtare, pasi 28 deputetë votuan pro, 32 ishin kundër dhe 7 abstenuan. Me mos miratimin e vendimit të presidentit, projektligji mbetet ashtu siç është miratuar me amendamentin, i cili parasheh kuotën për bizneset që në bordet e tyre udhëheqëse të kenë 40 për qind gra.

Deputetja, e cila ka propozuar amendamentet që obligojnë shoqëritë tregtare që të kenë 40 për qind femra në bordet udhëheqëse, Mimoza Kusari-Lila, tha se argumentet e presidentit, nuk janë të qëndrueshme.

“Argumentet e presidentit nuk qëndrojnë, sepse ai ka injoruar nenin 24 të kushtetuese për parimet e të drejtat e grupeve që janë në pozitë të pabarabartë të cilat zbatohen deri në ndryshimin e pozitës. Kushtetuta kërkon që institucionet të garantojnë dhe respektojnë të drejtat e njeriut dhe trajtimin e barabartë. Sipas gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut nuk ndalon që një shtet të trajtojë një grup ndryshe, por në fakt kur ka pabarazi faktike është shteti ai që duhet të ndërmarr masa për përmirësimin e kësaj gjendje”, tha Kusari-Lila.

Në emër të grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi është shprehur kundër këtij amendamenti të propozuar nga Kusari-Lila.

“Në emër të PDK-së, unë ju njoftoj se do ta mbështesim rekomandimin e presidentit që në fakt është rekomandim i komisionit sepse siç e parasheh kushtetuta, komisioni i ka dhënë mbështetje këtij rekomandimi. Ky amendament nuk e ka në fokus fuqizimin e grave në bizneset e Kosovës, është një tendencë për të imponuar vendime në biznesin privat. Nuk e ndihmon funksionimin e lirshëm të biznesit në Kosovë dhe si i tillë do të duhej të votohej rekomandimi i komisionit e amendamenti i Mimoza Kusarit të hiqej nga projektligji”, tha Krasniqi.

Sipas tij, me këtë logjikë të imponimit po e ngushtojnë funksionimin dhe veprimin e lirshëm të bizneseve duke i imponuar kuotën gjinore, të cilat do të duhej të vinin në mënyrë të natyrshme.

Ndërsa, deputetja Fatmire Mullhaxha-Kollçaku nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se janë kundër vendimit të presidentit dhe pro amendamentit të propozuar nga deputetja Kusari-Lila.

Imponim dhe jo barazi e ka quajtur deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, vendosjen e kuotës për bizneset private.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
Gjuha / Jезик / Language »