Nga Zvicra, Kosova kërkon presion ndërkombëtar ndaj Serbisë për gjetjen e të zhdukurve
08:37 | 11 Dhjetor 2018

Kosova edhe një herë ka vazhduar të kërkoj zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit, shkruan lajmi.net.

Përfaqësues të Kosovës, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, morën pjesë në konferencën ndërkombëtare për çështjen e personave të zhdukur që këtë vit u mbaj të Gjenevë të Zvicrës.

Siç bëhet e ditur në njoftimin për media, edhe në këtë konferencë Kosova ka kërkuar presion ndërkombëtar ndaj Serbisë në lidhje zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Pjesë e këtij delegacioni ishin, Jahja Lluka, këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, Ibrahim Makolli, kryetar i delegacionit për bisedime me Serbinë për çështjen e personave të zhdukur, Arsim Gërxhaliu, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore si dhe Kushtrim Gara, udhëheqës i njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, shkruan më tutje lajmi.net.

Njoftimi i plotë pa ndërhyrje:

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, një delegacion i Republikës së Kosovës, i përbërë nga Jahja Lluka, këshilltar i kryeministrit, i emëruar Mbajtës i Dosjes për çështjen e personave të zhdukur, Ibrahim Makolli, kryetar i delegacionit për bisedime me Serbinë për çështjen e të zhdukurve, Arsim Gërxhaliu, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, dhe Kushtrim Gara, udhëheqës i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, të shoqëruar nga Benjamin Nikoliqi, konsull në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë, kanë qëndruar në Gjenevë, ku kanë mbajtur konferencë për mediat zvicerane dhe ndërkombëtare për çështjen e personave të zhdukur.

Më këtë rast, u prezantua një përmbledhje për punën e realizuar në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, respektimin e të drejtave të familjeve të personave të zhdukur, sfidat dhe punën në vijim.

Në këtë rast, ndër të tjera u theksua ‘që nga ditët e para të pasluftës, e deri më sot, tek institucionet ndërkombëtare dhe institucionet kompetente vendore (si në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur) janë evidentuar sipas kërkesave të familjarëve, mbi 6000 raste të personave të zhdukur, më saktësisht 6,057 persona të zhdukur, si pasojë e luftës në Kosovë.

Dhe, si rezultat i angazhimit të institucioneve kompetente, dhe me përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare (para së gjithash Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve perëndimore të Bashkimit Evropian dhe Zvicrës), në përpjekje për të respektuar të drejtën e familjarëve për të ditur për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre (e drejtë kjo, e garantuar edhe me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës), nga 6,057 rastet e evidentuara të personave të zhdukur, aktualisht janë edhe 1,647 raste të hapura të personave të zhdukur’.

Gjatë konferencës për media, në përgjigje edhe të pyetjeve të parashtruara, Delegacioni potencoi ‘se përkundër punës dhe rezultateve të arritura, jemi të vetëdijshëm që numri aktual i rasteve të hapura të personave të zhdukur, prej 1,647 janë rastet më të vështira për t’u ndriçuar. Republika e Kosovës, me përkrahjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare, vazhdon të jetë shembull në rajon dhe më gjerë në kuptimin e adresimit me prioritet të çështjes së personave të zhdukur dhe trajtimit të çdo informate që mund t’i kontribuojë zgjidhjes së cilitdo rast të personave të zhdukur’.

Megjithatë, sipas Delegacionit, adresa e zgjidhjes së kësaj problematike mbetet Beogradi zyrtar, pra institucionet e Serbisë. Andaj, kjo nënkupton edhe nevojën dhe domosdoshmërinë e përkrahjes së mëtutjeshme ndërkombëtare në veçanti përmes ushtrimit të presionit ndaj autoriteteve serbe që të jenë më bashkëpunuese në këtë proces dhe përmes hapjes së arkivave të ushtrisë dhe policisë serbe, të ndihmojnë në zgjidhjen e të gjitha rasteve të personave të zhdukur.

Po ashtu, gjatë qëndrimit në Gjenevë, Delegacioni ka realizuar edhe një vizitë zyrtare në Zyrën Qendrore të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, ku është pritur nga Drejtori i KNKK-së  për Evropë dhe Azi Qendrore, Patrick Vial, dhe Koordinator i Operacioneve për Evropë dhe Azi Qendrore, Nicolas Fleury. Gjatë takimit u diskutua për gjendjen aktuale të procesit të ndriçimit të fatit të personave të zhdukur, si dhe mundësitë për intensifikim të bashkëpunimit mes institucioneve vendore dhe organizatave ndërkombëtare të angazhuara në këtë proces. /Lajmi.net/

Kejvina Kthella