Nuk kishin leje për të hyrë në Kosovë, Policia kthen mbrapsht basketbollistët serbë
18:53 | 10 Mars 2019

Një grup i basketbollistëve të klubit “Sloga”, nga Kraljeva nuk u lejuan që të hynin në Kosovë sot, pasi që të njëjtit nuk kishin as leje nga Federata e Kosovës dhe as asnjë dokument identifikimi.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net, Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

“Rreth orës 12:20 ju ka refuzua hyrja në Republikën e Kosovës pasi që nuk kanë pas asnjë dokument identifikimi dhe po ashtu nuk kanë pas as leje nga federata”, ka deklaruar për lajmi.net Hoxha.

Në anën tjetër pas ndalimit të këtyre lojtarëve të rinj, ka reaguar edhe shefi i të ashtuquajturës zyre për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, duke thënë se kjo është shkelje e marrëveshjes së lëvizjes së lirë.

“Nuk ka asnjë justifikim për këtë ndikim të Prishtinës në lirinë e lëvizjes, e cila tani ndalon dhe se të rinjtë janë të angazhuar në sport dhe po udhëtojnë lirshëm”, tha Gjuriç në një deklaratë për Tanjugun, transmeton lajmi.net.

Madje ai edhe kërcënoi duke thënë se do të shqyrtojnë në detaje se kush dhe pse e ka bërë këtë veprim.

“Ne do të shqyrtojmë se kush, me emër dhe mbiemër, është përgjegjës për këtë sjellje ndaj atletëve dhe fëmijëve dhe pasojat mund të shkojnë përtej kufijve të Serbisë”, paralajmëroi Gjuriq. /Lajmi.net/

Kejvina Kthella