Musliu: Të drejtat e shqiptarëve në Luginë vazhdojnë të rrezikohën
14:17 | 21 Korrik 2017

Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve, Jonuz Musliu tha sot në një takim me anëtarët e Komisionit për monitorimin e Këshillit të Evropës në Bujanoc, se Serbia mund të bëjë përparim drejt Bashkimit Evropian, mirëpo të drejtat e shqiptarëve janë ende të rrezikuara. Para këtij Komisioni, Jonuzi ka shfaqur problemet me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës. “Mungesa e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, mosnjohja e diplomave të Universitetit, papunësia e lartë, mungesa e investimeve dhe ndalimi i përdorimit të simboleve kombëtare janë problemet kryesore”, ka thënë Musliu, transmeton lajmi.net. Sipas tij, këto çështje Komisioni Evropian më parë i ka dëgjuar në një histori krejt tjetër e jo situatën e vërtet që mbretëron në Luginë. Musliu ka thënë se anëtarët e Komisionit kërkuan ‘vetëm t’i shikojnë të drejtat që serbët i kanë në Kosovë e të tilla t’i kenë edhe shqiptarët në Luginën e Preshevës si formë reciprociteti’.
Françeska Jaçe