Në Luginë të Preshevës po kërkohet unitet politik
14:18 | 14 Gusht 2017

Qeveria e Serbisë po vazhdon të prolongojë aprovimin e kërkesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës duke u arsyetuar në mungesë të stabilitetit politik në dy komunat me shumicë shqiptare. Për këtë kryetari i Bujanocit Shaip Kamberi thotë se uniteti politik është i domosdoshëm. “Ky unitet politik arrihet në atë drejtim kur dy komuna janë stabile, kur të dy komunat kanë qëndrime të njëjta politike sa i përket kërkesave tona për të drejta kolektive dhe individuale”, tha Kamberi për RTK’në. Ai ka përkujtuar asambleistët e Kuvendit Komunal të Preshevës për përgjegjësinë që kanë karshi qytetarëve të cilët ua kanë dhënë besimin për t’i përfaqësuar. “Mjerisht ajo që po ndodh në Preshevë e rrezikon këtë unitet dhe këtë projekt”, tha ai. Kuvendi i Preshevës rrezikon të shpërbëhet nëse deri më 24 gusht nuk do të konfirmojë stabilitetin e vetë duke mbajtur seancën e radhës e cila ka dështuar në mungesë të kuorumit.
Françeska Jaçe