Në Budrikën serbe dyshohet për një varrezë masive?!

0

Gjilan – Siç dihet, komuna e Gjilanit është mjaft e “prekur” nga lufta e fundit 1999. Kjo është fakt. Fakt i “gjallë” se këtu është bërë dhunë e paparë në popullatën e kësaj ane nga ushtarë e paramilitarë serbë.
Njerëzit e kësaj ane janë vrarë e janë përndjekur me dhunë nga vatrat e tyre stërgjyshore. Por, në këtë kohë lufte, në shumë vendbanime të kësaj ane të Malësisë së Karadakut ka ngjarë që paramilitarët serbë i kanë ndarë meshkujt nga femrat.
Kjo ka ngjarë në Llashticë, Zhegër e mese tjera. Pas lufte, në shumë vendbanime janë gjetur “sende” të femrave, ku është bërë dhunë ndaj saj si e pambrojtur. Gjer më sot kjo “temë” nuk është “prekur” aq në shkrime, por ka dyshime, të cilat të qojnë gjer tek e vërteta e ndodhur. Kjo temë i ka mbetur kohës. Andaj, njerëzit shtojnë se, kur popullata zhegrase ka dashur të largohet nga e keqja kah Vermnica, drejt Preshevës, ajo është zënë nga forcat e errëta serbe dhe është sjellë të kooperativa e fshatit.

Në këtë vend, ku janë vendosur ushtarët serbë, thonë se ka pasur gjurma të dhunës së paparë. Madje, kjo dhunë e rëndë është bërë edhe në Llashticë, ku, popullata e zhvendosur në mal, paramilitarët serbë i kanë zenë dhe i kanë kthyer banorët në fshat, e më vonë, të rreshtuar mbi këtë lokalitet, i kanë ndarë meshkujt nga femrat.

Autori i këtyre radhëve pati shkruar në gazetën “Rilindja” për një femër të re zhegrase, të cilën nëna e saj e shpëton vajzën nga kthetrat e kriminelëve serbë duke paguar 4 mijë marka gjermane. Kjo “ngjarje” ka ngjarë më 1999. Ajo shpëton, por s’dihet për fatin e femrave tjera?! Në kohën e luftës, aty kah 13 prilli i vitit 1999, paramilitarët serbë e kthejnë popullatën llashticase e ikur në mal dhe e sjellin mbi fshat. Aty ushtrojnë dhunë më të ndryshme.

Gratë, thonë, i kanë ngujuar në shtëpinë e Rahimit, ndërsa meshkujt i kanë detyruar ta mbajnë flamurin serb dhe të këndojnë këngë serbe ”Ko to kazhe, ko to lazhe…”. Këtu femrave të zëna rob ua marrin afro 3 kg ari. Dhunë ka pasur edhe në fshatrat e Karadakut. Ushtria serbe, duke u strehuar si në bir të minit nga bombardimet e NATO-s, ajo, thonë ka ushtruar dhunë të pa parë tek popullata e këtyre fshatrave. Ajo, herë pas here ka sjellë femra shqiptare nga mese tjera të Kosovës dhe ato i kanë keqtrajtuar në këto anë të Karadakut. Pra, janë bartur femra dhe dyshohet se ato i kanë vrarë apo masakruar pa kurrfarë mëshire.

Mandej, siç shtojnë banorët e kësaj ane, mendohet të ketë varre masive në dy anët e kufirit Kosovë-Maqedoni. Varr masiv, mendohet të ketë në fshatin Çelik, Malësia e Karadakut. Dhe, kjo është një fakt i “gjallë”, i cili heshtet dhe nuk flitet nga askush. Kështu, në fshatin Lladovë vriten gjashtë të rinj, por njërin nga ta është i zhdukur pa gjumë vetëm e vetëm se tek ai kanë gjetur dokumente se ishte kryetar i nën degës së LDK-së. Ky është Ahmetali Ajeti. Edhe sot e kësaj dite, trupi i tij nuk është gjetur. Varri i tij është i zbrastë. Këtë të ri, profesor i elektroteknikës, e marrin dhe e bartin gjer në Partesh. Mandej, ate e kthejnë në Lladovë duke lënë trupin e tij të pajetë para xhamisë së fshatit. Më në fund e zhdukin trupin e e tij pa gjurmë.

Pra, në këto fshatra të Karadakut, forcat e errëta serbe kanë vepruar lirshëm e pa asnjë droje. Nuk ka pasur as më të voglën rezistencë nga të tjerët. Dhe, nga data e 28 marsit (1999), forcat paramilitare kanë veprua lirshëm në këtë anë të Karadakut në fshatrat: Lladovë, Zhegër, Shurdhan, Stançiç, Dunav etj. Së pari, nga këto fshatra është bërë largimi i popullatës nga vatrat e tyre stërgjyshore.

Dhe, një rast flet më qartë se, në Stançiç, fshat ky afër kufirit Kosovë-Maqedoni, paramilitarët kanë vrarë dhe kanë bërë dhunë barbare. Varr masiv mendohet të ketë në dy anët e kufirit Kosovë e Maqedoni. Bile, thuhet se në një lis të këtij vendi ka qenë e shënuar me shkronja “varri masiv”, ku 16 vetë thuhet të jenë ushtarë nga Kaçaniku. Ky varr masiv gjendet në mes mëhallës Toplanë dhe Muçaj, këndej kufirit. Por, dyshohet se edhe matanë kufirit kah Maqedonia, gjendet ndonjë varr masiv. Dikush i di këto

“sende”, por i heshtin dhe ia lënë kohës. Vetëm në disa fshatra të Malësisë së Karadakut janë vrarë 50 e më tepër vetë. Në këto anë, forcat serbe kanë vepruar me duar të lira në vrasjen dhe masakrimin e qytetarëve të pafajshëm shqiptarë. Ata (paramilitarët serbë), bie fjala, në Zhegër, nga data e 29 marsit e më vonë (1999), kanë vrarë 13 vetë me listë në dorë. Janë vrarë njerëzit në prag të shtëpisë nga forcat e errta serbe të shoqëruar nga serbët vendorë. Në anën tjetër, këtu kanë sjellë rezervistë ushtarakë të tjerë nga 26 marsi e më vonë, të ardhur nga vendet e Serbisë, si nga Leskoci, Vranja etj., cilët ato ditë lëviznin lirshëm në fshatin Zhegër. Bile, shumica e tyre kanë qenë “njerëz” të moshave 40-vjeçare me mjekra dhe të armatosur gjer në dhëmbë. Në fshatin Nasalë janë gjetur rroba ushtarake. Po ashtu, në Moravën e Binçit janë gjetur përkrenare e rroba (uniformë) të ushtarëve serbë.

Pra, kjo lë të dyshohet se, ata janë veshur me rroba civile dhe kanë dezertuar detyrën. Në Llashticë është gjetur varr masiv në shtëpinë e Rifat Shabanit, ku paramilitarët serbë i kanë masakruar 12 vetë. Këtu i kanë vrarë dhe në fund shtëpisë ia kanë vënë zjarrin. Në fund, buldozheri i forcave serbe e ka rrafshuar vendin e ekzekutimit për ti zhdukur gjurmët e krimit barbar. Në varrin masiv, te varret e Zhegres, janë varrosur këta zhegras të vrarë: Fitim Isufin, Shyqeri Tahirin Tafë Mustafën etj. Në këtë varr masiv është gjetur edhe një dorë e një femre. Në masë flitet se aty është gjetur edhe një letërnjoftim i një femre, jo e këtij lokaliteti. Por, tragjedia më e rëndë dyshohet të jetë bërë në Fabrikën e Radiatorëve në fshatin Budrigën serbe, komuna e Gjilanit.

Këtu mendohet të jetë ndonjë varr masiv. Këtu, si flasin njerëzit e kësaj ane, aty kah fundi i korriku apo fillimi i gushtit 1998, forcat policore serbe e kanë mbyllur rrugën Gjilan- Zhegër, mu te Ura e Madhe, afër Budrigës serbe. Kjo rrugë ka qenë e hapur vetëm për komunitetin serb. Pra, forcat serbe nuk i kanë lejuar shqiptarë të kalojnë nëpër fshatin Budrigë serbe.

Rruga ka qenë e ndaluar gati një muaj. Gjatë kësaj kohe, në Drenicë zhvillohej luftë (1998). Këtu mendohet se janë sjellë njerëz nga zona e luftës dhe i kanë torturuar apo edhe i kanë masakruar. Për të ardhur gjer tek një e vërtetë, jemi shkuar gjurmëve të disa deklaratave të disa qytetarëve të kësaj ane, të cilët janë njohës të mirë të kësaj tragjedie. Një vozitës me kamionin e Moraves së Binçit, ka shtuar se: ”Unë kamionin e kam pasur të mbushur me asfalt (beton). Kur jam afruar afër Fabrikës së Radioatorëve në Budrigë, serbët më kanë urdhëruar që të ndalem e më kanë thënë: “Ndale këtu kamionin. T`i prite kamionin për ta marrë!” – Nuk më lanë të hyj brenda në oborrin e Fabrikës”. Një qytetar i Llashticës, i cili nuk e dinte rastin e Budrigës serbe dhe ka hyrë në këtë fshat serb me kultivator të mbushur me shalqinj (bostan). Ai ka shtuar: “Kur më kanë parë shkiet e këtij lokaliteti se si unë gjendem aty afër Fabrikës së Radiatorëve, ata janë çuditur e më kanë ndalë përpara e më kanë pyetur: “Kah ke ardhur këtu?”. Unë u thashë se kam ardhur kah Parteshi. Shpejt më kanë detyruar të largohem nga ky fshat. Mandej të dhëna tjera flasin se, kur një qytetarit serb të po këtij lokaliteti (fshati Budrigë serbe) i vritet djali i tij në zonën e luftës (1998), ai u është kërcënuar eprorëve të tij serbë që ia kanë marrë djalin për ushtar. Atij gjëja i kanë premtuar se, për këtë rast të vrasjes së djalit tij, do t’i sjellim këtu mbi 60 vetë (në Budrigë)”. Nuk dihet se çka është bërë me ta!

Një pozharanas, kur e kishte takuar këtë serbë të Budrigës, prindi i djalit të vrarë, i kishte shtuar: “Kështu më kanë premtuar, por a e dini se ajo natë ka qenë e tmerrshme në Fabrikën e Radiatorëve ku janë dëgjuar shumë bëritma njerëzish”. Britmat e njerëzve janë dëgjuar, thonë, gjer në Lladovë. Këtu dyshohet se ka ndonjë varr masiv. Një e dhënë tjetër flet se këtu ka ngjarë krimi, i cili fshihet dhe asgjë nuk dihet! Mandej, e dhëna tjetër flet se, një shofer i kombibusit nga Zhegra, që ka punuar si taksi në relacionin Zhegër-Gjilan dhe anasjelltas, autorit të këtyre radhëve i ka shtuar me 2 janar të vitit 2006 se “menjëherë pas luftës, një qytetar nga Drenica, i cili kishte marrë rrugën për ta ngushëlluar xha Hysniun, babain e Agim Ramadanit, tash i ndjerë, ai duke kaluar nëpër fshatin Budrigë serbe, udhëtarëve u paska thënë: “A kjo është Budriga serbe, a? Udhëtarët i përgjigjen “Po”. Ai u drejtohet atyre me këto fjalë: “A e dini se këtu ka varr masiv të njerëzve?!” Po kështu, disa qytetarë të Cërnicës, duke përgjuar gjendjen, ku lufta zhvillohej në Drenicë, por këtu njerëzit jetonin me ankth jete, ata kanë shtuar se, nga kodra e tyre kanë parë gjatë asaj kohe (1998) duke punuar një bager duke gropuar te Fabrika e Radiatorëve në Budrigën serbe.

Po kështu, para pesë a gjatë muajve të këtij viti, D. Haziri, nga Zhegra, ku e ka një vend për shitjen e makinave të vjetra afër Lumit Moravë, autorit të këtyre radhë i ka shtuar këto fjalë: “Një ditë u kthye te unë një i moshuar nga Shurdhani, i cili kishte shitur dru në Budrigën serbe. Një plakë e moshuar serbe i paska shtuar këtij qytetari se, ajo akoma ajo s’mund të bëjëë gjumë nga ato ditë të tmerrshme që kanë ndodhur në Fabrikën e Baterive e këtëj fshati. “O Zot, edhe pas kësaj kohe, unë s’mund të bëj gjumë nga bërtima e njerëzve që ka ndodhur këtu. S’di çka kanë bërë në. Unë jam e trishtuar dhe kjo ngjarje s’më hiqet akoma nga mejdja”. Po kështu, pak muaj më parë, në një ditar të televizionit u dëgjua se, në rajonin e Gjilanit ekziston një varr masiv, i cili akoma nuk është zbuluar. Dhe, ja më 10 korrik të këtij viti 2009, u dha lajmi se në Dobërqan është zbuluar një varr masiv. Dhe, shtohet se, “dhjetë vjet pas luftës, është zbuluar një varrezë masive në fshatin Dobërqan të Gjilanit. Disa trupa njerëzish janë gjetur të varrosur në një vend të thellë skaj magjistrales Gjilan-Bujanoc, përkatësisht në fshatin Dobërqan”.

Dhe, më tutje shtohet se, “një person nga rreth i Gjilanit ishte paraqitur në polici më datën 13 prill të këtij viti, i cili kishte deklaruar se mes fshatit Kmetoc dhe Dobërqan mund të ketë varrezë masive. Njësiti për Persona të Pagjetur dhe pas gati tre muajve është hapur varreza masive”(shih. Gazeta Infopres, “Varreze masive në Dobërqan” f. 8, 10 korri, 2009. Pra, dyshohet të ketë ndonjë varrezë masive edhe në këtë pjesë të Kosovës, ku edhe këtu është bërë një dhunë e paparë një njerëz gjatë kohës së luftës së fundit 1999./tefik selimi/rajonipress/

 

Shpërndaje në rrjetet sociale.

Comments are closed.

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com