Nga sot pagesat e policës kufitare bëhen ‘online’

0

Sot në pikën kufitare të Merdarit është lansuar zyrtarisht softueri i pagesave “online” të policave të sigurimit kufitar për bashkatdhetarët tanë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, i shoqëruar edhe nga ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, drejtori i Policisë Kufitare, Shaban Guda dhe zyrtarët e Byrosë Kosovare të Sigurimeve, vlerësoi rëndësinë e madhe të këtij projekti  sepse duke u kryer pagesat online, do të eliminohen edhe pritjet e mërgimtarëve në kufi.

“Kjo ditë është e veçantë, sepse lansojmë softuerin për pagesën e policave ‘online’. Me këtë,  bashkatdhetarëve do t’u lehtësohet në mënyrë drastike hyrja në Kosovë. Më nuk do të krijohen radhë të gjata, por pagesa do të mund të bëhet  në mënyrë elektronike ‘online’”, tha zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi.

Ai theksoi  se po punohet për heqjen  e tërësishme të kësaj pagese.

Gashi falënderoi në veçanti edhe ish-ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj, i cili ka punuar intensivisht për jetësimin e këtij projekti të rëndësishëm.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, përgëzoi fillimin e këtij projekti, i cili në masë të madhe do t’i lehtësojë procedurat e kalimit në pikat kufitare.

Ky sistem do të jetë funksional në të gjitha pikat kufitare.

Për çdo informacion lidhur me policën e sigurimit, bashkatdhetarët do të mund të informohen në detaje në Byronë Kosovare të Sigurimeve.

Kosova ende nuk është pjesë e Kartonit të Gjelbër Europian, ndërsa dje në një diskutim u kërkuan rrugë për zgjidhjen e këtij problemi.

Shpërndaje në rrjetet sociale.
comments powered by Disqus
WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
Gjuha / Jезик / Language »