Ndalohet qarkullimi i trenave
15:30 | 18 Maj 2018
Sot nga ora 08:00 e mëngjesit pothuajse për një orë është ndërprerë qarkullimi i trenave për udhëtarë në hekurudhat e Kosovës, Trainkos, nga punëtorët e saj në shenjë pakënaqësie për vonesën e pagave për muajin prill.

Haxhi Xhemajli, nënkryetar i sindikatës së punëtorëve të hekurudhave të Kosovës, Trainkos ka thënë se për një orë kanë protestuar në shenjë pakënaqësie për vonesën e pagave të muajit prill në këtë ndërmarrje.

Ai ka paralajmëruar protesta edhe për ditën e martë, nëse pagat nuk i marrin deri të hënën.

Dhe ky nuk është paralajmërimi i parë që këta punëtor kanë dhënë

Ndërsa, Naim Neziri, zëvendës kryeshef i Trainkos protestuesve u ka premtuar se shumë shpejt do të realizohet paga e muajit prill, ngase sipas tij, është arritur një marrëveshje me Ministrinë e Infrastrukturës për pagesën e shpenzimeve të kësaj ndërmarrjeje.

Megjithatë, ai nuk ka treguar asnjë dokument të kësaj marrëveshje apo shumën e premtuar nga Ministria, por shtoi se për këta 250 punëtorë, për pagën e prillit ju duhen 135-140 mijë euro.
Me përfundim të protestës, trenat kanë filluar të qarkullojnë.

Sindikata e Pavarur e Hekurudhave – Trainkos i kishte dhënë kohë menaxhmentit të kompanisë deri të enjten më 17 maj që të bëjë pagesën e pagave për punëtorët për muajin prill, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Kjo sindikatë ka vendosur që të premten, më 18 maj, të mbahet një protestë njësorëshe në stacionin hekurudhor në Fushë Kosovë ku do të ndalet edhe qarkullimi i trenit Prishtinë – Pejë, në shenjë pakënaqësie për vonesën e pagave raporton GazetaBlic.

“Kjo është vetëm një masë paralajmëruese për veprimet e tjera sindikale të cilat do të pasojnë pas datës 18.05.2018”, thuhet në reagimin e sindikatës së punëtorëve të Trainkosit.

Kjo sindikatë thotë se s’ka marrë asnjë njoftim zyrtar nga menaxhmenti i kompanisë lidhur me arsyen e vonesës së pagave për muajin prill./

Alba Hoxha
S