Në Zvicër fillon i pari gjykim për vrasjet ndërmjet familjeve Elshani e Kelmendi

0

Në rajonin zviceran Freiburg ka filluar gjykimi kundër dy personave, njëri kosovar e tjetri maqedonas, të akuzuar për vrasjen e Selim Elshanit në maj të 2013-ës, raporton KTV.

burgi

Elshani ishte vrarë në prani të familjes së tij dhe pavarësisht pse gjykata nuk ka publikuar emrat e dy të akuzuarve, njëri prej tyre mendohet të jenë anëtar i familjes Kelmendi nga Peja, me të cilën familja Elshani tashmë është në gjakmarrje që nga viti 2000.

Siguria ishte e lartë në gjykatën kantonale të Freiburgut, derisa të akuzuarit për vrasjen e Selim Elshanit nga Peja duhej të jepnin llogari.

Elshani, 33-vjeçar, ishte vrarë në maj të 2013-ës në qytetin Frasse në Zvicër. Në bankën e të pandehurve ishin një kosovar 33-vjeçar dhe një maqedonas 32-vjeçar, emrat e të cilëve nuk janë publikuar.

Mediet zvicerane shkruanin se dy të akuzuarit ishin të qetë dhe mbanin duart kryq, derisa lexohej aktakuza.

E sigurimi në gjykatë ishte i lartë, derisa të gjithë të pranishmit është dashur që t’u nënshtrohen kontrolleve të rrepta para nisjes së seancës. Në gjykatë, ndodhej edhe e veja e Selim Elshanit.

Ajo tha se pa bashkëshortin, jeta e saj është shumë e vështirë.

“Djali im pyet vazhdimisht duke qarë se ku është babai,” tha ajo në gjykatë.

Në anën tjetër, të dy të akuzuarit e mohojnë çdo përfshirje në vrasjen e Selim Elshanit.

Sidoqoftë, procesi gjyqësor do të zgjasë disa ditë. Sipas aktakuzës për kosovarin e maqedonasin, autoritetet zvicerane kanë dy mendime: ose ta kenë kryer personalisht vrasjen ose kanë dërguar njerëz të tjerë në Zvicër, për t’i furnizuar me armë që të kryejnë vrasjen. Kjo vrasje mes kosovarëve në Zvicër ka tërhequr vëmendje të madhe, pasi që viktima ishte vrarë para syve të familjes së tij.

Por, është hera e parë që po gjykohet dikush nga klanet Elshani dhe Kelmendi nga Peja, nga hakmarrja e të cilëve që nga viti 2000 kanë pësuar 14 njerëz.

Selim Elshani ishte viktima e 13-të. Pas vrasjes në Zvicër, konflikti vazhdoi edhe në Kosovë. Pavarësisht vrasjeve të shumta, asnjë prej këtyre dy familjeve asnjëherë nuk ishte arrestuar apo akuzuar për vrasje.

E derisa ligji nuk i zgjidh çështjet, atëherë familjet përdorin Kanunin e Lekë Dukagjinit. Sipas këtij të fundit, gjaku lahet vetëm me gjak.

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com