Nëna shet vathët për të ushqyer fëmijët

1

Krejt arin që ka pasur e ka shitur për të ushqyer fëmijët. Nuk ka as vathë të vënë. I ka shitur para pak kohe edhe vathët për t’u blerë bukë fëmijëve të saj.

auto_skamje_copy1436680454

Nëna e dy fëmijëve nga Peja, tash mban vetëm një varëse, që qëndron e varur në qafen e saj sa për ta dalluar se është grua e martuar. Ndonëse kjo varëse e thjeshtë, e hollë, pa dekor është e vetmja që e mban nga martesa, ajo thotë se mund t’i hyjë në punë në ditët e ardhshme së paku për t’u blerë bukë fëmijëve, ashtu siç ka vepruar deri tash me atë pak ari që ka pasur dhuratë nga martesa, duke e shitur pak nga pak sa për t’ia shuar urinë dy fëmijëve të saj.

Gruas së ish-luftëtarit të tri luftërave: UÇK-së, pastaj UÇPMB-së dhe pjesëmarrës i luftës si pjesë e gueriles shqiptare në Maqedoni, shpesh i mungon edhe mielli në magje që të gatuajë. Në Kosovë, një bukë prej 40 centësh llogaritet edhe luks për familjen katëranëtarëshe të ish-luftëtarit të UÇK-së, Tahir Ahmetaj, i plagosur gjatë luftimeve në vitin 1999 për çlirimin e Kosovës, e tash i papunë dhe punëtor krahu.

Në një shtëpizë një dhomëshe, ku jeton me qira me gruan dhe dy fëmijët e vegjël, në një lagje pranë tregut të Pejës, ai shkon jo rrallë duarthatë. Puna e krahut, nuk i sjell fitime as për mbijetesë.

“Vathët i kam shitur për bukë, krejt i kam shitur çka kam pasur prej ari si të falura (dhuratë) për martesë apo lindje të djalit të parë. E kam bërë për të mos i lënë fëmijët pa bukë”, thotë Begija, bashkëshortja e Tahirit.

Çifti ka dy fëmijë. E gjendja e rëndë ekonomike, i ka shtyrë të marrin një vendim të rëndë, duke e privuar nga ushqimi djalin e dytë. Begija, ende po e ushqen me qumësht gjiri, djalin e vogël Fuadin.

“I ka mbushur dy vjet, por ende e mbaj në gji, me çka t’i blejmë qumësht, kështu që po vazhdoj ta ushqej me qumësht gjiri, nuk po kam çka bëj tjetër, e kemi dhe djalin katërvjeçar Shuajbin, po duhet të blejmë qumësht për atë, e tash dhe për këtë nuk po kemi”, thotë ajo, duke rrëfyer jetën, se si mbijetohen ditët në familjet  e goditura nga moszhvillimi ekonomik i Kosovës, e në të cilat buka nga mielli ruhet, ndahet me kujdes, duke u sakrifikuar kështu edhe ndonjë anëtar i familjes!

Luftëtari pa shtëpi!

Ajo ia rrëmben fjalën bashkëshortit të saj që si ish-luftëtar e ruan ende një lloj krenarie për vendin, e thotë (Tahiri) se nuk ndjehet mirë të flasë keq për institucionet për të cilat ka luftuar.

Begija rrëfen sesi ka ditë kur nuk han bukë që t’ua ruajë atë (bukën) fëmijëve. Këtë sekret të mbijetesës e ruan edhe nga bashkëshorti.

“Më mungon mielli, më mungon buka shumëherë, u jap fëmijëve kur më mungon, unë nuk ha, kam nejt pa bukë, edhe pse ndijsha lodhje nuk hanksha u mundojsha me ua rujt atë fëmijëve”, thotë gruaja me trup thatanik, e me flokët të thinjura, të cilat ka kohë që nuk janë lyer.

Nëna fëmijëve ua servon edhe bukën thatë.

“Mbesim pa vaj, pa sheqer…, ka ndodh iu kam dhënë fëmijëve bukën e thatë, si fëmijë kërkojnë t’ua lyejë me aerokrem, pashtetë argeta, apo sallamë, se i shohin tjerët…”.

Në acar gjatë dimrit, e në temperatura të larta gjatë verës, ajo gatuan mbi një shporet të druve që e ka ngjitur në anën e majtë, të jashtme, të shtëpisë ku kjo familje jeton me qira.

Në paradhomën e shtëpizës ajo ka një shporet elektrik, të huazuar, e është krejt çka posedon e ashtuquajtura kuzhinë e kësaj familje. Por, këtë shporet të rrymës nuk mund ta shfrytëzojë gjatë verës pasi pagesa e rrymës me vështirësi përballohet nga kjo familje.

“Për 20 euro erdhën me na këput rrymën, kam kajt atë ditë sa kam mujt, a ka ma zi se për 20 euro me na këput rrymën. Ju luta për rize të Zotit mos na këputni, qëlluan njerëz të mirë, s’e këputën këtë herë…”.

Brenga e dy prindërve të papunë është që dimrin të mos e presin në shtëpizën me qira. Me dritare të vjetra që nuk mbrojnë të ftohtit e shiun të mos depërtojë brenda në dhomë, e cila nuk ka oxhak për t’u ndezur stufa, Begija thotë se vazhdimisht kujdeset t’ua matë temperaturën fëmijëve, t’iu rrijë gati.

“Të mos sëmurën e të bëhen për mjek, se pagesa nëpër mjek ta merr bukën e gojës”, thotë ajo. Ajo tregon se e ndezin shporetin në paradhomën e improvizuar si kuzhinë (e një pjesë korridor), që të nxehtit të kalojë pastaj në dhomë, por as kjo nuk ishte zgjidhja për të mbrojtur nga të ftohtit fëmijët.

“Në dimër nuk guxojmë të rrimë me fëmijët nuk ka vend për shporet, veç në korridor ka, natën e lejsha derën çel po me hy në dhomë mos të ftohen fëmijët, por dhe kjo na merrte shumë dru…”.

Shteti “godet” dy herë familjen e veteranit

Begija tregon se vitin e kaluar kanë aplikuar edhe për banesë që ndahen nga Komuna për raste sociale. Por, asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje nga Komuna e Pejës.

“Ishin, na shikuan në çfarë kushte të rënda jetojmë në shtëpi me qira, që i gjejmë të lira, e të vjetra, por nuk na ndanë banesën”.

Kjo nuk është vetëm goditja e parë e shtetit për familjen e ish-luftëtarit. Tahiri ka marrë vetëm katër muaj ndihmën sociale (shëndetësore) për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.

“Sapo na lindi djali na ndërprenë socialin e Tahirit prej 40 eurove”, thotë Begija.

Mungesa e dorës së shtetit, thotë se e bën të mendojë sesi nuk iu qëllojë askush nga familja e ngushtë jashtë shtetit që t’iu dal në ndihmë.

Prej luftëtari që ishte me armë në dorë tash të shtrijë dorën për të kërkuar lëmoshë ose pare borxh, Tahiri thotë se është vështirë.

“Ka bo vaki pasha Zoti pare për me iu ble tomël fëmijëve nuk kam pas. Shumë herë kam hyrë në borxh për me çu diçka të shpija, sheqer a zejtin…Tani i kam kthy ka pak ka pak kur kam punu”, thotë ai, i ngushëlluar vetëm nga shokët e vet të luftës të cilët janë të pafuqishëm ta ndihmojnë si Shpëtimi që është përkrahë tij me Astritin.

I detyruar, si pasojë e harresës së shtetit për veteranët e luftës, ai rri çdo ditë ulur mbi rrethojën e një prej shesheve të Pejës, bashkë me shumë punëtorë të tjerë krahu, ku presin që ndonjë qytetar të vijë t’i ftojë për punë fizike, apo ndonjë kompani e biznes për ngarkim-shkarkim.

Ky vend, i ashtuquajtur nga ai dhe të tjerët të papunë si “Loma”, është shndërruar njëkohësisht në ferrin dhe parajsën e tij.  Ferri, kur ai nuk fiton asgjë e shkon duarthatë në shtëpi, e parajsa kur fiton ndonjë euro për të çuar bukë, qoftë edhe një bukë.

“Më vjen vështirë të kërkoj të holla nga dikush, prandaj po dal në Lomë sa për të siguruar ushqim për fëmijët, për të jetuar, por për t’iu bërë shtëpi, jo, nuk mundem”.

Ka dorëzuar dokumentet për punë edhe në Byronë Sociale, por asnjëherë thotë se nuk e kanë lajmëruar për ndonjë vend pune.

E në “Lomë” thotë se askush nuk i kërkoi dokumentacion, nuk i dha shpresë kot, aty shkon ulet vetë dhe pret…, pret prej mëngjesi në mbrëmje, duke u lutur që ndonjë kompani biznesore të ketë sjellë ndonjë kamion për ngarkim-shkarkim, e t’i dalë dita për të çuar ushqim në shtëpi. E shumta që mund të fitojë është 10 euro ngarkim–shkarkim.

“Por, ka bo vaki një javë ditë kam dal dhe s’kam marrë asnjë cent”. Ai thotë se gjatë këtyre ditëve kur nuk fiton asgjë e ka të vështirë të shkojë në shtëpi duarthatë. “Lehtësim kam veç kur shkojë gruaja nuk më pyet a fitove ndonjë euro sot apo jo. Ajo e kupton nuk flet dhe kur s’kemi bukë, por fëmijët po vrapojnë ‘babë a më bleve diçka’.

Thotë se fatkeqësisht i ka ‘edukuar’ fëmijët që t’i përshtaten kësaj gjendje.

“Ju them ‘babë këtë herë nuk kam punuar, kur të punoj ju blej’, dhe djali më thotë ‘ani babë kur punon a më blen këtë ose këtë”, thotë ai, derisa rrëfen se i biri i ka kërkuar një biçikletë, por ende s’ia ka blerë.

“Ua besoj atyre luftëtarëve që e kanë mbytur veten”

“Kur t’i sheh kerret thotë: babë a të blejmë kerr me shku mu shetit tek lodrat. Dhe aty e çoj, por nuk kam ta vendosi në konopët (lidhëse për të kërcyer fëmijët), kërkon sepse i sheh fëmijët dhe lakmon. Po, ku ta vendosi në to shtrenjtë është dy euro, unë me dy euro e kaloj ditën, blej bukën, qumështin për të”.

Familja Ahmetaj me vështirësi siguron 100 euro për të paguar qiranë në muaj. Ai thotë se sociali që merr për fëmijët 75 euro ia shton dhe 25 euro tjera të cilat i ndan nga puna e krahut dhe arrin t’i bëjë 100 euro për qira. “Çdo ditë dalin vijnë na marrin kush ka nevojë. Të gjithëve nuk na marrin kënd don e zgjedhin”. As shiu nuk e largon nga “Loma”. “Kur bien shi hyjmë ndër strehë, më shumë mbështetemi aty tek shtëpia e mallrave për të mos na lagë shiu”.

Më së shumti që ka fituar ka ndodhur një ditë kur ai ka marrë 20 euro, për ngarkim dhe shkarkim të dy kamionëve. “Atë ditë kam shkarku miell ose sheqer, më ndodhi si me më pas ra ‘lloto’”, thotë ai, duke treguar se për të buka prej 40 centësh është e shtrenjtë.

Ahmetaj thotë se nuk bëhet fjalë të hyjë në ndonjë restorant të pijë ndonjë kafe me miqtë apo familjen, madje e ka lënë dhe duhanin. Ai thotë se sikur të mos marrë ndonjë euro nga puna e krahut fati i tij do ishte tjetër.

“Isha detyruar sikurse veteranët tjerë me marrë një konop me vjerr veten, mos me pas çka me iu çu fëmijëve vështirë qenka. Unë ua besoj atyre luftëtarëve që e kanë mbyt veten dhe i arsyetoj të gjithë ata që mbytin veten, jemi mbet kërkund. Shteti s’na jep asnjë pare, asgjë mbi këtë tokë. Çka të bëjë me 75 euro, me ble pampersa, a me honger, a tomel fëmijëve, qiranë, ujë apo bërdhok…”, thotë Ahmetaj, i cili pavarësisht punës së rëndë dhe zhgënjimit me institucionet e vendit nuk ka humbur shpresën e fundit te Zoti, shkon agjërueshëm dhe ulet e pret tërë ditën në diell tek “Loma” duke pritur ta ftojë dikush të punojë.

Shkalla e papunësisë dhe varfërisë në Kosovë vazhdon të mbetet e lartë. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës shkalla e papunësisë te meshkujt është 33,1 për qind, kurse te femrat 41,6 për qind. Statistikat zyrtare po ashtu theksojnë se varfëria e përgjithshme në Kosovë, ka arritur afër 30 për qind, kurse varfëria ekstreme mbi 10 për qind.

Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për periudhën nga nëntori 2014 deri në prill 2015, kanë përmendur se faktorët ekonomikë si, papunësia, varfëria dhe korrupsioni vazhdojnë të mbeten problemet më madhore në Kosovë. Sipas raportit të Bankës Botërore, papunësia në Kosovë sillet rreth 40 për qind.

Të harruar

Askund nuk e kanë marrë në punë me pagë mujore. “Kemi mbet në fund të pusit. Jemi harru, na kanë lënë mbrapa krejt”, shprehet Ahmetaj për veten dhe shumë bashkëluftëtarë të tjerë.

Fëmijët e luftëtarëve pa bukë

Lufta nuk është bërë për të gjithë fëmijët, por vetëm për disa. Të tijtë po vuajnë urie, nga të ftohtit në dimër nëpër shtëpitë e vjetra me qira që kjo familje jeton ku i gjen më lirë… “Kemi luftuar për të qenë të lirë. Kemi hequr nga serbët, dilje në rrugë të sillte shuplakë, kur e dinte se ke të holla t’i merrte ato… Prandaj, kam shkuar të luftoj, të vdes për vendin tim për të qenë të lirë”, thotë ish-luftëtari, Tahir Ahmetaj.

S’kanë për të festuar Bajramin!

“Një herë për Bajram as shporetin nuk e kam ndez, më ka ardh marre me lyp. Ka ndodh që s’kemi festu, burri e di situatën, të dy fëmija e vogël nuk dinë, kemi hanger kaftjall, me kaftjall kremtojmë”, thotë nëna Begije.

 

Për të interesuarit që duan të ndihmojnë këtë familje, xhirollogaria e kryefamiljarit Tahir Ahmetaj :

 AHMETAJ TAHIR

Xhirollogaria:   1506001003446252

Rafiffeisen BANK 

Image

Shpërndaje në rrjetet sociale.

1 Koment

  1. allau i shperbleft me tana tmirat inshalla aka munsi numrin e nateli

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com